Viz. S. Kamberi «Artist i Popullit»
FASLLI HALITI
SI THONI JU?
Përçmuesve të Luftës dhe këngës sonë
.poemë.
Për Luftën,
U zure
Sot
Me dikë në kafene
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe,
Të zihesh, të grindesh, nuk ka sens, nuk ka përse!
* * *
Po!
Ne
I kënduam Luftës.
Si thoni ju
Të mos i këndonim kapedanes,
Guximtares, trimreshes, luftëtares,
Partizanes me yll në ballë,
Sjellëses së lirisë,
Çlirimtares ?
Mbi zaje inkandeshente
Dhe dëborë flakësh,
Si Kapaneo
I Ferrit
U vu
Atdheu ynë;
Si Kapaneo i Dantes
Që s’diti të nënshtrohej
Në shekuj,
Në jetë
E si mund ta linim ne atdheun
Të nënshtrohej në shekullin njëzetë ?
Si thoni ju?
Të mos i këndonim trimërisë së maleve me yll në ballë,
Si thoni ju të mos i këndonim,
Pushkës fisnike me gjalmë,
Pushkës modeste,
Pa stolira ari,
Argjendi,
Fildishi;
Pushkës trime
Që po na sillte blerimin,
Të mos buçiste për të kënga jonë
Me tinguj ari:
Dalëngadalë
Po na vjen
Behari?
Po.
Ne
I kënduam pushkës me gjalmë
Pushkës që rrëzoi aeroplanin kob.
I kënduam ne
Llastiqeve të Colit
Me to Coli qërronte
Gjermanët me helmeta.
Pse të mos i këndonim llastiqeve ne,
Armës më të vjetër
Armës më të re?
Me çfarë e vrau Davidi Goliatin,
A s’e vrau vallë me një gur, vërvitur me hobè…?
Ne,
U kënduam dëshmorëve:
Si thoni ju
Të mos u këndonim plagëve të gjokseve,
Plagëve si bozhure në lule të ballit
Të mos u bënim kurora
Me degët
E dafinave?
Në doni të pështyni,
Pështyni mbi plagët e turpshme të shpinave!
Si thoni ju
T’i linim
Pa poezi, pa këngë,
Plagët bozhure, trimëresha,
Plagët heroina të djemve partizanë ?
Mjaft!
Me numra
Dhe llogari plagësh.
Plagët për Liri s’numërohen
Plagët e Lirisë nuk përfliten, s’namatisen,
Plagët e Lirisë vetëm venerohen…
Për Luftën,
U zura
Sot
Në kafe
Me dikë
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe
Të zihesh, të grindesh, nuk ka sens, nuk ka përse!
Ne luftuam.
Mjaft!
As topi
S’e luan.
Pyetni malet
Pyetni dhe fushat,
Pyetni dëshmitarët tanë,
Pyetini yjet, vetëtimat, retë
Që mes plumbave, borës breshrit, na panë
Pyetni bubullimat dhe rrufetë
Që mbi ballin tonë me yll,
Binin ditë dhe net…
Edhe
Pse fëmijë,
Pse i vogël fare,
Edhe unë luftova
E ndihmova dhe unë
Luftën Nacional Çlirimtare:
Vdekje Fashizmit!,
Thirra
Para
Pushtuesve
Fashistë, gjermanë,
Dhe këndova këngën
S’e pushova këngën, o i vogël o partizan
Dhe e këndova gjer në Çlirim:
O, i vogël, o partizan,
O Col i vogël, o shoku im.
PJESA E DYTË
Po,
Ne
Kënduam këngën e ditës:
Karkaleci në majё të grurit,
Karkaleci
Në lëndinë
Do ta djegim, do ta përvëlojmë
Dhe e dogjëm, përvëluam,
Me vajguri me benzinë.
Si thoni ju,
Tё mos e digjnim karkalecin,
Ta linim tё na hante
Grurin,
Misrin,
Blerimin
Tё mbeteshim pa bukë,
Të mbetej i uritur atdheu ynë,
Të mbetej pa një fije bari të njomë
Pa një vatër me blerim?
Po ne
E dogjëm
Karklecin ters
Dhe gruri u tërbua,
Si karkalecat edhe uria
U përflak u dogj, u shua…
Si thoni ju, tё mos i kёndonim shiut
Kur binte njё vesё shi,
Dhe zbukuronte
Dheun
Dynjanë,
Dhe ne e masnim me metër,
E bënim bluzë, triko, xhaketë, fustan.
Fustanin
Me pika,
Plot me luleshqerra,
Për fejesa, dasma, gëzime,
Na e sillte si dhuratë neve pranvera.
Ne
I kënduam,
I thurёm poezi
Kanalit tё Myzeqesё:
“Ec e ec
E s’ka tё sosur,
Ky kanal’ i Myzeqesё,
Sa i gjatё e sa i gjёrё,
I çan fushat mes pёr mes’
Si të mos i këndonim ne, kanalit që hapëm vetë
Edhe pse adoleshent
Kam hapur dhe unë
Kanal
Në Çukas
Dhe Vlashuk
Që Fusha ime Myzeqare
Të gatuante, të piqte më shumë bukë…
Si thoni ju,
Tё mos i këndonim kanalit
Qё bёri tё valëzonin grunajat,
Tё shushuriste tёrshёra dhe thekra,
Që blerimi tё shtonte ngjyrёn e blertё,
Qё mbi grunoret tё pluskonin flutura
Dhe mbi lulekaçe
Të pluskonin
Bletёt.
Që bletët të mjaltonin…
Si mund
Tё këndonim ne,
Si mund tё shkruanim
Pёr flutura, për qiej tё kaltër,
për dashuri,
Kur ne,
Ishim pa bukё,
Kur bujku dhe populli lutej për një pikë shi?
* * *
Ju
Talleni sot,
E shikoni me qesëndi
Kombajnën e kuqe
Ekskavatorin
Gri…
Por
Ajo kombajnë, ai ekskavator
Gёzoi shpinat e bujqëve,
Shpinat tona punëtore.
Shpinat tona fshatare,
Që jo vetëm gёzuan,
Por shpërthyen
Stuhishëm
Në ovacione,
Në duartrokitje
Të stuhishme nga gёzimi.
Shpinat fshatare shpëtuan nga drapri kërrusës,
Shpatullat punëtore shpëtuan nga këputja, mundimi…
* * *
Tё kalbur nё plagё,
S’mund t’i kёndonim
Kometave,
Yjeve,
Hёnёs së re
Që na kujtonte draprin
Dhe kurrizet ndjenin këputje
Kur hëna rritej dhe bëhej e plotë,
Na kujtonte ajo misërniken e verdhë
Që e shihnim netëve dhe s’e hanim dot;
S’mund t’i këndonim
Zemrës, vetullës,
Gjinjve;
Syrit të kaltër, syrit të zi,
Kur vendi ulërinte
Për bukë,
Për më tepër liri…
* * *
Për Luftën,
U zure
Sot
Me disa militantë të rinj në kafene
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe
Të zihesh, të grindesh, nuk ka sens, nuk ka përse!
Para blerimit të ri, para lulesherrave, para manushaqeve…!
Korrik, 2008 – qershor 2010 – 2019