PLIS I BARDHË FLAKËRIMË BORE

0
732
Naxhije Doçi - poete

Naxhije DoçiPrishtinë

PLIS I BARDHË FLAKËRIMË BORE

Plisi i bardhë
i fisit të mbarë
lashtor e krenar
shqiptar.

Në pasqyrën e jetës së derdhur
hapen shtigje në hulumtim gjurmësh
me jeh rrëzëllimi ndër breza
për plisin e bardhë flakërimë bore,
dëshifrim prore i rrënjës kulmore
pellasde-ilire
me qëndresë vertikale stuhive.

Kupolë e bekuar fisnikërie
përthekimit skaj më skaj të dheut mëmë
është plisi i bardhë shqiptar
me lashtësi sa edhe vetë jeta
sa edhe vetë e vërteta
e frymimit njerëzor.

Uniformë trimërie në flakërim betejash
me jehun biblik epokave
krejt hirësi e lavdi
për tokë e kokë,
për agun rrëzëllues mbi errësirë.

Plis i bardhë
shëmbëllimit të dëlirë paqësor
si edhe vetë bardhësia,
gjyshërit e mbanin në kokë
në gëzime e në mort,
në kuvende odash për histori
dhe në përditshmëri
si trashëgimi
që nga lashtësitë e thinjura në shtresime.

Këngët për plisin në rrjedha zgjimi
jehut bjeshkë më bjeshkë,
baladë në krah shkrepash vezulluar
në tela lahute komponuar
edhe në lyrën melodike
rrënjës së dehur antike.

Është përkushtim i etur,
ndjenjësi hyjnore në thellësi
ruajtja e trashëgimisë në shteg dielli,
plisin e bardhë thesar i flakëruar
margaritar.

Poezi nga libri “JEH MOTESH” – Naxhije Doçi – Prishtinë-2019