Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Zh
Mesditë e së shtunës. Unë me mamin po ktheheshim nga teatri i kukullave. Rrugës në kalldrëm, mes shtëpish të vjetra, dykatëshe, me divan, takova shoqen e lagjes, Zherianën.
– Shikoje, – ia bëra, – shtëpia prapa shpinës sate ç’divan të bukur ka…
– Divan do të thotë ballkon i mbuluar në hyrje të shtëpisë ose në katin e dytë. A është kështu?
– Në divan, verës dilnin burrat apo gratë dhe aty flinin, në ajër të pastër dhe të freskët, por atëherë qyteti ishte i vogël. Nuk kishte vetura, nuk kishte tym, as pluhur.
– Dea, – ma ndërpreu fjalën Zheriana. – Kjo është ora, që më ke premtuar të dalim te këndi i lodrave e të luajmë?
– Ashtu është, por më duhet të përfundoj një punë më parë, ta ushtroj shkronjën Zh, – ia ktheva.
– Unë e Zhulieta bukur gjatë mësuam në kopsht, pastaj bëmë përpjekje ta shkruanim dhe nga një tregim të shkurtër me shkronjën Zh, – tha Zheriana
– Eh, unë pikërisht në këtë gjë mendoja. Unë ende nuk e kam shkruar tregimin…
-Pse?
– Unë isha në teatër dhe shikova një shfaqje të bukur. Ja pse nuk i kreva detyrat më herët, ja pse nuk e shkrova tregimin!
– E shkruan më vonë, Dea.
– Jo. Do ta shkruaj njëherë, pastaj luajmë, – eca rrugës kokulur.
– Shko luaj, e ke gjithë të dielën për të mësuar, – tha mami.
Unë ktheva kokën dhe e shikova Zherianën. E thirra e ajo m’u afrua.
– Dëgjo, – ia bëra, – shumë kohë më parë ka qenë një lumë i madhe dhe i rrëmbyeshëm. Për të kaluar lumin ka shërbyer një urë e ylbertë e ndriçuar nga dy zhagalan. Urën e ka ruajtur një xhuxh i quajtur Zhabzhyrr, dhe i veshur me një zhakë të lidhur me një litar në mes.
– Pse e quanin Zhabzhyrr? – tha Zheriana.
– Sepse nuk i kushtonte rëndësi veshjes dhe pastërtisë, por qe mendje-zgjuar!
– Zhabzhyrr,do të thotë njeri i pa pastër, i veshur me zhakë, që është një thes prej liri…
– Pikërisht ashtu, – thash unë.
– Vazhdo të lutëm me tregimin për urën e ylbertë.
– Urën nuk mund ta kalonin të gjithë, sepse rojtari-xhuxhi Zhabzhyrr nuk i lejonte po të mos ia dilnin të jepnin përgjigje të sakta në pyetjet ose gjëzat e vështira, që ua shtronte…
– E më pastaj, çfarë u bë? – më shikoi me kureshtje, me gojë të hapur e sy të zgurdulluar Zheriana.
– Një herë, princeshat Zhuliana dhe Zhermina iu afruan urës, me dëshirë që të kalonin matanë lumit, nëpër urë. Zhabzhyrr iu shtroi në gjëzë, të cilën ato duhej ta zgjidhnin, përndryshe ai do t`i hidhte në pusin e madh ku mbante të lidhur një zhapi gjigand e me krahë të mëdhenj…
– Të isha unë Zhabzhyrri do t`u bëja këtë gjëzë, që nuk do ta zgjidhte askush, – më ndërpreu Zheriana.
– Cili është ai instrument muzikor, i cili bëhet me kallame?
– Këtë gjëzë do ta zgjidhnin të gjithë, – thash unë.
– Po. Ashtu është. Ja pse unë nuk mund të jem xhuxhe, as nuk mund të jem roje e urës së ylbertë, – tha Zheriana
– Zhabzhyrri shtroi gjëzën për dy princeshat, – vazhdova unë, – “Cili është ai instrument muzikor, të cilin mund ta dëgjojnë të gjithë, por askush nuk mund ta shoh e askush nuk mund ta prek?”
Zhuliana dhe Zhermina u menduan ca kohë. Zhabzhyrri hapi gojën të thotë, – koha juaj mbaroi, por princeshat iu përgjigjën:
– Ky instrument muzikor është zëri yt, or Xhuxh. As nuk mund ta shohësh as nuk mund ta prekësh, por të gjithë mund ta dëgjojnë.
– E sakët, – tha Zhabzhyrri, pastaj theu mendjen e klithi. – Oo jo, jo! Më mashtruat! Nuk lejoj, askush të kaloj urën time magjike. Jo, jo… – ulërinte Zhabzhyrri, ndërsa në të njëjtin çast ura e ylberit harkoi mbi lumë dhe dy princeshat Zhuliana dhe Zhermina kaluan lumin e rrëmbyeshëm.
– Këtë tregim do ta shkruaj, – ia bëra Zherianës, – pastaj do të dal të luajmë.
*
Redaksi e nderuar
Ju falënderojë për botimin e shkronjave të Alfabetit të Gjuhës Shqipe nga libri im i parë “Yjtë farfuritës” dhe njëkohësisht shpreh kënaqësinë e serishme për përpjekjet e përhershme të prek ndonjë cep të letërsisë… duke i lexuar së bashku me ata që i pëlqyen shkrimet, shpreh përsëri mirënjohje për mirëkuptimin tuaj dhe durimin t’i botoni rrëfenjat e mia.
Me nderime Dea Halimi