Shkruan: Florim Zeqa, 13.05.2020
Në kohën kur politikanët kosovarë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e krizës institucionale, përkatësisht zgjidhjes së ngërçit politik të krijuar pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’, Serbia dhe Rusia po i koordinojnë veprimet e tyre për ndarjen dhe ripushtimin e Kosovës!
Deklarata e ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko për një rezolutë të re për zgjidhjen përfundimtare për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është goditja e radhës që merë politika e përgjumosur kosovare.
Në vend që politikanët kosovarë (shqiptarë) të marrin iniciativën për heqjen e Rezolutës 1244, (e cila parasheh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë), për t’i hapër rrugë anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), ata po e vazhdojnë betejën politike në mes tyre, se cili ta merrë pushtetin në gjysëm shtet!
Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, ka deklaruar kështu; “Një zgjidhje përfundimtare për Kosovën duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke miratuar një rezolutë të re që zëvendëson Rezolutën 1244, …vëmendja e vazhdueshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj Kosovës është një nga parakushtet për rregullimin e problemit, …për çfarëdo ideje, siç është edhe ajo për ndarjen e Kosovës, mund të vendosin vetëm Beogradi dhe Prishtina, …kriteri kryesor për neve është që zgjidhja të jetë e pranueshme për Serbinë, …Serbia ka mbështetjen e Rusisë në organizatat ndërkombëtare për qëndrimin e saj dhe refuzimin për të njohur pavarësinë e Kosovës” (përfundon citati).
Pas kësaj deklarate të ambasadorit rus në Serbi, ishte dashtë të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të mobilizuar të gjithë mekanizmat kombëtar, për të analizuar situatën para së cilës ndodhet Kosova, si dhe për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet diplomatike dhe lobin shqiptaro-amerikan në radhë të parë për pengimin me çdo kusht të një rezolute të tillë.
Mbase as kjo deklaratë e ambasadorit rus nuk ua prishë ëndërrat për pushtet politikanëve pasiv kosovarë, pasi të njëjtit mendojnë që edhe kjo është ëndërr sikurse ajo puna e ujkut dhe deles.
Ne, edhe në rrethana normale nuk kemi pasur diplomaci efikase dhe as politikë të jashtme të mirëfilltë që merrë nisma për një rezolutë të re në KS të OKB-së që njehë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, e lërë më tani, kur ajo fare nuk ekziston.
Ne mburremi që kemi Ministri të Punëve të Jashtme vetëm në letër dhe ministër që nuk del për asnjë vizitë jashtë vendit, mburremi që kemi Ministri të Integrimeve Evropiane dhe ministër që asnjëherë nuk ka dalë nga zyra e tij, por asnjëherë nuk jemi të gatshëm të pranojmë dështimet dhe pasojat e mos punës së tyre.
Pra, kemi ministra në detyrë që nuk e kryejnë asnjë punë të mirë për vendin, por ne çuditërisht i lavdojmë dhe mburremi me ta!
Dikush edhe mund ta justifikojë mospunën e ministrave në detyrë me situatën e “Coronavirus”-it, por askush nuk mund ta arsyetojë heshtjen e ministrave dhe kabinetit qeveritarë përballë agresionit politik të Serbisë.
Në vend të kundërvënjes së nismave serbe kundër Kosovës, ka ndodhur e kundërta, ka ndodhur relativizimi i Serbisë me heqjen e tarifës, pranimin e ndihmave humanitare (1000 testeve për “Covid-19) dhe personelit mjekësorë nga shteti armik i Kosovës!
Se a ishte kjo pasojë e naivitetit politik të kryeministrit në detyrë apo diçka tjetër më e keqe se kjo, mbetët të vërtetohet në të ardhmën e afërt.
Mirëpo, nga ajo që po shihet në horizont, bashkë me pushtetin e ri, Kosovës po i servohet edhe një rezolutë e re në OKB, e cila do të jetë pak më e “ëmbël” sesa Rezoluta 1244.
Për më tepër se rezultat i agresionit politik të Serbisë, deri tek kjo rezolutë po vie shkaku i mungesës së politikës së jashtme dhe i përkeqësimit të pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në kohën kur Kosovës i mungon qeveria fuqiplote, kur i mungon stabiliteti politik dhe forca mbrojtëse (ushtria moderne dhe e armatosur), e vetmja mundësi për të dalë fitimtarë në përballje me Serbinë, është ndërlidhja e interesave tona me ato amerikane në Ballkan, që i bie, nëse arrijmë t’i shfrytëzojmë gërshëtimet e atyre interesave do t’ia arrijmë të përmbyllim dialogun me Serbinë në favorin tonë , në të kundërtën, na pret zgjidhje e dhimbshme dhe tepër e hidhur.
Në pamundësi për të ndalur agresionin politik të Serbisë, politikanët kosovarë, tërë (pa) fuqinë e tyre do ta drejtojnë kundër vetë-vetes, duke e shpallë tradhëtarë njëri-tjetrin, duke mos lënë njeri të ndershëm e të pastër në këtë vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk është se mbanë përgjegjësi për tërheqjen e 18 njohjeve dhe as për degradimin e politikës së jashtme të Kosovës në këto tri vitet e fundit, por mbanë përgjegjësi për moskoordinimin e veprimeve me aleatin numër 1 të vendit tonë, me SHBA-të dhe për mos sjelljen e asnjë njohje ndërkombëtare për tre muaj të qeverisjes.
Votimi eventual i një rezolute të re në KS të OKB-së për Kosovën sipas orekseve ruso-serbe do të ishte disfata më e madhe për kryeministrin në detyrë, për presidentin, për politik-bërjen kosovare dhe shtetin në përgjithësi.