Ndeshja e dy shumicave

0
683
Veton Surroi

VËSHTRIME

Kontrabandimi i Qeverisë së re, shpall që Kosovën do ta mbrojë me Listën Serbe, Listën Ruse dhe Listën e të Hyrave

1.

Pra, jemi në vazhdën e përpjekjes për kontrabandim të një Qeverie të re duke tejkaluar normat kushtetuese. Përpjekja shkon përafërsisht kështu. LDK-ja konsideron se është mandatuar nga presidenti i vendit për të formuar Qeverinë e re dhe është duke bërë konsultime për koalicion me parti të interesuara. Në momentin kur i ka nënshkrimet e marrëveshjes së koalicionit do t’i lajmërohet presidentit me përpjekjen për të dëshmuar se e ka shumicën parlamentare për të formuar Qeverinë. Në atë moment pret të marrë mandatin formal nga presidenti, me të cilin mundet pastaj të thirret urgjentisht mbledhja e Kuvendit të Kosovës dhe të votohet kjo marrëveshje koalicioni.

Kontrabandimi do të krijojë dy realitete. Një është shkelja e Kushtetutës (sipas interpretimit të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese për çështje analoge). Dy është formimi i Qeverisë me shumicë prej 61 votash. Këto dy realitete janë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe krijojnë natyrshëm fërkim e ndeshje. Qeveria në detyrë ka në favor të saj procedurën (Kushtetutën), por jo numrat (shumicën në Kuvend). Qeveria e kontrabanduar do të kishte në favor të saj shumicën, por jo procedurën (Kushtetutën).

2.

Është bukur një hap i guximshëm që të ndërmerren veprime të mëtejme për formimin e Qeverisë së re në këtë mënyrë. Do të ketë një zor të madh për këtë. Dhe, sado të përpiqem t’i kuptoj motivet e larta (morale, politike, atdhetare) pse i duhet hyrë kësaj pune, nuk i gjej. Kriza kryesore, ajo COVID-19, po menaxhohet në formë të përgjegjshme e në kushte mundësish shumë të kufizuara. Për veprime të tjera, të luftës kundër korrupsionit, nuk besoj se do të ndihmonte rikthimi i subjekteve të përfshira në korrupsion. E për çështjen e negociatave me Serbinë e kam vështirë të kuptueshme se si plani i Thaçit (amnisti, zhbërje gjykate, definim të Veriut dhe disa të zeza të tjera) do të ishte ndihmesë për Kosovën. Megjithatë, motivi më i lartë i cituar nga udhëheqja e LDK-së është që nëpërmjet një Qeverie të re ta shpëtojë Kosovën nga rreziqet ku e ka sjellë Qeveria në detyrë, e në të cilën ende formalisht operon edhe LDK-ja.

Ndoshta në vend të motiveve është më lehtë që gjendja të kuptohet nëpërmjet tre përbërësve themelorë të një Qeverie të re të kontrabanduar. Kjo qeveri do të përbëhej, ta përshkruajmë në vizatim të lirë, nga 3 lista: Lista Serbe, Lista Ruse dhe Lista e të Hyrave.

3.

Lista Serbe është në Qeverinë e tanishme në detyrë, por jo si anëtare e koalicionit. Qeveria e kontrabanduar po kërkon që Lista Serbe të hyjë në koalicion. Kjo do të thotë se pa numrat e saj koalicioni nuk është i mundur. Dhe kjo do të thotë se pa pëlqim të drejtpërdrejtë të Beogradit nuk mund të formohet koalicioni i kontrabanduar. Dhe kjo do të thotë atëherë se për përmbushjen e motivit të lartë të Qeverisë së re – shpëtimit të Kosovës nga degradimi që e solli Qeveria në detyrë – duhet medoemos vullneti i presidentit të Serbisë të manifestuar nëpërmjet Listës Serbe, si anëtare e koalicionit qeverisës. Apo, thjesht, vetëm Vuçiqi mund ta formojë Qeverinë e re, pra edhe ta shpëtojë Kosovën.

Lista Ruse përfaqësohet nga Behgjet Pacolli. Ai më 1998 ishte i dërguar i Rusisë për ta bindur udhëheqjen e Kosovës që të negociojë drejtpërdrejt me Milosheviqin për një status të autonomisë e pa ndërmjetësim amerikan. Prej se ka hyrë në institucionet e Kosovës nuk është spikatur si përfaqësues i interesave ruse (së paku jo publikisht), por ka përfaqësuar një model rus në politikë, në të cilin nuk ekziston kufiri mes biznesit privat dhe çështjeve publike – që të gjitha janë për shitje ofertuesit më të madh. LDK-së i nevojiten votat e Listës Ruse, andaj edhe përpjekja e tij prej trileri komik për të ardhur në Kosovë nga Zvicra me avionin privat, por duke shmangur karantinën. Ardhja e Pacollit në Kosovë duhej të garantonte që me dy votat e tij të formohej Qeveria e cila do ta godiste korrupsionin.

Në fakt, Lista Serbe dhe ajo Ruse janë të nevojshme për listën e tretë, atë të Hyrave. Sapo vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, deputetët e zgjedhur dhe forca politike e tanishme e partive politike do të ndryshojnë. Disa deputetë nuk do të zgjidhen, disa prej tyre nuk do të kenë mundësinë të jenë ministra, disa parti mund të mos kenë forcë të mjaftueshme për vendimmarrje. Që të gjithë ata përbëjnë forcën e quajtur Lista e të Hyrave; duan ta nxjerrin në maksimum investimin e bërë për zgjedhjet e kaluara. Qeveria e re duhet të ruajë pozicione deputetësh, vende ministrash e zëvendësish dhe tërë aparatura që vjen me të; duhet të ruajë të hyra për personin e partinë sa më gjatë të jetë kjo e mundur.

4.

Kontrabandimi që po përpiqet të bëhet ka një motiv madhor, e ai është kthimi te një status-quo para reformave. Vetëm shkarkimi i udhëheqjeve të ndërmarrjeve publike – që u konsideruan si bankomatë për partitë e qeverive të mëparshme – tregoi majën e Ajsbergut të shtetit të kapur, por edhe se është i mundshëm reformimi i vendosur e drastik i shoqërisë. Reformimi, po të vazhdonte, do të prekte çdo segment të establishmentit, do ta prishte rehatinë e Listës së të Hyrave.

Udhëheqja e ngushtë e LDK-së tashmë e ka kaluar Rubikonin e hamendësimit dhe do të kthehet te ngrohtësia e status-quosë, e siguruar nga tri listat. Por, tash duke marrë përgjegjësinë e kontrabanduesit të mallrave për ndërmarrjen e përbashkët andejligjore të prirë nga H.Thaçi.

Fërkimi të cilin do ta sjellë krijimi i dy realiteteve paralele e kundërthënëse (një Qeverie në detyrë me përkrahje të Kushtetutës dhe një të kontrabanduar me përkrahje të 61 deputetëve) do të ishte i rrezikshëm për cilindo vend në cilëndo situatë. Aq më shumë është për Kosovën në kohën e pandemisë. Ndoshta kur të arrihet deri te pika më e lartë e konfrontimit do të ketë maturi për të kërkuar rrugë procedurale për zgjidhjen e lëmshit që po krijohet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.