77 vjet Zëri i Amerikës në shqip

0
582
Zëri i Amerikës - shqip

Nga Marjana Bulku, 14/05/2020

Me 13 maj të vitit 1943, Zëri i Amerikës foli për herë të parë shqip.

Kjo ngjarje do të mbante në vetvete zërin e një vendi shumëkombësh ku jetonin edhe mjaft shqiptarë të cilëve për shumë vite do t’ju mohohej Atdheu, prandaj shqiptarët këtej dhe përtej oqeanit e dëshironin atë zë qysh në vigjilje.

Zëri i Amerikës vinte nga një vend ku liria ishte fondamentale dhe një e drejtë nga ku buronin dhjetra liri. Dhe si e tillë ky komunikim përmes valëve të radios dhe më vonë edhe televizionit pati dhe ka aq shumë admirues. Gazetarët e Zërit të Amerikës mbeten po aq aktiv, të vërtetë, vëzhgues dhe analistë të saktë të realitetit shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, është më tepër se kaq.

Kronikat e tyre bazohen në arkiva të pasura, kërkime e burime të cilat e bëjnë të besueshëm informacionin dhe kështu ndër vite reputacioni i këtij institucioni rritet e rritet. Me rënien e Murit të Berlinit dhe efektet e tij në Ballkan dhe Shqipëri ky transmetim nisi të ndiqej në liri. Zëri i Elez Biberajt vazhdon të jetë binom i këtij kanali komunikimi dhe simbol lirie.

Ilir Konomi mbetet një prej kronikanëve më të arritur gjë të cilën e shohim edhe në veprat dhe studimet e tij me karakter historik.

Por unë dua të kujtoj tri ish-gazetarë të Zërit të Amerikës të cilët janë aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork.

Frank Shkreli, analist, studiues, historian i cili vjen nga ky institucion gjigand 77-vjeçar dhe e dëshmon atë vërtetësi, saktësi dhe forcë reflektimi në të gjitha shkrimet e tij sistematike në shtypin e Tiranës por për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen si dhe politikanët e tyre.

Gjek Gjonlekaj, gjithashtu ish-gazetar i Zërit të Amerikës, tek i cili ka mbetur po aq i gjallë komunikimi në publik me një oratori dhe elokuencë për tu pasur zili dhe kujtesën e freskët. Në përvojën e tij si ish-gazetar i VOA-s regjistrimet e zërit të Nënë Terezës janë pasuria dhe trashëgimia e tij më e madhe.

Idriz Lamaj, një studiues i hollë i historisë autor veprash dhe dokumentues rigoroz i fakteve të cilat janë matematika e historisë, pikërisht kështu mendoj sa herë që kam pasur rastin të ndjek referencat e tij. Apo gazetarja Laura Konda, e cila u largua para pak kohësh nga puna.

Nuk guxoj të marr në analizë çdo gazetar të VOA-s, janë shumë dhe tek të gjithë ka një cilësi të përbashkët; Vërtetësia. Kjo shkollë e së vërtetës është edhe institucioni i fjalës së lirë që u bë edhe mbrojtëse lirish, të drejtash, problematikash duke ndikuar në vendet respektive këndej dhe andej Oqeanit, duke u shndërruar në faktor në ngjarjet më të rëndësishme, në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe Maqedoni, duke i faktorizuar shqiptarët në Ballkan, duke kritikuar, a vënë në pah problematikat e shumta të politikës dhe duke nxitur reflektimin qytetar sakaq.

Ky 77-vjetor i VOA-s është një moment jo vetëm kujtese historike por edhe thirrje për shumë zëra dhe arsyeje në gazetari, politikë, e histori në mënyrë që shoqëria të progresojë duke u udhëhequr nga arsyeja dhe e vërteta.

Shoqëritë njerëzore sot më shumë se kurrë kanë nevojë për lajmin që lind nga ngjarja, për të vërtetën që lind nga ndershmëria dhe për historinë që jetëzohet nga faktet. Dhe për këto na duhet një model, një shkollë e mendimit, analizës dhe reflektimit që për fat, botës shqiptare nuk i mungon ka 77 vjet.