Jon Leka, 2 gusht 2016
Jo për çështje historike. Jo për shkak të osmanëve. Por për shkak se mohimi turk i identitetit dhe kulturës sime vazhdon edhe sot. Si?
Kur lexoj apo dëgjoj në konferenca shkencore se akëcila kulturë, ky apo ai identitet është në zhbërje e sipër se ç’më kaplon dhimbja, më përlan frika sikur nesër të kemi mbi tokë vetëm një racë, një gjuhë, një modë, një specie të robotizuar, monotone, një koloni kufomash mobile, që me automatizëm e artificialisht flasin, qeshin, bartin spermiet e tyre me epruvetë në qendrat e shumimit dhe fekondimit dhe për çdo mëngjes bëhen rresht për t’i mbushur bateriat me rrymë atomike dhe i bëjnë update çipit të instaluar në tru që ua ka sajuar për funksionim Microsoft-i.
Paranojë nga frika se do të vdesë njeriu? Ky njeri i ndjenjave, spontanitetit, pra ai njeriu që Sartre i ofronte vetëvrasjen me çaki se pa kulturë dhe vetëm njeri është për neveri? Jo si ai por për të dy jam unë: për njeriun dhe natyrën, të pandarë, një. Megjithatë njeriu pa kulturë edhe mua po si francezit të shekullit të shkuar më shkakton gërdi. Paranoja, fiksimi im buruaka më shumë nga droja e shuarjes së diversitetit, identiteteve, kulturave, frika ime qenka pra droja nga njëdimensionaliteti, nga ajo uniformëri të cilën e donë aq shumë çdo tiran, çdo psikopat e diktator, që ka mbetur vetëm natyrë e egër dhe bën luftë e krime kundër llojllojshmërisë së humanitetit.
Kur vdes një identitet, një kulturë nuk vdesin vetëm njerëz, por edhe një botë, një univers ritesh, traditash, dialektesh, epesh, këngësh, digjen varret, monumentet, bëhet shkrumb e hi një pasuri që ndoshta me mijëra vjet është djegur për t’u bërë e për liri.
II.
Po pse unë me socialitet e ekonomi komforte në Helveci e kam këtë paranojë, këtë frikë? Unë që botën asnjëherë nuk e ndaj në «ne» dhe «ata», unë që edhe kriminelin e fali aq lehtë sapo të vërej se është udhës për t’u bërë njeri? Ndoshta se jam rritur me zhgjëndrrën se dikush donë të më zhdukë? Ndoshta se qysh në rini më rrasën katakombeve stahorë-populluese të sistemit «multietnik» të ish-Jugosllavisë, ngase kërkoja të kem lirinë të flas gjuhën e nënës, se pa atë gjuhë nuk i lexoja dot librat e sukulluar me flamurin e ndaluar, që m’i kishte lënë trashëgimi gjyshi im? Ngase do t’ia shkelja «amanetin» atij gjyshi me aq shumë emra nga Lekë, në Ahmetoglu, pastaj Qamilov, dikur Zeqir e Xhemaludin e sot Hekuran, Labinot e Agon?
Ndoshta?
III.
Kriminelin e fali nga çasti kur ai vendos të mos jetë më i tillë. Gjersa ai vazhdon zanatin e vjetër nuk e urrej, por ta refuzoj dhe luftoj patjetër. Për të mbijetuar. Eh Darwin e Elias Canetti. E denoncoj dhe akuzoj për ta mbrojtur atë copë kulturë e identitet të të parëve të mi – me këtë edhe kulturën e origjinës sime. Nuk e përkrahi dot atë që më vret, me këste, me gjenerata, në gjuhë, në dije, më djeg varret, më djeg kujtesën dhe malet, më djeg ngadalë jo për të më vrarë aty për aty, por për të më shndërruar në kufomë mobile, ushtarë zombi ashtu siç kërkon ai.
IV.
Po kush e bën këtë? Një e projektoi plotë e ekzekutojnë. Unë i njoh më së miri vrasësit e mi. Tjerët le t’i identifikojnë të vetët. E kam me ata që më pranojnë qoftë edhe me bisht, por jo kështu si më kanë bërë të mitë – shqiptar. Prandaj ata i refuzoj, ata i luftoj, jo për nacionalizëm, por për mbijetesë, për kulturën dhe gjuhën time, jo për ekspansion, por për të qenë, jo për të sunduar porse jam i rrezikuar kështu si jam. Nuk kam probleme me turkun se është njëri nga trashëgimtarët ndoshta më ilegjitimët e një perandorie që po kalbet edhe si kujtesë e lëre më si realitet, por e kam problem se jo vetëm se krimin nuk e pranon por edhe vazhdon, jo vetëm brenda por edhe brenda meje. Porsa vdiq i sëmuri i Bosforit lindi djalli i Anadollit. Si ajetin kryesor të komb-bërjes së tij bëri paragrafin e traktatit të serbit që kërkonte zhbërjen e kulturës, identitetit tim nga kontinenti, mundësisht edhe nga faqja e dheut.
Ashtu siç bën me 22.7 milionë kurdët, bën edhe me ata 5 milionë shqiptarët, që i morri me dhunë nëpërmjet kontratave me dy Jugosllavi-të dhe i vuri nën nenin 42 të kushtetutave të saja: «Përveç turqishtes nuk lejohet asnjë gjuhë tjetër në shkollë, arsim, turqishtja duhet të mësohet si gjuhë e nënës nga gjithë qytetarët e saj». Si gjuhë e nënës? Ta ndërrojë tash edhe nënën për Turqinë? Dhe si të flisnin të tjerët në gjuhën e nënave të tyre? Si të flasin sot kur kanë kaluar shtatë dekada dhe Turqia vazhdon krimin ndaj identiteteve, kulturave tjera?
A nuk është ky fakt i mjaftueshëm të luftohet një grumbull mizërie siç është Turqia? Jo nuk mjafton. Ai kulturën dhe identitetin tim e lufton dhe brenda. Jo shtetet shqiptare shkojnë atje për të zgjuar „nacionalizmin“ e të vetëve të humbur, por ai shteti më armiqësor në botë ndaj diversitetit, kulturave dhe lirisë së tyre vjen e donë të tjetërsojë edhe këta që bashkë me serbët nuk i zhbëri dot.
V.
Nuk i urrej turqit. Kam mllef që kaq gjatë edhe në shekullin 21 nuk e mundin dot të keqen e tyre dhe të çlirohen për të jetuar si të qytetëruar. E urrej çdo shtet që tenton ta ndërtojë veten, duke shembur kulturat tjera. E kur unë jam viktima e dytë e tij për nga përmasat, atëherë nuk më mbetet rrugë tjetër veçse ta luftoj, ta luftoj, jo vetëm refuzoj, por ta luftoj, jo që ta mbys atje ku është, por së paku mos ta lë brenda meje!
Ja se çfarë thotë Voltaire (1694-1778):
The Orient’s Christian Realm „Wenn ich in die Geschichte sehe, finde ich, dass es keine Nation gab, das mehr Gotteslästerung, brutal-schändliche Hurerei, sowie jede Art eines wilden und chaotischen Lebens ausgelebt hat, als die Türken.“ – “Kur shikoj Historinë gjej që nuk ka pasur asnjë popull, që ka jetuar më shumë blasfemi, kurvëri brutale e të turpshme, dhe të gjitha llojet e jetës së egër dhe kaotike, si turqit.”
Komentet janë mbyllur.