JANË TË ÇUDITSHME LUFTËRAT DHE FITORET

0
484
Mustafa Spahiu

Nga Mustafa SPAHIU

BALADA PËR METUSH DAJKOCIN

Në 30-vjetorin e vdekjes (1928-1986)

O, diell i arsimit – marathonomak – çatisur përpara,
– Me abetare çele sythat – kur nisi të na zhdukej fara!…
Ardhësit e zhgjebosur etnisë tonë donin t’i jepnin fund.
Si shqiponjë përballë stuhive u gjende qytet e katund.

Në atdheun e tkurrur, me afshin e zemrës i dashuruar –
As me “çlirimin” e Kosovës – n’ofshamë i pangushlluar…
Herët grushtin e ngriti si rilindësit me këngët lirike, e –
Një gof shashtarie të rroku për bashkimin e trojeve etnike…

Marije Shllaku me tharm të bymur magjës të kishte ngjeshur,
Profesor Gjon Serreçi flamurin kuqezi herët ta kish’ veshur.
– Tush[1], dëshmi besa jote peng i ardhmërisë – fat i Prometheut,
Vizatove hartën etnike – mbi të ngule këmbën e Anteut, se –

Disa shqiptarë Shumadie nëpër gjemba kishin shkelur,
Ajme!, idetë e tua prej kokës tinzisht duke t’i vjedhur, dhe –
Qentë e tërbuar të shqerisë kur nuhatën erën e barotit,
Metush Dajkocit një ferku ia hodhën hekurat krye të motmotit.

Katandisur burgjeve ia shtuan torturat natë e ditë, varg e vi,
Udbashët e përbindshëm s’ngopeshin gjakun duke ia pi’…
Dhe asnjë fjalë goje s’ia nxorrën – mbetën të hakërruar;
As dhelpërisht dot s’ia dolën një sekond për ta përvetësuar…

Tetëmbëdhjetë vjetë burg të rëndë dhe katër në vetmi! –
Naçallnikët trandeshin n’ëndërr nga Metushi për trimëri…
Shqiptarët – të burgosurit e ndërgjegjës e quanin babazot,
Kryeideologu s’biente në krahët e pendimit, s’jepej dot…

Llapaqenve kur s’iu kërkoi mëshirë – Tush zemërshkëmbi,
– Kalanë e qëndresës as të alivanosur askush s’ia shëmbi.
– Njerëz, po se, them të vërtetën (mua) më plaçin sytë!
Atdhetar si Metush Dajkoci kombi ynë s’ka një të dytë…

Një gjakpirës i pamëshirshëm me këpucët speciale, oh –
Tushin e godiste kraharorit – shpirtin ia nxirrte ngadale!!!
Udbash kryemonstrumi Zymer Zymeri faqezi nga Deçani,
Ia shkurtoi jetën martirit – me lot zemre – qante vatani…

U shua vigani, iku kolosi – mëmëdheut dielloi parreshtur,
– Për veprat dhe modestinë – gjuha jonë nuk rri heshtur…
Zjarrmoi fjalë e artë skalitur me smilarët e rrezeve prore
Ta ngjatjetojmë tribunin tonë – shesheve nëpër përmendore…

Në Vendlindje,
E enjte, 19 tetor, 2006
Në Shkup,E premte, 20/21 maj 2016

HASAN BEJ PRISHTINA
(1873 – 1933)

Deputet kryengritës, kryeministër dhe guximtarë
Ideolog i pavarësisë – diell e mësues – për shkollarë…
– Për çlirimin e atdheut – shpirti i ndezur zjarr, dhe –
Me Ismail Qemalin – në shesh nderi – prijatarë…

E ndiqnin përbindshat në çdo vend dhe grykë;
– Për liri turkoshakët i godaste me mykë…
Dhe Europës lanete se ndalte shtegtimin
Me rreze të arta – ëndërronte bashkimin.

Cuname kaptonte – sysopatë prente dredhira,
Të klikës së Serbisë – kuçedrave të pangira…
Hasan bej Prishtina – granit kur i pathyeshëm,
Me memorandume kancelarive i arsyeshëm…

Monarku tromaksej – tha – fjalën e mbramë:
“Hasani tagër të paguaj – domosdo i vramë!”
Duke ndjekur Ibrahim Çeloja – qenziu presparë,
Në Selanik e vrau pabesisht – Krezin shqiptarë.

O, Çelo horri, bastard që kur të polli nëna!
Në rrugën Çimisqi pse zbraze pesë të shtëna?!?
– Hasan bej Prishtina – Diell në përmendore…
Ti tradhtar i Prespës s’meriton as nevojtore.

E enjte, 3/5 shtator 2015
Vendlindje, Shkup

DAFINA E SHENJTË
Akrostik Musine Kokalarit,
në 100-vjetorin e lindjes (1917-1983)

Muzë e muzave – hyjneshë pa kurorë,
U madhërove diturisht – me ninëza dielli! –
Safos i zbrisnin yjet për t’i dhënë polen qielli
Iliti lindjen e fëmijës ia ndal – mizorja dorë!
Nektari – kjo pije ta siguroi rinin’e përhershme,
E Bukura e Dheut tromaks Cerberin me zgjuarësi,

Kakusit – Ermira Velo – i kërkonte demokraci…
Orët “Doktoreshën e Letërsisë” e bën të përjetshme.
Kam 38 vjet që nuk di për familje – o çdo me thënë?!
Amanetet e panjohura flasin valixhes personale…
Luani i Nemeut e la beronjë – dot s’u bë nënë?!
Atropeja ia priste me gërshërë fijet e jetës,
Robiku ia fshiku rritën lules në male, dhe –
Idhulli adhurohet – me kultin e së vërtetës…

E shtunë/e diel, 18/19 fruer, MMXVII
Në Dardani

BARDI I FJALËS SË PAEPUR
Në 100-vjetorin e lindjes së poetit
Esad Mekuli (1916-1993)

Bard me diell në ballë – errësirës ndriçove,
Amanetin Tënd dhe gur’i truallit ta lëngëzon…
Cilësitë e shqiptarëve në vargje i madhërove –
Është pak “Për ty” Ndera e kombit “Jeta e re” – ngulmon!

Esad, or baba, çdo poet me djersë e ke rritur, e –
Sofrës arbërore këngën se ndale, lumë i heshtur,
Anës së anës kërkove – n’art për të na ngritur
Dashuri atërore na dhe me penë të parreshtur.

Me ninëza të përlotur asnjë shtrëngatë s’të trembi
Edhe Sezamin e bimësisë e hape ngadhnjimtar,
Kur të vërsuleshin, dot s’frikej zemërshkëmbi…
Urtinë dhe burrërinë ta lakmonte çdo zemëracar,
Lulet me pranverat për çdo përvjetor do amësojnë;
I falem madhështisë Sate – emërblertin e diellnojnë.

E hënë, 4 kallnor 2016
Në Vendlindje

VENDLINDJES PËRKUSHTIM

Lule më besnike – rrënjëthellë në bregore
Të gostitë me elikzir – dehesh me ngazëllim…
Rrugës së diellit Erosi me shigjetë harlisur prore,
Me fijet e Arianës pyjeve me dashuri në kërkim…

Do të ketë ëndrra – yll – magjinë dot s’ua gjeni…
Është strehë fshehtësie – dhimbje dhe përgjërim
Lotët e pasioneve të mia kurrë s’do t’i zhgënjeni,
Dhe qoftë Akili me kordhë do t’i kërkoj dyluftim.

Jam trishtil në fron – zërin simfoni – shpresëplot –
Urtësisht ndjell pranverë me zjarr për këngëtim…
– Nga konaqet e moçme s’shtegëtoi për jet’e mot.
Çurkajës së vargjeve tingujt jo s’kanë mbarim…

Në sythet e imazheve ti bija lirës ashtu si Orfeu
…për Euridikën me kurora lari teksa qe martuar…
Temida hyjnore për vendlindjen s’më gënjeu,
– Në kandar drejtësie lëkurën duke ma peshuar.

Me këngë e verë them: e dua at cep të mëmëdheut,
Me prehje e agmi frymëzimi për te këndova i pari…
Shpirtërisht i lidhur për truallin si këmb’e Anteut,
Mburrem me të nëse më ngjesin veshë gomari…

Do t’i dal Zot!, sikur të zotit qeni më i bindur,
Me trimëri të Herkulit – fuqishëm e përshëndes…
Si Asklepi njerëzit do t’i shëroja – këtu kam lindur,
Po të ringjallem si Adonis i them mirëmëngjes!

Në Vendlindje
E mërkurë, 1/22 maj 2013

VALLJA E VRANJËS
– Valle popullore e moçme mbi 200 vite

Dasmave shqiptare kur luhet kjo valle, dhe –
Osman Taka me kordhë e deshi me afshin e trimit!
Vargu i valltarëve bëhet – Shqiponjë krahëmadhe –
Bien zurnatë orfejane – topa daullet e kushtrimit…

Vallja e Vranjës hidhet me takt stinëve përngaherë,
Tok me vendësit e rreptë – skifterët e Hashanisë, –
Plisat borë, tirqit ngjeshur – këmbët iu bëhen erë,
Ndezën si barut truallit mbi gjurmët e shqerisë.

Vallja e Vranjës në çdo dasmë paq përhirohet,
Heqësi i vallës prijatar rribë më rribë Kosovës,
Kjo bukuri e hijshme me nuset trimërohet, se –
Është simotër me “Shotën” dhe Vallën e Rugovës…

Me fajkonjtë e Vallës së Vranjës – gufllon zemra! –
Kërcejnë valltarët e zgjedhur, trimoshët e mirë, e –
Nga lëvizja e gjunit – rrufeshëm iu duket thembra,
Ujëvare magjepsin këngët – simfoni gjuhë e dëlirë.

Dhe Vallja e Vranjës i ka tiparet më burrërore
Qëndismën e folklortë populli ngaherë e mbëltoi…
Përkujtim’i lashtë – papandehur nëpër oborre;
As atje në kurbet Vallën e Vranjës kush se harroi…

Në Vendlindje, maj 1996
Në Dardani, shtator 2016

QËNDRESA E VARGUT
Kur lufton i vogli për emër të vet,
Edhe n’ja k’putësh duart, me zemër t’vret
(Enver Gjerqeku, 1928-2008)

Qëndro vargu im në majë të gjilpërës
Qëndro vargu im para kalecëve të ferrit
Qëndro vargu im – turrju flakës së Luciferit
Qëndro vargu im gamile mbi prush të rërës

Qëndro vargu im kanionit më të vështirë
Qëndro vargu im pa ulë kokë gjer në këputje
Qëndro vargu im tempujve fare pa bërë lutje
Qëndro vargu im duke mos kërkuar mëshirë

Qëndro vargu im muzgjeve të pafund
Qëndro vargu im – shëro plagë të pashëruara
Qëndro vargu im – mos ik rrugëve të penduara
Qëndro vargu im me një mijë kuintalë mund

Qëndro vargu im më gjatë se trung ulliri
Qëndro vargu im krenar shtrezeve të fatësimit
Qëndro vargu im urisë së uritur të durimit
Qëndro vargu im – drithë – nën gurë mulliri

Qëndro vargu im me dhembje të sertë
Qëndro vargu im pafajshëm kur të vrasin me sy
Qëndro vargu im përballë shqotës jam me ty
Qëndro vargu im – prite rrufenë e mnertë

Qëndro vargu im nën damarët e lëkurës
Qëndro vargu im – duan të thyejnë me mëri
Qëndro vargu im hapësirës fluturo në liri
Qëndro vargu im – bëju qemer i çdo urës

Qëndro vargu im nofullave të hienës
Qëndro vargu im pa të mekur n’imazh lakmia
Qëndro vargu im kujdes e zezë është bukuria
Qëndro vargu im me durim Jobi barkut të balenës

Qëndro vargu im – para mallkimit ti hesht
Qëndro vargu im – thinja rrashtën ta gërmon
Qëndro vargu im kur urrejtja kocka thermon
Qëndro vargu im –i verbëri të ndrydh si plesht

Qëndro vargu im mos e shtang gjuhën pa nevojë
Qëndro vargu im nga truri e zemra ke lindur
Qëndro vargu im – kurrë i nënshtruar, i pabindur
Qëndro vargu im shpreshherë i vënë në peshojë

Qëndro vargu im më i urtë se Demosteni
Qëndro vargu im qëndresë shtigjeve të pakaluara
Qëndro vargu im i pathyer furtunave të tërbuara
Qëndro vargu im – fanar në dorë Diogjeni

Qëndro vargu im si lumë i palodhur prore
Qëndro vargu im delli i ballit – mbiu nga dheu
Qëndro vargu im – këmbëngulitur si Anteu
Qëndro vargu im nursyçelur në fjalën burrërore…

 E diel, 5 prill 2015
Në Shkup

POET I EKZALTIMIT HYJNOR
Mirko Gashi mbetet si një nga zërat më autentikë të poezisë së sotme panshqiptare

Gjakim katër stinëve lulelotësh – derdh një dardhë, se –
Halla pret nipin e lirikës – idhtar opusi – kanë lidhur besë;
Me bosht e furkë tjerrë – urata Mirkos – për të ardhë – që –
Të mos zemrohen vestalet – ardhjepritja – guaskë shpresë.

Mbi kikë të Karadakut, n’arbor vitae netët duan dëshmi,
Feniksi ringjallet zemrës së poetit – kallen stërnishta…
Amaneti s’mundet përtej fundit të lumit nis motmirë – agimi,
Fëmijët ëndërrojnë të këndojnë – me bilbila zgjohet Selishta[2]

Gjarpëri shtëpisë rrokulliset odave me këmishën e leckosur…
– Mos ia puthni së kaluarës dorën – ju preksha për të mirë! –
Askush dy herë nuk ka qenë poet – flet poeti mllefosur; sepse –
Parathëniet e tija përbrenda ditës ardhmëritë ngecën dëshirë.

Rrënjët e tim eti, eshtrat e stërgjyshit i kam tokës diellore, pse
Fëmijëve s’ua thoni të vërtetën se lulet kanë qindra ngjyra…
Miku im fisniklindur me buzëqeshjete – vargjesh stërmadhore, Ti
“Mbete i përgojuar në qytet” – të gjorët i harroi natyra, meqë –

Çdo gjë parathoje saktë lindur në vorbullin e ardhmërisë…
Ylli poetit shihet pikëmesditës – o, farkatar i opusit, he –
Të lumtë!, mbete aristokrat suprem i vreshtit të bohemisë
Dhe kurrkushët u qullosën rragnicë – urritur fundit të pusit!

E shtunë, 29 shtator 2018
Në Dardaninë Ilire

 TAKIMI – LOTËT E ZEMRËS[3]
E i panjohuri të panjohurit dorën e pranverës ja shtrin.

poeti

Gjysmëshekulli na mblodhi me sytë e lëngëzuar,
Si zogjtë e kaltërt nëpër rreze të brengosur, shtegtojmë –
Enciklopedisë së kujtimit, emrat ishin të paharruar…
Pati mungesa gjumi – amshimit ndjesë paçin!, të pasosur…

Disa kishin vajtur nëpër galakse të reja, prore –
Të tjerët të magjepsur pas ëndrrave – pikë e pesë! –
Ruzhdiu e Tushi sapo ishin kthyer peligrin nga Qabeja;
Vetëm tri shoqe të gjeneratës erdhën dallëndyshe me besë.

…Bulëzuan ëndërrat e rinisë tonë të pështirë, e ne –
Nxënës e arsimtarë përgjanim se jemi një moshë…
Dhe jeta me thundra na kishte goditur pa mëshirë; sepse –
Rrahur na kishte me vaj e uthullë me sitë e shoshë…

Pa mburrje thamë: jemi prindër fëmijësh – natyrisht;
Një dyzinë mburreshin me nipër, njëzetë me mbesat…
Dy klasë të teta shpjegonin për jetën e vogël stërgjyshërisht,
Për blerimin e vonuar me brymë – na rrëfenin trajtash mbresat.

Të gjithëve hapërimet na shpienin moshës së tretë,
Pse qemë të behartë, moshëkaltërt – ofshe, para pleqërisë…
Se çka na ngeli në zemra është përdëllim i vërtetë, dhe –
Le të rrojmë me shëndet – t’urtë – stinësh të ardhmërisë!

Takimi – lotët e zemrës – bulëza ndjellamira të mugulluara,
E shtuna e qershorit vajti vijë dore në hare duke përlotuar.
Vallë, do kthehen ato çaste kurrë të paharruara, mbase –
Në takimin e gjashtëdhjetëvjetorit rrugës së ëndërruar?!

E shtunë, 21 qershor 2014
Në Rogoçicë, Anamoravë.

R E F E R E N C Ë:
[1] Të gjithë fëmijët e nipërit e Metush Krasniqit – Dajkoci, babain e tyre e kanë tirrur Aga Tush…
[2] Selisht ~ ë, a, fshat i zonës së thellë malore të Karadakut të Gjilanit, prej nga e ka gjenezën poeti.
[3] Në edicionin IV të poezisë lirike “Në gjurmët Naimiane 2018” – Përmet. Me çmim të dytë u vlerësua poeti nga Shkupi, M. Spahiu, me poezinë me titull “Takimi – Lotët e zemrës.”