Studimi: Shifrat 10 herë më të larta se rastet e konfirmuara të Covid-19

0
412
Korona-virus i riu

Numri i të infektuarve me Covid-19 në Gjermani është mbi 10 herë më lartë se sa numri i rasteve të konfirmuara, bazuar në një studim të Universitetit të Bonit në një nga qytetet gjermane më të prekura nga virusi. Autorët e studimit gjithashtu zbuluan se rreth një në pesë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk shfaqnin simptoma.

Rezultatet paraprake të studimit, të cilat ende nuk janë analizuar nga grupe të tjera shkencëtarësh për publikim në revistat shkencore, janë një rikujtim i rrezikut të infeksionit nga bartës të paidentifikuar të virusit, disa prej të cilëve nuk tregojnë simptoma, thanë studiuesit.

Rezultatet e studimit dalin në një kohë kur Gjermania ndërmori hapa të mëtejshëm për lehtësimin e kufizimeve, duke rihapur me kushte të rrepta muzetë, floktoret, kishat dhe më shumë fabrika të makinave.

Rreth 1.8 milion njerëz që jetojnë në Gjermani duhet të jenë infektuar, një shifër mbi 10 herë me e lartë se 160,000 rastet e konfirmuara deri më tani, thanë drejtuesit i ekipit të studiuesve, Hendrik Streeck dhe Gunther Hartmann.

“Është e rëndësishme të theksohet se kjo është një përllogaritje. Në qoftë se supozojmë se niveli i vdekshmërisë për Gjermaninë është 0,37 për qind, ne mund të projektojmë se 1, 8 milion njerëz janë të infektuar në të gjithë vendin”, thotë studiuesi Hendrik Streeck.

Ekipi analizoi tamponet e gjakut dhe hundës nga një kampion i 919 personave që jetonin në qytetin e Gangeltit pranë kufirit me Holandën, i cili ka patur nivelin më të lartë të vdekjeve në Gjermani.

“Ne besojmë se niveli 0,37 për qind është më i larti që mund të presim sepse Gangelti ishte një ‘super ngjarje e përhapjes (së koronavirusit)’. Njerëzit morën pjesë në një karnaval dhe virusi u përhap në një zonë të madhe”, tha studiuesi Gunther Hartman.

Autorët e studimit gjithashtu zbuluan se rreth një në pesë njerëz të infektuar me Covid-19 nuk shfaqin simptoma.

“Studimi tregoi shumë aspekte të ndryshme. Sipas studimit, çdo i pesti person i infektuar me koronavirus nuk shfaq simptoma. Të moshuarit mund të infektohen me Covid-19 dhe madje edhe në qoftë se kanë sëmundje të tjera serioze ata nuk do të thotë që (në të gjitha rastet) mund të kenë simptoma të rënda”, tha Hendrik Streeck, bashkëdrejtues i studimit.


Studimi: Lloji i ri i koronavirusit përhapet më shpejt

Një studim i ri i udhëhequr nga qeveria amerikane ka zbuluar se një lloj të ri të koronavirusit po përhapet në të gjithë botën më shpejt sesa llojet e mëparshme.

Sipas studimit të udhëhequr nga shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar të Los Alamosit, lloji i ri, një mutacion i koronavirusit origjinal, u zbulua tre muaj më parë në Evropë. Virusi arriti shpejt në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara përpara se të bëhej lloji më dominant në botë që nga mesi i marsit.

Shkencëtarët, të cilët përpiluan raportin thanë se gjetjet e tyre kanë nxitur një “nevojë urgjente për një paralajmërim të hershëm” për prodhuesit e vaksinave dhe ilaçeve për të gjetur zgjidhje që do të jenë efektive kundër llojit të ri të virusit.

Lloji i ri ka infektuar me shpejtësi shumë më tepër njerëz sesa versionet e mëparshme që u përhapën përtej qytetit të Wuhanit në Kinë, thuhet në raport. Brenda disa javësh, ai ishte i vetmi lloj në vendet e prekura nga koronavirusi.

Studimi gjeti se soji i ri ishte më infektiv, megjithëse ende nuk dihen arsyet. Versioni i ri nuk duket të jetë më vdekjeprurës se ai origjinal, megjithëse njerëzit e infektuar nga ky lloj duket se kanë nivele më të larta virale.

Studimi paralajmëron se nëse pandemia nuk dobësohet pas ngrohjes së motit, virusi mund të vazhdojë të ndryshojë ndërkohë që puna për prodhimin e një vaksine dhe gjetjen e trajtimeve të tjera mjekësore vazhdon.

Autorët e studimit thanë se efektshmëria e trajtimeve të reja mjekësore mund të jetë e kufizuar nëse komuniteti shkencor global nuk i identifikon më parë rreziqet që paraqet versioni i ri i koronavirusit.

Laboratori Kombëtar i Los Alamosit, me qendër në shtetin jug-perëndimor amerikan të Nju Meksikos, është pjesë e Departamentit amerikan të Energjisë.

/VOA


Dy kompani nisin testimin e vaksinës: nëse provat dalin të sigurta, gati deri në fund të vitit

Dy kompani farmaceutike thanë të martën se vaksina e tyre eksperimentale e koronavirusit po fillon testimin fillestar njerëzor në Shtetet e Bashkuara.

Prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer Inc dhe BioNTech SE i Gjermanisë thanë se nëse provat vërtetojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive, ajo mund të jetë e gatshme për shpërndarje të gjerë në Sh.B.A deri në fund të vitit.

Vaksina mund të jetë ndër vaksinat e para të miratuara për përdorim në Sh.B.A për virusin, i cili ka infektuar mbi 1 milion njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e rreth 69,000 të tjerë. Sipas statistikave të Universitetit John Hopkins. ShBA udhëheq botën për nga numri i infeksioneve dhe fataliteteve.

Kompanitë thanë se vaksina përdor teknologjinë ARN, e cila mund të lejojë që ajo të prodhohet më shpejt sesa përpjekja tipike që duhet për të zhvilluar një vaksinë për disa vite.

Kompania e bioteknologjisë amerikane, Moderna Inc dhe qeveria amerikane po bashkëpunojnë për zhvillimin e një vaksine që përdor teknologji të ngjashme. Testimi i fazës 1 është duke u zhvilluar dhe testimet në fazën e mesme janë planifikuar të fillojnë këtë tremujor.

Pfizer shprehu optimizëm javën e kaluar se Administrata amerikane e Ushqimit dhe e Barnave do të miratonte vaksinën që në tetor. /VOA

Burimi: Nacionale.Info