Gjin Musa

0
6054
Gjin Musa

Gjin Musa ka lindur me 15.06.1952,
në fshatin Nanmavriq të Bajrakut të Shalës, Dukagjin.

Është larguar nga vendlindja, pa i mbushur mirë tre vjeç. Prindërit e tij vendosen në qytetin e Shkodrës. Aty përballë Kishës së Shënkollit. Me kalimin e viteve, vendosen në fshatin Kukël të Lokalitetit Bushat, kështu quhej aso kohe.

Arsimimi dhe dija ishin pasioni i jetës. Me shumë dëshirë dhe pasion shërbeu në radhët e ushtrisë, si në aviacion dhe për një periudhë kohe komandant i rep. 2203/b pranë detashmentit të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Mbështetja maksimale e Komandantit të Detashmentit, Gjeneral Milto Kosova ia rritën dëshirën dhe pasionin për uniformën ushtarake.

Ai merret edhe me gazetari, ku për 51 vite rrugëtoi së bashku me shkrimet e kronikat. Shkrimin e parë e ka botuar në vitin 1965, në gazetën Pionieri. Që nga ky vit, ai ka shkruar në gazetën “Jeta e Re”, gazetë lokale në Shkodër, ku kujton kryeredaktorin e parë Prof. Vehbi Çangën. Kujton me shumë respekt drejtorin e Radio Shkodrës, të ndjerin Alush Cena, i cili i hapi dyert e bashkëpunimit me këtë institucion. Kujton përkrahjen e çmuar të mësuesit të tij, Mentor Quku, e shumë të tjerë.

Në jetën e tij, dorëshkrimet janë të panumërta në Gazetën “Jeta e Re”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Sporti”, “Zëri i Rinisë”, “Hosteni”, “Zëri i Vlorës”, “Pionieri” e shumë të tjera.

Janë një numër i madh shkrimesh, intervistash dhe kronika të panumërta, që transmetonte Radio Shkodra dhe një bashkëpunim dinjitoz ka patur edhe me Radio Tiranën, emisioni i lajmeve, kronikat dhe rubrikat e ndryshme që transmetoheshin ne Radio Tirana, ku mbanin autorësinë e bashkëpunëtorit Gjin Musa nga Shkodra.

Me ardhjen e demokracisë, në mbështetje të votave të fituara, ai emërohet nga Kryeministri Aleksandër Meksi sekretar i këshillit të Komunës Bushat, ndër më të mëdhatë në shkallë republike.

Në nëntor të vitit 1994, ai largohem përfundimisht nga Shqipëria. Punon dhe jeton në Itali. Ka shkruar dhe bashkëpunuar me shumë gazeta si edhe me Radio Tiranën, në emisionin për Shqiptarët jashtë atdheut, ku falenderon miqtë e tij, gazetarët Pëllumb Troci dhe Jaho Margjeka, për bashkëpunimin. Ka bashkëpunuar shumë vite me Radio Sofia të Bullgarisë, etj.

Një bashkëpunim dinjitoz ka këto vitet e fundit edhe me gazetën “Fjala e Lirë”, me botues z. Arben Çokaj dhe gazeta të tjera si “IDEA”, “SOT”, etj.

Prof. Mentor Quku do shprehej kështu: “Uroj autorin Gjin Musa, për botimin e librit të parë, kushtuar figurës së ndritur të aviatorit Ndue Logu, rënë në krye të detyrës. Është kënaqësi për mua sepse autori është një ndër nxënësit e mi, që është dalluar që në bankat e shkollës për prirjet e tij letrare”.

“Gjini kishte pasion gazetarinë që në fëmijëri, botonte në disa gazeta të asaj kohe, ne ish-mësuesit e Gjin Musës ndiheshim krenar për nxënësin, që po rriste shkallët e dijes. Sot Gjini është familjar, flokët janë zbardhur nga thinjat, ai jeton prej shumë vitesh larg atdheut, larg Shkodrës, që aq shumë e do, por kurrë nuk reshti s’shkruari për vendlindjen dhe atdheun e vet. Shkrimet e z. Gjin Musa pasqyronin jetën e vërtetë të emigracionit. Ne TVB të Belgjikës mbetet si relikë krijimi i autorit në fjalë, ku ndër të tjera ai thotë:

Emigrantët kudo në botë
janë si zogu pa fole
janë si fëmija rritë jetim
që nuk din se kë ka prind,

– poezia vazhdon rrënqethëse për lexuesin.”

Prof. Mentor Quku