Jo ndryshimit te kufjve – Bundestagu debaton per KFOR-in

0
370
Ushtar gjerman - KFOR

Ushtar KFOR gjerman në Kosovë (picture-alliance/dpa/M. Gambarini)

GJERMANIA – DW.com

Të mërkurën, Bundestagu debatoi për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it, ku doli në pah edhe njëherë se si e shohin deputetët gjermanë zgjidhjen e konfliktit politik Serbi-Kosovë. Një përmbledhje.

Është e njëjta procedurë çdo vit: Nga mesi i majit, deputetët gjermanë vendosin me shumicë votash zgjatjen e angazhimit të ushtarëve gjermanë të KFOR-it në Kosovë. Një vendim që kërkon formalisht miratimin e Bundestagut. Dhe gjithmonë debatohet dy herë, njëherë kur kërkesa e qeverisë gjermane u shtrohet ligjvënësve, dhe më pas, kur miratohet. Dhe deputetët gjermanë që merren me Ballkanin Perëndimor nuk e humbin rastin të kujtojnë edhe njëherë qëndrimet e tyre ndaj Luftës së Kosovës, legjitimitetit të misionit të Bundeswehr-it dhe problemeve aktuale të vendit.

Të mërkurën ishte debati i parë, prej të cilit u bë e qartë edhe se përveç dy partive ideologjikisht të skajshme, E majta, dhe Alternativa për Gjermaninë, katër partitë e qendrës: dy partitë e koalicionit, Unioni Kristian-Demokrat/ Unioni Kristian-Social (CDU/CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD), si edhe liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit (Grüne), do te votojne pro zgjatjes se mandatit.

Pikërisht këto katër parti e refuzojnë kategorikisht edhe këmbimin territorial si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, siç doli në pah nga deklaratat e folësve të tyre.

Maas: Të largohemi nga zgjidhjet kufitare

Qeveria gjermane planifikon të vërë në dispozicion deri në 400 ushtarë të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it. Siç bëri të ditur ministri i jashtëm, Heiko Maas, aktualisht veprojnë në Kosovë 70 ushtarë të Bundeswehrit. Ministri socialdemokrat e përshkroi gjendjen e sigurisë relativisht të qëndrueshme, por tha se në aspektin politik marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar, dhe premtoi angazhimin e mëtejmë të Gjermanisë për vazhdimin e dialogut,e dhe në kuadër të presidencës gjermane të BE-së, që fillon më 1 korrik. Maas shfrytëzoi rastin ta hidhte poshtë idenë për këmbimin e territoreve:

Bundestag, DeDeutschland Bundestag | Befragung der Bundesregierung: Bundeskanzlerin Angela Merkel (Reuters/H Hanschke)

“Qëllimi është që të largohemi nga zgjidhjet me kufij, të cilat janë parashtruar në tryezë jo vetëm nga palët, por edhe nga të tjerë, që duan të ushtrojnë ndikim atje. Por kjo do të arrinte vetëm një gjoja-përparim, nëse do të quhej përparim, duke pasur parasysh gjendjen e atjeshme. Lojëra me ide të tilla vetëm sa e shtyjnë zgjidhjen për problemet komplekse dhe nuk çojnë askund vetëm se në një rrugë qorre.”

E Majta dhe AFD për ndryshim kufijsh

Anton Friesen, nga AfD-ja, ashtu siç edhe pritej, e hodhi poshtë arsyetimin për angazhimin e Bundeswehrit, në Kosovë, i cili sipas tij, qysh në vitin 1999 filloi me një gënjeshtër. „Operacioni Patkoi nuk ka ekzistuar kurrë“, tha deputeti i partisë së djathtë populiste, Friesen duke shtuar se përralla vazhdon edhe në ditët e sotme.

Përrallën e një Kosove shumëetnike paqësore, nuk e besojnë as ata që e shpërndajnë këtu“, tha Friesen.

Në vend që të vazhdohet me këto gënjeshtra të përjetshme, qeveria gjermane do të bënte mirë të angazhohej për një këmbim territoresh, në mënyrë që serbët në Kosovën e Veriut të mbrohen në kuadër të shtetit të tyre, dhe zonat shqiptare të prirura për destabilizim në jug të Serbisë, të stabilizohen duke u bashkuar me territorin e Kosovës“.

Alexander Neu, nga partia E Majta, megjithëse ideologjikisht diametralisht kundër AfD-së nacionaliste, argumentoi më afër në linjën e ekstremistëve të djathtë: Neu u shpreh pro këmbimit të territoreve duke dhene si argument se ideja mbështetet nga dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiç dhe Rusia, dhe disa zera ne BE.

Kush është kundër? Qeveria gjermane! Sepse kembimi i territoreve mund të sjellë destabilizime në Evropën Juglindore“, tha Neu, duke e quajtur Kosovën për këtë shkak „një koloni gjermane“.

Sarrazin: Trumpi e trajton Kosovën si koloni

Manuel Sarrazin, ne nje replike me deputetin e AfD-së. kritikoi rolin e SHBA-se ne Kosove.

Kosova po trajtohet nga zoti Trump si një koloni. Jo nga Bashkimi Evropian. Dhe ne duhet ta refuzojmë këtë duke thënë se nuk do të ketë këmbim territoresh, sepse njerëzit në Kosovë dhe Serbi janë kundër.

Renata Alt, nga partia liberale FDP e vuri theksin gjithashtu te ndikimi i vendeve te tjera ne Ballkan, si Rusia, Kina dhe Turqia. KFOR-i dërgon një sinjal të rëndësishëm politik në vend se Nato-ja vazhdon të angazhohet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, tha ajo. Deputetja liberale kujtoi perspektivën evropiane dhe u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor „që të mos ia kthejnë shpinën BE-së por të vazhdojnë rrugën e reformave”.

Bundestagu gjerman vendosi për herë të parë më 11 qershor 1999 për stacionimin e ushtarëve gjermanë në Kosove. Që atëherë, Bundeswehri ka vazhduar të veprojë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 10 qershorit 1999. Forcat e armatosura gjermane veprojnë në përputhje me rregullat e një sistemi të sigurisë kolektive të ndërsjellë (NATO dhe Kombet e Bashkuara) në përputhje me nenin 24 (2) të Ligjit Themelor gjerman. Sipas qeverisë gjermane kostoja totale e shpenzimeve të detyrave shtesë te Bundeswehrit deri ne fund te vitit 2021 është rreth 16,63 milionë euro. Kërkesa e qeverisë gjermane i kaloi te merkuren për shqyrtim Komisionit Parlamentar për Çështje të Jashtme. (A.Shuka, Berlin)