Poezi nga Mustafa SPAHIU

0
364
Mustafa Spahiu

Nga Mustafa SPAHIU

GRAMI I
(Agropyrym repens)

Që nga lashtësia në viset tona
je shtrirë për tokë shekujve
para Arbor Vitae-s

E virgjirtë dhe fshehurazi pa dhembje
me durimin e shpon gurin
del zogu nga guri e bëhet kasnec
pranvere në tokat diellore të pellazgëve

Nëntë vjetë grami ruan në kërcell
etjen e ëndërruar për një lot që ronitet
nga rrezet e diellit rrotullohen përpanjat
prore të gjejmë nën strehë, argatët të urrejnë
sinoreve dukesh kandil para erës
me kërcell të nyjëzuar s’ia ke frikën drapërit
për sirenat e tehut të kosës bëhesh gjarpër
nëpër gjethet tua kot zhgrehen rrufenat
prandej rritesh e shëndetshme një mijë vjet
në viset e bukura përbrenda bebëzave të natyrës.

GRAMI II
(Agropyrym repens)

Në shijavinë shtohesh para blerimit
i ndalë dallgët e pikëllimit, thatësisë
nëpër zgavrat e legjendës përbirohesh

Në pranverë je kasnec nën fyell bariu
të kullosin grigjat e dashurisë
rritesh pas thundrave përplot dëshira
vërshon në drejtime e kahe në tokën bukanike

Zogjtë fluturojnë e ta marrin nga një gjeth
për ta mpreh sqepin për melodi, metafora
këndojnë me fëmijët në odat tona
grami është personifikimi ynë.

Gram të urrejnë bujqit, kopshtarët, jevgjit
të përbetohen se kanë për të zharitur
gratë të ngarendin në natën me xixëllonja
s’mund ta ndalin rritën
ti rritesh dhe në dhëmbin e kuçedrës
të quajnë ndjellakeq mbin nën thundrën e pelës
në përqafimin e agimeve e ndjek vdekjen
në behar e acar ta përmendin emrin
të gjejmë në pragun e derës kinse të harruar
Barërat ta kanë frikën profilin e pakufisë
s’kanë fjalë që të përshkruajnë.

GRAMI III
(Agropyrym repens)

Në dromcën e shekujve e krijon oazën e bukurisë
Ty s’të krijuan alkimistët, as magjistarët
as ekspeditat shkencore të florës
ma fal mençurinë dhe durimin
të rigjenerohem nëpër stinë.

Ti rritesh në mes mishit e thoit
aty gjenë një gisht dhè kjo ringjallje
epokale i thërret zogjtë shtegëtarë
vërsulesh nëpër gardhe kacabujve ua ndalë hapin
Je vegim e fantazi për skilet e muzgut
zjarri të kaplon me gjuhën e flakëve, feniks
Në erën e jugut këndon me kitarë
furtunat e tërbuara dhe ngjyrat e ullirit
stinëve stivohesh ngjallesh sërisht
nuk të mashtrojnë enigmat e skëterrës

Me tokën je lidhur si Anteu
gjethet i ke si vetulla e vashës
të harmonisë virgjër
të puthjes e heshtjes

Me vargje e shkruaj lashtësinë e shtrirjes
as kobi, as e liga nuk të frikëson
Kot të vardisen për zhbërjen tënde
ti pinjolla krenare në dyluftim.

Tetor – nëntor 2008

B l i r i
(Tilia)

Le ta qartësojnë – ata – që i kanë dy dërhem tru,
enigmën të zbardhin: a është bliri lule ose dru?!

Thekut të stinës së acartë, mnertë ëndrron gjelbërim
natyrisht si çdo dru gjakon të stoliset në lulëzim!
– Kur pranvera para verës shprushet me ngazëllim, –
bliri mbushet lule – kurora të magjepste me amësim…

Atëherë kurora – dukat shndërrohet në ëmbëltore,
mbushen kosheret pjalmim, ëndërroi mjaltë blete;
buzët e vashave, shëmbëllejnë n’bletë punëtore,
në pesë bjeshkë e, në shtatë fshatra fama ju vete…

Tevona bliri molepset nga vapa përcëlluese e verës,
bliri si gjethet e shpendrës i lënduar rri n’pikëllim
dhe vjeshta në kurorën e blirit e zbraz gofin e erës
futet si finoke gjetheve dhe degëzave në dëshpërim…

Bliri sërisht me rrudha, s’i trembet kobit, gjatoshi dru
me ngricen e stinës rroket fytafyt, ngadhnjyes përherë!
Dielli me rrezet e vakta blirit i futet deri në gju –
vjen stinë e mrekullueshme – tërheqës në pranverë!

Për këtë arsye dritë e fanarit le të rrezojë në tru,
enigmën ta zgjidhim: a është bliri lule ose dru?!

E enjte, më 30 prill,
E premte, më 1 maj 2009

Shkup