Mësova arbërisht për të kënduar arbërisht

0
1110

Nga Gazeta Shqip28 Shkurt 2013

Në fillim ishte pak e vështirë, sepse ende nuk e flisja gjuhën arbëreshe, meqenëse në familje flitej vetëm italishtja. Për këtë arsye, i kërkova prof. Francesco Marchianò – mësues i gjuhës arbëreshe – të më jepte mësime private

Intervistë me këngëtarin italo-arbëresh Claudio La Regina

Intervistoi: Brunilda Ternova

Jemi në shoqërinë e Claudio La Regina, autor këngësh dhe muzikant italo-arbëresh, të cilin, publiku shqiptar ka pasur mundësinë ta njohë për herë të parë në vitin 2009, falë Festivalit të 48 Kombëtar të Këngës në Tiranë. I lindur në Cesena të Italisë, më 27 korrik 1976, me rrënjë të ngulura thellë në trashëgiminë ende të gjallë të traditave muzikore arbëreshe, është një përfaqësues i denjë i muzikës së lehtë arbëreshe dhe italiane.

Brunilda Ternova: Klaudio, ju falënderoj për mundësinë që na krijuat për të na dhënë këtë intervistë. Së pari, do dëshironim të na tregonit diçka nga vetja dhe nga fillesat e karrierës tuaj artistike?

Claudio La Regina: I jam afruar botës së muzikës që në moshë shumë të re, kur isha shtatë vjeç, e në këtë fazë të jetës fillova të marr mësimet e para në instrumentin muzikor të pianos. Kam luajtur në piano rreth dhjetë vjet, por kur zhvillova provimin në Konservatorin e Muzikës nuk u pranova për shkak të praktikës së përhapur të rekomandimit që ekziston në Itali. Më pas, në muajin maj të vitit vijues, më thirrën sërish për të përsëritur provimin, por vendosa të mos paraqitesha. Fillimet e mia artistike nisin në njëfarë mënyre në formë shakaje, kur së bashku me disa miq formuam një grup muzikor, ku unë natyrisht duhej të luaja në tastierë. Meqenëse një nga miqtë e mi më të mirë, i cili i binte kitarës, kishte një dorë me dimensione të vogla për t’i rënë akordeve specifike muzikore, vendosëm që ai t’i binte tastierës, ndërsa unë të këndoja. Faktikisht nuk kisha kënduar asnjëherë deri në ato momente dhe fillova ta bëja thjesht për zbavitje, por nga kjo lojë lindi si rrjedhojë një pasion i shfrenuar për këngën, gjë që më shtyu të marr mësime private për dhjetë vjet të tjera rresht.

Brunilda Ternova: Sipas jush, cila është gjëja më e vështirë për të komunikuar për një artist?

Claudio La Regina: Në qoftë se akti i komunikimit nuk ka një mesazh në vetvete, atëherë do të thotë se i mungon historia, i mungon ideja, i mungon akti i të rrëfyerit dhe i përvojës së dobishme. Nuk mund të flasim për komunikimin sikur të ishte një objekt pa një mesazh të qartë, pasi në atë rast, komunikimi transformohet në një guaskë boshe. Rregullorja, nëse mund ta quajmë kështu në rastin tim, është që të jem në gjendje të shpjegoj përmes muzikës thjeshtësinë e jetës. Shpesh ndodh që njerëzit kanë tendencën t’i komplikojnë gjërat dhe për këtë arsye, si rrjedhojë, komplikojnë edhe jetën e tyre në mënyrë të ekzagjeruar. Si artist, duhet të jesh në gjendje ti bësh njerëzit të kuptojnë se kur fshihen pas përdorimit të drogës, pas shishes së alkoolit ose të diçkaje tjetër nuk është se i zgjidhin problemet e tyre, por përkundrazi i zmadhojnë akoma më shumë – qofshin ato probleme ekzistenciale ose të ndonjë natyre tjetër.

Është e rëndësishme të kuptohet se nuk duhen keqtrajtuar njerëzit pa mbrojtje si femrat, fëmijët, të moshuarit, etj., për t’u ndier të fortë e për të kënaqur egoizmin për “superioritet”. Unë besoj se njerëzit e këtij lloji nuk kanë kuptuar se për çfarë shërben vërtet jeta dhe se çfarë kuptimi ka ajo, sepse është dialogu mjeti i vetëm i komunikimit që i kundërvihet çdo forme dhune. Kur jeta të vë në frontin e vendimeve të rëndësishme ose kur të “godet dhunshëm” duke të fundosur e “shkallmuar” ekzistencën në atë masë sa nuk dëshiron të reagosh, pikërisht ai është momenti kur duhet të reagosh, të ngrihesh e të ecësh përpara edhe në qoftë se rruga është e vështirë dhe e pjerrët. Duhet të rrëzohesh në mënyrë që të kuptosh sesa je i aftë për t’u ringritur sërish.

Të shkosh kundër rrymës në shoqërinë e sotme nuk do të thotë të jesh i rrëmbyer, të mos respektosh rregullat ose të jesh moskokëçarës ndaj gjithçkaje e ndaj të gjithëve. Mund të jesh i fortë edhe kur qan, dhe një person i cili është i aftë të shfaqë haptazi emocionet dhe ndjenjat e tij duke derdhur edhe lot për diçka në të cilën beson, qoftë ajo një dashuri, një pasion, apo diçka tjetër, është vërtet një Qenie Njerëzore. Por për të bërë këtë gjë duhet të jemi njerëz inteligjent, sepse inteligjenca është aftësia për të zgjidhur problemet e jetës.

Brunilda Ternova: Si lindi ideja për të marrë pjesë në Festivalin e 48° Kombëtar të Tiranës në vitin 2009 dhe pse pikërisht me këngën “Ave Maria” në gjuhën arbëreshe?

Claudio La Regina: Në repertorin e këngëve të kompozuara nga vëllezërit arbëresh Scaravaglione gjendej edhe kënga e mrekullueshme “Ave Maria”, me të cilën u dashurova marrëzisht dhe kërkesa ime për ta interpretuar u pranua pozitivisht prej tyre. Kënga trajton tragjedinë e vitit 1997, kur një anije me emigrantë shqiptarë që ndodheshin në bordin e saj, fundoset në ngushticën e Otrantos. Pas fitores në Festivalin e Këngës Arbëreshe (2007) i shpreha Francesco Scaravaglione-s dëshirën për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Tiranës, duke marrë parasysh faktin se ata kishin qenë pjesëmarrës vite më parë. Ai me keqardhje u shpreh se nuk i kishte ruajtur kontaktet, por se do gjenim një mënyrë për t’i dërguar pjesët muzikore për përzgjedhjen në Festival. Pas dy muajsh kërkimi patëm mundësinë të gjenim adresën elektronike të Festivalit, ku dërgova tri këngë, e nga të cilat u përzgjodh pikërisht “Ave Maria”.

Kjo këngë u pëlqye shumë nga mjeshtri Selim Ishmaku, që për më tepër, kur mbërrita në Tiranë më trajtoi sikur të isha nipi i tij, duke u përkujdesur për mua e duke zgjidhur çfarëdolloj problemi që mund të kisha. Gjithashtu një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe zonja Tina Tafa e Radio Tiranës, e cila u tregua shumë miqësore dhe e sjellshme. Nga përvoja e Festivalit të Tiranës kam mësuar shumë. Përjetova dhe njoha nga afër realitetin shqiptar për të cilin kisha dëgjuar kur isha akoma fëmijë nga rrëfimet e emigrantëve shqiptarë që jetonin në Spezzano Albanese. Falë rrëfimeve të tyre, ndërsa më flisnin për jetën që zhvillohej në Shqipëri, kam dëgjuar për herë të parë edhe për Festivalin Kombëtar të Këngës. Dhe kur pikërisht unë u prezantova në po të njëjtën skenë bashkërisht me artistët më të mirë shqiptarë, për mua kjo ishte një ëndërr që më në fund bëhej realitet. Le ta themi midis nesh: kur isha në skenë, këmbët më dridheshin nga emocionet.

Brunilda Ternova: Do t’ju gjejmë sërish në Shqipëri në vitin 2011 për të marrë pjesë në Festivalin e 50° Kombëtar, dhe këtë herë me këngën “Kur Te Pasha” me muzikë te Francesco Scaravaglione. Fshihet ndonjë histori e vërtetë me rëndësi personale prapa kësaj kënge aq sa të zgjidhej për të konkurruar në një aktivitet artistik të këtij kalibri?

Claudio La Regina: Kënga “Kur Te Pasha” në fakt është shkruar dhe kompozuar nga Francesco Scaravaglione, por në kohën kur u zhvillua Festivali, u transkriptua gabimisht sikur unë isha autori i tekstit. Vetë autori, Francesco, më ka shpjeguar se kënga është e lidhur me një histori të vërtetë e shpreh gjendjen shpirtërore të dashurisë dhe pasionit për një person të rëndësishëm të jetës së tij. Kënga i është dedikuar bashkëshortes së tij, takimit të tyre të parë dhe çfarë përfaqësonte ky takim për autorin. Pra bëhet fjalë për vetëdijen e lindjes së një dashurie të madhe që do të zgjasë përgjithmonë.

Brunilda Ternova: Nga e merrni frymëzimin për të shkruar tekstet dhe për të krijuar këngët tuaja?

Claudio La Regina: Frymëzimin e marr nga çdo gjë që më transmeton emocione, nga natyra, nga thjeshtësia e gjërave, nga një pikë loti apo nga një buzëqeshje, nga vështirësitë dhe nga historitë e përjetuara përgjatë udhëtimit të jetës, etj. Nuk jam në gjendje të them saktësisht se ku e gjej frymëzimin, sepse ndonjëherë thjesht ndodh e më së shumti ndodh pa e kuptuar edhe unë vetë. Ndonjëherë shkruaj diçka dhe më ndodh të pyes veten i habitur: “Po kjo nga më erdhi?”. Mundohem gjithmonë nëpërmjet muzikës, emocioneve dhe teksteve të mia të sjell pak ngjyra aty ku gjithçka është e venitur, pak paqe aty ku ka shumë melankoli, t’u sjell një gjendje të re shpirtërore atyre që më dëgjojnë duke marrë shtysë nga një reflektim apo nga diçka tjetër. Për mua nuk është e rëndësishme të fitoj në festivale ose konkurse, sepse unë fitoj sa herë që arrij të përcjell një emocion dikujt tjetri, sa herë që lexoj entuziazmin në sytë e atyre që dëgjojnë atë që kam shkruar dhe që këndoj. Për mua është e rëndësishme të jap diçka nga vetja, jo vetëm si një artist, por edhe si njeri. Mirëpo nuk e di nëse ia dal mbanë gjithmonë.

Brunilda Ternova: Është e vërtetë se teknika dhe interpretimi janë dy aspekte të pandashme për një këngëtar?

Claudio La Regina: Unë besoj se teknika dhe interpretimi janë dy gjëra të ndryshme, por nëse përdoren mirë mund të shkrihen shumë bukur me organin vokal. Teknika rrjedh nga studimi dhe përgatitja didaktike, dhe një teknikë e mirë rrjedh nga një studim i plotë dhe me shumë sakrifica. Ndërsa interpretimi mendoj se është më shumë subjektiv, sepse lind nga ndjenja, nga veçoria e zërit, nga thellësia e shpirtit dhe nga çfarë është në gjendje të komunikojë zemra përmes mjetit të komunikimit që në këtë rast është “zëri”. Interpretimi nuk ka nevojë për një zgjerim vokal maksimal edhe pse është kënaqësi të dëgjosh një këngëtar i cili ka një shtrirje të bukur vokale. Por ama, të kesh një shtrirje të madhe vokale pa pasur dhunti interpretuese nuk shpie gjëkundi dhe saktësia është e pavlerë, sepse të duhet Origjinaliteti. Por ky është vetëm mendimi im modest dhe mënyra ime e të parit të gjërave.

Brunilda Ternova: Cilat janë vështirësitë që përball një artist i ri në Itali dhe cilat janë problematikat përkatëse? Është e vërtetë që vetëm muzika e mirë në ditët e sotme nuk është e mjaftueshme për të krijuar bazën e suksesit të një artisti – pavarësisht nëse ka apo jo talent?

Claudio La Regina: Vështirësitë e hasura nga një artist i ri në Itali janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga skarciteti i vlerësimit të talentit, nga mungesa e hapësirave dhe nga ingranazhi shtypës i parasë – në kuptimin se edhe n.q.s. ke talent, por nuk ke të njohur e para, nuk realizon asgjë, stacionet radiofonike nuk i mbështesin talentet e reja por gjithmonë transmetojnë artistët e mirënjohur; shtëpitë diskografike të kërkojnë që ta vetëfinancosh projektin tënd dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë edhe mund të bisedohet, etj. Këtë e vërteton fare mirë Festivali i Sanremos, pjesëmarrja në të cilin kushtëzohet nga fakti nëse ke ose jo një shtëpi diskografike që të paguajë për pjesëmarrjen tënde. Diçka krejt ndryshe në Festivalin Kombëtar të Tiranës, i cili sipas mendimit tim nuk ka asgjë për t’i pasur zili Sanremos italiane.

Po të tregoj një ngjarje që më ndodhi para pak ditësh në mënyrë që të shpjegoj më qartë atë që dua të them: ndodhesha në një stacion privat radiofonik (emrin e të cilit preferoj të mos e zë në gojë) në Italinë Veriore, për të pyetur nëse mund të transmetonin disa nga këngët e mia dhe përgjigja ishte se këtë gjë mund ta bënin vetëm përkundrejt një pagese (të cilën e konsideroj edhe të drejtë). Atëherë i pyeta se si mund të bëhen të njohur artistët e rinj, nëse stacionet radiofonike nuk u japin atyre mundësinë për të transmetuar këngët në radio, sidomos, në mungesë të burimeve financiare për të paguar transmetimin. Reagimi nga ana e përfaqësuesve të stacionit të radios ishte kjo: “Nëse unë vendos të transmetoj këngët e tua dhe ti bëhesh i famshëm, atëherë kush më paguan mua?”. Nga kjo mund t’i nxjerrësh vet konkluzionet.

Brunilda Ternova: Sa e njihni muzikën shqiptare dhe çfarë mendoni për rrymat e ndryshme muzikore në Shqipëri?

Claudio La Regina: Kam dëgjuar më shumë muzikën popullore folklorike që ka origjinë shumë të lashtë e që dallon midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë. Është një lloj i veçantë muzikor, i lidhur ngushtë me identitetin e vet kulturor dhe që zhvillohet në këngë që flasin për historinë, për heronj kombëtarë e në këngë të tjera më të ëmbla që flasin për dashurinë, për punën, etj. Është një muzikë që falë infleksionit tipik të sjell në mendje në mënyrë të pashmangshme zonën ballkanike. Nuk e njoh dhe aq mirë muzikën klasike, por di se ka lindur në vitet ‘20 dhe përfaqësuesi i saj më i madh është padyshim Zadeja.

Në vitet e fundit, muzika shqiptare ka pësuar shumë ndikimin e muzikës perëndimore dhe si rezultat kanë lindur shumë grupe rock, pop, hip-hop dhe rap. Në Festivalin e Këngës në Tiranë pata mundësi të njoh shumë personazhe të botës muzikore moderne shqiptare si Bojken Lako, Juliana Pasha, Keisi Tola e shumë të tjerë. Muzika është gjithmonë në transformim të vazhdueshëm, por unë mendoj se nuk duhet braktisur origjina jonë muzikore dhe të merret vetëm ajo që na propozohet nga vendet e tjera, sepse kështu nuk përmirësohemi. Unë mendoj se duhet të përpiqemi të lidhim aspektet e vjetra me ato të reja, duke shpikur një zhanër të ri, që ndoshta mund të krijojë interesa të reja, qofshin ato muzikore ose të një lloji tjetër.

Brunilda Ternova: Çfarë dini për Shqipërinë e regjimit komunist?

Claudio La Regina: Di që komunizmi në Shqipëri filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe ana e vetme pozitive ishte se fillimisht, shteti socialist u mundua të rimëkëmbë vendin duke ndërtuar fabrika, rrugë, centrale energjetike etj. Ndërsa nga ana tjetër, në Shqipëri ishte vendosur një diktaturë totalitare e ngurtë që kufizonte në mënyrë drastike lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Duke qenë se unë vetë nuk e kam jetuar një regjim të tillë nuk mund të jap një gjykim objektiv, por duke folur me njerëz të ndryshëm që e kanë përjetuar, di që ishte një periudhë negative për popullin shqiptar.

Brunilda Ternova: Muzika shpesh të ndjell vendet dhe shijet e origjinës së një artisti. Bota arbëreshe është shumë e pasur në histori, kulturë, art e sidomos me muzikë folklorike, madje muzika arbëreshe është kandidate në UNESCO për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit. Personalisht çfarë mendimi keni për këtë trashëgimi kulturore, pjesë e së cilës jeni dhe si i jeni afruar muzikës arbëreshe?

Claudio La Regina: Nuk mund të jetosh pa kulturën dhe pa traditat e tua, pa vendet e tua të origjinës ku je rritur, pa mënyrën tënde të të menduarit e të vepruarit, pa njerëzit e tu dhe kjo është arsyeja pse, bota ime muzikore, është e lidhur ngushtë me kulturën time, pra me të qenurit Arbëresh! Kjo ndikon shumë në formimin tim, qoftë muzikor ashtu edhe në stilin tim të jetës, si pasojë edhe karriera ime preket gjithmonë pozitivisht. Duke qenë arbëresh, përveçse italian, do të thotë se jam më i pasur si në aspektin kulturor ashtu edhe gjuhësor, dhe kjo më bën më shumë të vetëdijshëm për atë që unë jam dhe atë që mund të jem!

Në botën e këngës arbëreshe më kanë afruar vëllezërit Scaravaglione, që vlerësonin shumë zërin dhe aftësitë e mia interpretuese, dhe me të cilët gjatë viteve ka lindur një bashkëpunim i gjatë, që i ka fillesat e veta në vitin 2000. Nisa në këtë mënyrë të këndoja në arbërisht. Në fillim ishte pak e vështirë, sepse ende nuk e flisja gjuhën arbëreshe, meqenëse në familje flitej vetëm italishtja. Për këtë arsye i kërkova prof. Francesco Marchianò – mësues i gjuhës arbëreshe – të më jepte mësime private, dhe nga këtu fillova të këndoja në italisht dhe në arbëresh.

I tërhequr nga kultura, gjuha, zakonet dhe traditat ku bënte pjesë familja ime, dalëngadalë u ndjeva i përfshirë dhe fillova kështu të vlerësoj një realitet të ri. Fillova duke marrë pjesë në Festivalin e 21° të Këngës Arbëreshe (2002) i cili zhvillohet në San Demetrio Corone (Kozenca të Kalabrisë) me tekste komplet të reja, ku dhe fitova vendin e tretë. Gjatë Pashkëve të vitit 2004 këndova në Spezzano Albanese për festën “Madonna delle Grazie” dhe me atë rast, ndërsa zbrisja nga skena, kam takuar Dominico Rotondaro – pronarin e Radio Arbëreshë. Domenico, pasi më bëri komplimentet e tij, më kërkoi t’i jepja një CD me këngët e mia për t’i transmetuar në radio. Kështu, nga ky takim, lindi një miqësi e fortë si dhe nisën transmetimet e para në radio të këngëve të mia në Kalabri.

Në vitin 2007, më lindi ideja për të sjellë në Festivalin e Këngës Arbëreshe një këngë kundër abuzimit të fëmijëve për të rritur ndërgjegjësimin kundër pedofilisë dhe i kërkova Francesco Scaravaglione të shkruante në gjuhën arbëreshe një tekst. Lindi në këtë mënyrë “Kur nget nje krijatur” këngë e cila fitoi në Festivalin e atij viti dhe gjithashtu pati një hapësirë të dedikuar në “National Geographic”. Një pjesë e të ardhurave të kësaj kënge i është dhuruar Shoqatës “Meter – Dalla parte dei Bambini” i Don Fortunato Di Noto. Në verën e vitit 2008 formuam me vëllezërit Scravaglione një grup muzikor të quajtur “Muzikerè” ku këndojmë këngë arbëreshe të shkruara dhe të kompozuara nga ata. Me këtë rast jam njohur me Ferdinando Carlo Patitucci i cili – i interesuar mbi cilësitë e mia interpretuese – më kërkoi nëse doja të merrja pjesë në “Sanremo Giovani”, por unë duke njohur mirë sesi funksionojnë gjërat në atë realitet muzikor, nuk isha i interesuar.

Brunilda Ternova: Përveç konkurseve në gjuhën arbëreshe keni marrë pjesë edhe në gara të ndryshme muzikore në gjuhën italiane. Mund të na listoni disa prej tyre?

Claudio La Regina: Kam nisur të këndoj kur isha fëmijë nëpër sheshe, në lokale dhe konkurse të ndryshme e fillimisht një nga këngët që kam interpretuar ishte “L’acrobata” e Michele Zarrillo, të cilën unë më shumë se një këngë e konsideroj një poezi. Jam përpjekur të zgjedh këngë të veçanta që nuk i këndojnë të gjithë për t’u dalluar në stilin tim, p.sh., në një konkurs kam kënduar “Ti amo ancora di più” te R. Cocciante, në Festivalin e San Marinos jam paraqitur me këngën “L’impossibile vivere” të Renato Zero, etj. Për mua ato ishin si një lloj trajnimi, sepse e ndieja brenda vetes se një ditë do shkruaja këngët e mia. Në vitin 1998 në Festivalin e S. Marinos, jam takuar me mikun dhe basistin Iro Pagano i cili – i habitur dhe entuziast nga pjesëmarrja ime, sepse nuk ishte në dijeni të faktit se unë këndoja – më pyeti pse nuk isha pjesëmarrës në Festivalin Castrocaro. Kur i shpjegova se më duhej të paraqitesha me këngë të reja, e unë nuk kisha nisur të shkruaja akoma, Iro më tha se kishte disa këngë të tijat e nëse më interesonin, mund t’i këndoja.

Nga ky episod filloi bashkëpunimi ynë i gjatë dhe një vit më pas (shtator 1999) isha pjesëmarrës në Festivalin Castrocaro me këngën “Voglio fare un fuoco” të shkruar nga Iro. Kjo përvojë më dha mundësinë për të vetëprodhuar një mini-CD me titull “Un posto per noi” që përmban katër këngë të reja dhe nga aty fillon pjesëmarrja ime në konkurse të ndryshme të këngës italiane. Më vonë kam shkruar këngën autobiografike “Credo che sbagliare sia umano” bazuar në një histori dashurie, ku kuptova se duhet të gabosh për të mësuar nga jeta, por ama jo të ripërsëritësh të njëjtin gabim sërish. Kur kam marrë pjesë me këngën “Dodi” të Iro Paganos në Festivalin “Fuoritempo” të mbajtur në Romë (mars 2003), jam njohur me kantautorin Stefano Manenti dhe mjeshtër Roberto Gori. Këtij të fundit i kërkova arranxhimin e një kënge që kisha shkruar për një gazetare të re kalabreze të vrarë më 9 dhjetor 2002.

Është historia ngjethëse e vrasjes së një gruaje që më preku jashtëzakonisht shumë saqë vendosa t’i dedikoja një këngë që është titulluar “Notte D’Inverno”. Ndërsa me Stefano Manenti me kalimin e kohës, jemi bërë miq të mirë dhe bashkautorë të këngëve tona të ndryshme. Më pas mora pjesë në një emision televiziv në Tele Spazio Calabria ku jam takuar me menaxherin e shtëpisë diskografike “Suoneria Mediterranea” Daniele Sanfilippo, njeri i thjeshtë dhe i përulur, e me të cilin kam zhvilluar në kohë një numër të konsiderueshëm bashkëpunimesh. Në vitin 2004 kam shkruar një këngë kundër dhunës ndaj grave me titull “Dentro una lacrima” me muzikë të vëllezërve Scaravaglione dhe arranxhim të mjeshtrit Franco Poggiali. Ndër këngët e tjera të mia është edhe një dedikuar Papës Gjon Pali II e titulluar “Karol” me muzikë dhe tekst të vëllezërve Scaravaglione.

Kam marrë pjesë në manifestime të shumta artistike dhe thjesht po përmend vetëm disa: në konkursin “Vota La Voce” u klasifikova në vendin e 2°; në “San Remo Nuovi Talenti” u klasifikova në vendin e 1°; në Akademinë e Këngës të Sanremos në shtator 1998; në Festivalin e San Marinos në mars 1999-2000; në Festivalin e Castrocaro korrik 2002; në konkursin “Cantarello 2000” të zhvilluar në Ivrea të Torinos; në konkursin “Festa Degli Sconosciuti” në shkurt të vitit 2001 ku ishin të pranishëm artistët Rita Pavone, Teddy Reno dhe mjeshtëri Paolo Olmi; në Akademinë e Këngës së San Remos në shtator 2001-2002; në Festivalin e Napolit mbërrita në finale në vitin 2002; në Festivalin “Fuoritempo” mbajtur në Romë në mars 2003-2004; mbërrita në finale në edicionin XIV° të Çmimit të Madh të Këngës Italiane “Vetrina per un Disco” (festival për këngë-autorë dhe këngëtarë të rinj) zhvilluar në Romë në nëntor 2005 pranë Nuovo Teatro 33, etj.

Brunilda Ternova: Kush është Klaudio në jetën e tij private dhe në kohën e tij të lirë? Cilat janë pikat tuaja të referimit në jetë? A keni ndonjë pasion tjetër përveç muzikës?

Claudio La Regina: Pikat e mia të referimit janë familja ime, që më mbështet gjithmonë në çdo vendim që marr, dhe miqtë e mi të vërtetë që janë shumë të paktë. Pa mbështetjen e tyre mendoj se nuk realizon asgjë, pasi është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme të kesh dikë ku të gjesh mirëbesim për të hapur zemrën, gjë që të shërben edhe për rritjen tënde personale. Ndonjëherë, kam edhe momente kur dua të rri vetëm për rritjen time shpirtërore, sepse n.q.s. nuk arrin të ndihesh mirë “vetëm me veten tënde” nuk do arrish kurrë të ndihesh mirë “në mes të njerëzve të tjerë”. Në jetën private jam një njeri miqësor me të gjithë pa përjashtim, jam shumë shoqërues dhe nuk e mbaj veten me të madh edhe pse disa thonë të kundërtën – por s’ka ndonjë problem.

Maksimumin tim e nxjerr në pah në momentet më të vështira të jetës, sepse është e lehtë të duash dikë ose ta kesh mik kur gjithçka shkon mirë. Nëse dikush si miqtë, familjarët, personi që dua dhe që është i rëndësishëm në jetën time, ka nevojë për mua, jam i pranishëm për ta ndihmuar. Nuk toleroj falsitetin dhe gjysmë të vërtetat, preferoj më shumë një të vërtetë të shëmtuar se sa një gënjeshtër të bukur. Në rrjedhën e jetës sime kam mësuar mbi kurrizin tim të jem i duruar, të mos gjykoj, të mos marr asgjë për të dhënë sepse askush nuk më ka ndonjë detyrim, prandaj impenjohem me shumë sakrificë dhe përkushtim, duke derdhur lot dhe djersë në çdo gjë që bëj.

Përveç muzikës, një nga pasionet e mia është edhe sporti, praktikisht Body Building dhe Footing. Kohën time të lirë, më pëlqen ta kaloj mbrëmjeve në shoqërinë e miqve, duke bërë shaka e duke rikujtuar kohët e vjetra – kur ende nuk ekzistonte e gjithë kjo teknologji që na bën më pak të pranishëm fizikisht e shumë më tepër virtual.

Brunilda Ternova: A keni ndonjë projekt të veçantë që do dëshironit të realizonit ose që përfaqëson një aspiratë për ju? Në të ardhmen do kemi mundësi të shohim ndonjë album të ri, ndonjë bashkëpunim të ri artistik apo turne në Itali, në Shqipëri e gjetiu?

Claudio La Regina: Aktualisht, kriza ka prekur nga pak të gjithë sektorët e jetës në Itali, duke përfshirë edhe atë të muzikës, megjithatë, jam duke punuar mbi disa këngë të reja dhe njëkohësisht në disa projekte. I gjithë kapaciteti im krijues për momentin është i përqendruar gjithmonë rreth muzikës, ndërsa për pjesën tjetër të pyetjes tënde me të parë e me të bërë në të ardhmen.

Brunilda Ternova: Një mesazh për admiruesit tuaj dhe lexuesit e kësaj interviste.

Claudio La Regina: Të jenë gjithmonë vetvetja, edhe sepse të bësh një zgjedhje të tillë është një rrugë që jo të gjithë dinë ta përshkojnë. Nuk është ajo që mendon se je – e aq më pak ajo që ke, – por është ajo që realizon në jetë, që të kualifikon, të jep vlerë dhe të shpërblen në të njëjtën kohë.

Brunilda Ternova: Faleminderit Klaudio!

Claudio La Regina: Faleminderit ty dhe gjithë atyre që na mundësojnë ne artistëve të rinj të përçojmë tek të tjerët artin tonë, pasionin tonë e mbi të gjitha personin tonë. Faleminderit!

Itali, 23 shkurt 2013