Shtet i brishtë me politikan të prishtë!

0
506
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 03.05.2020

Fillimisht dëshirojë të ju sqaroj lexuesve, se fjala “brishtë” nënkupton diçka që thyhet lehtë, bie fjala; enë qelqi apo kristali, porcelani apo çeramike, lodër e ndjeshme fëmijesh, dru i butë, lule e njomë, trup delikat, …apo për njerëzit e ndjeshëm e me shëndet ligë, që preken shpejtë, që shpejtë nxehen e më shpejtë ftohen e deri tek subjektet me bazë (themel) të cekët apo institucione të paqëndrueshme dhe jo kredibile.

Nuk kemi si e quajmë ndryshe shtetin e Kosovës, por veç si shtet të brishtë, i cili për dy dekada në liri nuk po arrinë të krijojë; institucione kredibile dhe as bazë të qëndrueshme financiare, shëndetësi të mirë dhe as sigurime shëndetësore, arsim cilësorë dhe as ekonomi të qëndrueshme, vende pune dhe as përspektivë zhvillimore për qytetarët e vendit.

Të brishtë mund ta quajmë shtetin e Kosovës edhe për shkak të varësisë së skajshme nga bashkësia ndërkombëtare, për shkak se liria dhe pavarësia e jonë janë të mbrojtura dhe garantuara nga forcat e NATO-s (KFOR).

I brishtë është shteti i Kosovës, në të cilin më vlerë ka fjala e një ambasadori të akredituar në vendin tonë sesa fjala e një politikani të zgjedhur nga populli, më vlerë ka fjala e një të pasuri injorant sesa fjala e një dijetari, më vlerë ka pasuria e një politikani të korruptuar sesa jetërat e mijëra njerëzve, më të vlerësuar para drejtësisë janë një hajdutët dhe kriminelët sesa qytetarët e zakontë dhe të ndershëm të këtij vendi.

Të brishtë jemi edhe për faktin se, edhe përkundër prezencës së madhe ndërkombëtare, jemi i vetmi vend i izoluar (karantinizuar) në këtë pjesë të Ballkanit pa liri të levizjes drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Mirëpo, përkundër brishtësisë së skajshme të shtetit, i kemi politkanët e “zgjuar” dhe shumë aktiv në zhvatjen e buxhetit dhe uzurpimin e institucioneve shtetërore.

Përkrahë kusarëve politikë dhe uzurpatorëve të shtetit, e kemi një shoqëri civile të brishtë, pothuajse inekzistente, e kemi një klasë intelektualësh të fjetur dhe të heshtur apo më keq se kaq, edhe një shtresë tjetër intelektualësh servilë e puthadorë të pushteteve, që shesin shpirtin tek politikanët e korruptuar.

Mirëpo për fatin e mirë, përballë kusarëve dhe uzurpatorëve politik e kemi një armatë të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, një bërthamë të shëndoshë dhe shumë të fuqishme të intelektualëve, atdhetarëve dhe veprimtarëve të devotshëm, gazetarëve, analistëve dhe publicistëve të pathyeshën në misionin e shenjtë për një shtet ligjor dhe demokratik, për barazi qytetare dhe kombëtare në këtë pjesë të Ballkanit të banuar me shqiptarë autokton.

Patriotët (atdhetarët) asnjëherë nuk viktimizohen dhe as nuk dorëzohen, nderojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u ngritur lartë dhe fuqizuar në karrierë sipas veprave e jo sipas fjalëve dhe frazeologjive mashtruese.

Për dallim nga patriotët, politikanët janë shndërruar në ujqër kundër njëri-tjetrit, duke u munduar t’i nxjerrin nga goja kafshatën e gjahut të grabitur, ashtu siq i grabitin pushtetin dhe monopolet e pushtetit njëri-tjetrit.

Shteti i brishtë i Kosovës është bërë poligon i politikanëve egoistë dhe karrierist, të prishtë dhe të pistë, lakmitarë ttë pushtetit dhe të pangopshëm në pasurimin e skajshëm kundrejt një popullate të varfër e të pashpresë për jetë në vendlindjen e vet.

Përderisa në mbarë botën politikanët janë bërë bashkë për ta luftuar pandeminë “Covid-19”, në Kosovë po nodhë e kundërta, politikanët e prishtë dhe karrieristë, mashtrues dhe egoist po abuzojnë me “Coronavirus”-in duke zhvilluar luftë të ashpër kundër njëri-tjetrit për pushtet në gjysëm shtet!

Fundi i politikanëve të korruptuar dhe politikanëve mashtrues me kauza të rrëjshme, për aq sa varet nga vetëdija qytetare, varet edhe nga organizimi i elitës intelektuale dhe mobilizimi i mërgatës tonë.

Bashkërendimi i veprimeve të elitës intelektuale do të ndikojë në homogjenizimin e popullatës në Kosovë dhe mërgatës tonë në Diasporë, për të vepruar si një trup i vetëm deri në ç’rrënjosjen e të gjitha dukurive negative të pas luftës në vendin tonë.