“Nëna e të gjithëve”, “Grindem” dhe “Mos braktis kohën” nga Pajtim Xhelo

0
356
Pajtim Xhelo
Pajtim Xhelo

Nëna e të gjithëve

(Këtë poezi e gjeta sot rastësisht, mes librave të fakultetit, thuajse e pata harruar)

Tejnatë.Stuhia shkul flokët,gërthet.
Qyteti strukur në muret e vetmisë;
Një tjetër jetë vjen e ashpër, bërtet.
Gjethe jetime pragjeve kanë ardhur.
Po shtyhet territ helmi i varfërisë,
Të vjedhur yjet në qiellin e mardhur.
S’kanë tym oxhakët,fikur edhe zjarret,
Rrëshqasin heshtur hijet e arratisë;
Vetëm shtrigat bëjnë magji nëpër varret.
Marria e erës troket në dritare,
Dhe xhamat dridhen nën shkulmin e marrisë;
Gjithë anëdeti pa drita në fare.
Një grua. Një nënë, ndezur një qiri;
Po lutet në trishtimin e varfërisë,
Zëulët, mos ta dëgjojë asnjeri.
Një nënë, një grua me zemër të ngrirë,
Me fërgëllimë i lutet Perëndisë:
” Zot, sillma djalin që ta shoh ndaj të gdhirë! ”
Gruas, nënëzezës, territ, pas dritares,
Në mëdyshjen plakë të pasigurisë,
Iu bë djal’ i saj pas hije bredhares.
Ngrihet rrëmbim, xham’i akullt i ftoh ballin
Veç jo gjakunpërvëlim të dashurisë.
Nata përcjell tej merakun edhe mallin.
Sheh trishtuar qiririn që po zbeh flakën:
“O Zot, kjo nat’ e keqe e pabesisë!”
Ç’i kujton kohës kjo grua Andromakën.
I tërbuar, dimri frikëson qytetin,
Djal’ i saj në fshat si ia bën stuhisë?
Mos kjo kohë e gjeti rrugës të shkretin?
Pas xhamave akull hapa që zhurmojnë,
Errësira, pirate e pabesisë;
Edhe flakët e qiririt po mbarojnë.
U fik me qiririn shpresa gënjeshtare,
Që mbajti trazuar shpirtin e vetmisë…
Pështolli meraku tejnatën firare.
Qyteti pa drita, shtëpitë pa zjarre:
” Mallkim – tha nëna, iu lut Perëndisë :
-Do ishte mirë, mos të qe nisur fare.
E zeza grua, mallpashuara nënë!
Gjer mesnatës e doje pranë shtëpisë;
Po kjo natë nuk kish as rrufe, as hënë.
Veç merak’ i nënës vraponte tejane,
Meraku i saj, si drit’ e yllësisë.
Fshatit, larg, i zbonte vetminë mjerane.
Bërtisnin mendimet shpirtit të trazuar
Mallkonin, pastaj i luteshin stuhisë.
Nëna e të gjithëve ndenji veç zgjuar.

Pajtim Xhelo, shkruar në vitin 1971, më 28 dhjetor


GRINDEM

Kur prehjen nata botës kish lëshuar,
Ëndrrat vraponin në parajsë a ferr,
Të vetëm, në një skaj, gjumëharruar,
Kush më la si tufan ndjenjash nëpër terr?
Në krahë te një ëngjëll, zvarrë te djalli,
Pse njehësimi u largua nga ne?
Për kohën tjetër sa shpesh më merr malli,
Kur frynte fllad dhe stuhia qe mbi re.
E sheh o mik si nata nënështroi
Gjysmëbotën si të zënë në një faj,
U vodhën yjet, po hëna ku shkoi,
Vallë nata iu kanos dhe asaj?
Ti më sheh? Ja tek jam dhe keq po zihem
Me veten time. Kanosem dhe e shaj.
Ulëri , çirrem, bërtas, pastaj s’ndihem…
Kam frikë mos po e bëj kot me faj.
Dhe flenë të tjerët ashtu, trazuar,
Ca të pafajshëm, të tjerë mëkatarë,
Zoti im, po unë pse i dyzuar
Vetes sime gjumin i paskam vrarë?
Gjëmoj e shkrep si stuhi, si furtunë,
Vetes inatin si dallgë i përplas.
Pse? Mirë e di ti o mik se unë
Mëkate kam pak ,pa s’duhet të bërtas.
Si dyzim agu qetësinë solli,
Nata u vodh tej me dylindin mëkat,
Pa fshehtas djalli dyshimin përcolli…
Më sheh? Me veten po grindem me inat.

Pajtim Xhelo, 1 maj 2019


Mos braktis kohën

Pse qesh e ngre zërin kur je me të tjera,
Pse kur je vetëm ul kryet dhe nxiton?
Fajtor nuk jam unë që për ty pranvera,
Nuk sjell gjelbërim, pa as nuk lulëzon.
Sa të kam dashur,, po kurrë s’e kuptove,,
Sa mirë sikur t’ishe dyzimi im,
Si erërat e vjeshtës u ngatërrove,
Si natë dimri mbete në një trishtim.
Mos vallë s’e dije as vet çfar kërkoje,
Si Didari që u ngrit në fluturim?
Dhe krahë po të kishe, nuk do harroje,
Se veç toka është për ne rrugëtim.
Më ndje moj mike nëse dot nuk durova,
Një pështjellimciklon që sillte stuhi,
Veten po mallkoj, veç ty s’të fajësova,
Të urova mirësi dhe dashuri.
Pa s’jam unë fajtor që ti nuk e di,
Si ta mbash atë njeri që ke fituar,
Fati të zbriti në një mëngjes të ri,
Po shpirti yt nga gjumi nuk ishte zgjuar.
Kot e ke që nga marazi loz e qesh,
Fati nuk desh të ishim bashkë tani,
As hiri i ftohtë s’ka mbetur mes nesh,
Që të ndizet shpirti, duhet zjarr i ri.
Pa e ke kot që ul kryet e penduar,
Kur të vetëm këmbehemi në trotuar.
Flaka e dimrit tek unë është shuar,
Pranvera ka diell, nuk i duhet zjarr.
Paçka, ti s’e di, jam krenar si fajkoi,
Si ai jetoj e do vdes në liri,
Se nëpër yje shpirti im kalëroi,
Veç mbi tokë rrugëton tani ai.
Nuk të urrej, se dikur të pata mike,
Shpirti im endacak ruan dhe mëshirë,
S’të braktisa unë, ti nga vetja ike,
Siç ikën ëndra nga nata ndaj të gdhirë.
Mos qesh, mos ngri zërin kur je me të tjera,
Se e di, zemra si deti të gulçon,
Mos ler të të iki pa lule pranvera,
Mos braktis kohën, se jeta të harron.

Pajtim Xhelo, 3 maj 2020.