Kroi i Mato Llacit, në Lepenicë të Vlorës

0
540
Lepenicë, Vlorë

Nga Luan I. MEMISHA

Kështu quhet një përrua në Lepenicë të Vlorës, vendlindja ime. Mato Llaci ka qenë një fshatar lepeniciot, që, në këtë përrua kishte ndërtuar një mulli me dy gurë, në të cilin bluante i gjithë fshati dhe të tjerët përreth. Ky përrua mori emrin e Mato Llacit, këtij banori autokton të Lepenicës, prandaj sot quhet përroi Matollacit.

Një emër që u ngulit në memorien e këtij fshati dhe në toponimet historike-gjeografike të krahinës. Ai buron nga Mali i Quramëngës, mbi fshat, dhe merr me vete shumë burime të tjerë nga ujrat borëshkrira të malit. Nga ky përrua vaditen tokat në fushën e fshatit dhe kopshtet e pemët rreth shtëpive, në këmbët e malit të fshatit.

Matollaci është kroi i fshatit tim të lindjes, që buron nga zemrat e shkëmbinjve të malit të, Qurmëngës, dhe duke ardhur poshtë me rrëmbim merr me vete dhe disa burime të tjera si: burimin e Krivovës, pronë e fisit tim Memishaj.

Burimi i Dafinës, ka një histori më vete, ai që e ka ndërtuar këtë burim i vuri emrin e vajzës së tij, që mori hak për vëllanë e saj.

Të gjithë këta përrenj, më kryesori i Matollacit, vëllazërohen edhe me ujrat e borës, që shkrin gjatë muajve prill e maj, dhe të gjithë së bashku bëjnë edhe bashkimin me lumin e Shushicës.

Kroi i Matollacit e ndan fshatin mes për mes, dhe ka ujë të ftohtë edhe nga këto burime, aty mbushin ujë gratë dhe vajzat e fshatit. Burimet e shumta kanë marrë emrat e atyre, që i kanë ndërtuar.

Te burimi i fshatit në kroje, mbushte ujë dhe gjyshja ime, Velide Memisha, që fshati i fliste Dede, që përfaqësonte një plakë të urtë dhe të ditur. Ajo më mirrte shpesh mua përdore dhe mbushnim ujë te përroi i Matollacit, që zbret me shpejtësi e me dredha nga lart në fund të fshatit, ku qetësohet e ndërpret vrapin e tij, vazhdon më poshtë duke ndërprerë xhaden nën vete dhe derdhet në një rezervuar, ujëmbledhës i ndërtuar nga vetë fshatarët, që ne e quanim Pus i Fshatit. Ky pus ishte ndërtuar që në kohën e Turqisë nga fshatarët rreth vitit 1876-1880, ustai kryesor ka qenë ndërtuesi duarartëtë Sefer Meço i parë, i ati të ndjerit Meço Seferi, të cilin e kam arritur dhe unë.

Sefer Meçua i parë, që kish ndërtuar pusin dhe më vonë i biri i tij, i mirënjohuri Xha Meço Seferi, kur bëhej vaditja e arave të fshatit, hidhej shorti, dhe ai mirrte një rradhë më shumë se të tjerët për vaditje, si ndërtues i pusit ujëmbledhës.

Ujët kalonte nën xhade rreth 30-40 metro dhe merrte fushën e fshatit tutje për vaditje.

Vetëm Fusha e Fshatit vaditet nga Pusi i Fshatit që grumbëllon ujët e kroit të Matollacit. Emri i Matollacit që quhet dhe kroi ka lidhje me fshatarin Lepeniciot, Mato Llaci. Ky është një fis që jeton dhe sot. Këta kanë ndërtuar edhe një mulli të vjetër, që me kalimin e kohës e trashëgoi i biri Çelo Llaci dhe sot i themi Mulliri i Çelo Llacit. Këtë person e mbaj mend dhe e kam njohur, se ka ndërruar jetë në kohët tona kur ne ishim fëmijë. Njëra nga burimet e fshatit në kroje quhet Burimi i Fshatit dhe përdorej për ujë të pijshëm dhe të bollshëm. Rrugët që të çojnë në përrua janë disa.

Në këto rrugë venë e vijnë banorët për ujë me enët në duar, në formë shëtitje ditën dhe në mbasdite, me buciela e matara, pagure, kazan e magje, sipas nevojave të ditës por edhe për tu larë. Aty vijnë gra e vajza, shoqet e tyre ose të afërm të lodhur nga punët e ditës, të familjes, duke biseduar e shkëmbejnë përshendetje. Këto takime, përveç mbushjes së ujit, një detyrë e përditshme, është dhe një lloj argëtimi e pushimi sado i shkurtër.

Në darkë, ato bëhen grupe-grupe të vogla e në perëndim të diellit e në dalje të hënës, bisedojnë e pse jo ja thonë edhe kengës, ison e së cilës e mban edhe kroi i Matollacit dhe burimet e fshatit me zhurrmën e tyre karakteristike, që përhap jehonën nëpër shtëpitë e fshatit të lartë të malit të Quramëngës ku çobanët ruajnë kopetë.

Matollaci, që kur është krijuar dynjaja. Kroi i fshatit i “njeh” të gjithë banorët e fshatit, edhe ato gra e vajza që vijnë aty për të mbushur ujë, ai i mirëpret dhe u sjell gjithnjë ujë të freskët.

Ai i ka parë ato vajza që të vogla dhe tani që u rritën e mbushin ujë, gratë i ka njohur nuse dhe i ka parë duke u plakur, ai pasi përshkon gurët e shkëmbinjtë mbi fshat, më poshtë qetësohet e “mban mend” kujtimet dhe të gjithë fytyrat e tyre. Ai krua është banor më i vjetër i fshatit tonë jeton dhe rrjedh me hallet e dertet e tyre, i shoqëron ata në të mirë e të keqe. Ai ka parë dhe ka në memorjen e tij, të gjithë të kaluarën e Lepenicës dhe banorëve të saj, ai gëzohet e mallëngjehet bashkë me ta.

Kënga e Kroit të Matollacit shndërrohet në gëzim luginës nën hijen e rrepeve dhe pemëve të shumta, ku zhvillohen dhe biseda të ndryshme, kuvende të kohës midis fshatarëve e miqve të tyre. Në malin e Quramëngës lart mbi fshat kanë burimet Matollaci, Siloraku, Fiteci, burimi i Kartës, përroi i Urës së Zonjës.

Të gjithë Quramënga, Stogoi, Çika, Kalbaqi, Çipini, Bogonica e Beuni, që të zëna dorë për dore hedhin valle dhe burimeve u japin jetë me ujrat e shkrira të borës, gjithashtu së bashku me diellin u japin jetë e gjallëri banorëve të labërisë.

Matollaci, priste e përcillte njerëzit, u shuante etjen e grumbulluar, vadiste arat, që të shtohej bereqeti. Edhe sot që shumë lepeniciotë janë larguar nga fshati, kroi i Matollacit është prap aty, si më parë, rrjedh ditë e natë.

Ujët është vet jeta, edhe ai krua u jep jetë lepeniciotëve, ku jehona e tij duke u përzier me këngët dhe bisedat e të rinjve duket sikur të fton në freskin e tij, që rrjedh prap ditë e natë dhe është në zëmër e në mëndje të fshatarve, i madh e i vogël, ai jeton, ai ka vetëm një fillim nga zoti, nuk ka kurrë shterim.

Ai sjell me vete ujët e borës nga harcat e gurrat e malit të Quramëngës.
Fshatarët e Lepenicës kanë veç e veç kujtimet e tyre të pa shlyera e të grumbulluara në një shtresë malli të madh e të largët që rrjedh e shtohet si vetë ujët e ftohtë të Matollacit. Edhe unë e kujtoj me mallë të madhë atë krua, se unë do vete patjetër prap në atë krua, dhe të tjerë do vijnë se ata i merr malli njësoj për atë krua, kështu më duket mua.

Matollaci i njohu djemtë dhe vajzat të vegjël dhe i bëri burra, vajzat i priti e i përcolli nuse.
Matollaci do të rrjedhë duke u dhënë jetë brezave. Kroi i Matollacit, pret njerëzit t’u shuaj etjen me borën e shkrirë të malit të Qurramëngës përmbi Lepenicë.

Në kroje të Lepenicës, 3 gusht 2006.

Dërgoi për publikim, Enver Memisha, gazetar