Shqiptarofobia dhe se si serbomëdhenjtë flasin për interesat e veta “me gojën tonë!”

0
600
Gjergj Kabashi

Gjergj Kabashi

Gjuha e urrejtjes, shantazhi, Islamofobia…
Gjuhë e urrejtjes apo Shtet-urrejtje?!

Disa miqë të mij me të drejtë vazhdojnë të shkruajnë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes nëpër media dhe në rrjetet sociale. Por, çështja është tek mosshqyrtimi kritik nga ana e tyre të pranisë gjithnjë e më të madhe të kësaj gjuhe kontaminuese, të dëmshme dhe me pasoja për njeriun e për vendin. Të mbysin fjalët e rënda, ta zënë frymën. Të ngulfasin. Sikur zhvillojmë luftë speciale ndaj vetvetës, diçka që pos tek ne nuk ndodhë askund tjetër.
Ta zëmë që gjuha që përdoret ndaj Hashim Thaçit në të shumtën e rasteve mund të konsiderohet gjuhë urrejtjeje, mirëpo ata që e analizojnë këtë gjuhë dhe pasojat e saj, duhet të pyesin: “Pse urrehet Hashim Thaçi?

Personalisht atë nuk e urrej për asnjë arsye personale, pasi ai nuk ma ka zënë rrugën.  Mirëpo pa mëdyshje e urrej “idenë e tij” për “ndarje territoriale” e “këmbim territoresh”, “për korrigjime kufinjsh” e “për tokat e Rankoviqit”, që është plan-projekt i SANU (pra ndër shumë projektet e Akademisë së Arteve e Shkencave të Serbisë), të njohur për aq shumë zjarrvënie, mizori e tmerre në mbarë hapësirën e ish-Jugosllavisë, ide që artikulohet nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, të cilën presidenti ynë e ngre lartë, hapur apo fshehurazi, si ta valëviste kishte një bajrak Turkije! Prandaj, si gazetar hulumtues-zbulues me përvojë të thuash 40 vjeçare, gjithnjë mendoj për “bagazhin” politikbërës e kuazishtetbërës të Hashim Thaçit. Mendoj për gjithë atë që është folur e flitet për të.

Duke dëgjuar gjëra të pabesueshme apo më pak të besueshme për të, mendimi im si është se të gjitha gjurmët e fërkemët për shumë probleme të Kosovës së luftës e pasluftës, shpiejnë kah Hashim Thaçi si dhe një pjesë e kryesisë së PDK-së. Dhe jo vetëm të atyre. Edhe kah “paqësorët” e LDK-së. Prandaj, ju që jeni mjaft të zgjuar por që e them me keqardhje e dashamirësi nuk i kuptoni çështjet e ndërlidhura me gazetarinë hulumtuese (zbuluese), – por vetëm tirrni lesh e thurni mendime të lira si të shkruanit poezi, do të ishte dashur të jini më të qetë e më të durueshëm.

Të ndaleni pak, të prisni e të reflektoni.

Dhe mos e hiqni prej mendjes për asnjë çast se Presidentin e kemi të shantazhuar. Për fatin e keq të vendit. Kush nuk beson, mjafton që t’i kthehet rrëfimtarisë për të në këto 22 vite. Për këtë arsye ai ështē ngjitur si ngjitës i fortë në krye të shtetit që nuk do t’i shkapet në asnjë mënyrë, qoftë edhe me kushtin që larg qoftë të rrëzohet me të! Të shtetit me të cilin ndjehet i lidhur e që njëherit sikur lë përshtypjen se e ka barrë të madhe.

Sikur do të shkarkohet nga diçka.
Si çdo i shantazhuar tjetēr…

E të tillë që e përjetojnë si rrezik personal të mos jenë në pozita të larta shtetëre, në vendin tonë nuk kemi pak!

Cili është definimi i vërtetë i gjuhës urrejtëse, e cila për fatin tonë të keq aq shumë është e pranishme në Kosovë, Shqiptari dhe në viset e varfëra të globit, e shpjegojnë shumë libra që e trajtojnë këtë temë në mënyrë shkencore. Ja definicioni i Wikipedia-s, për të:
“Urrejtja (nga anglishtja: hate speech) është një shprehje që i sulmon njerëzit ose grupet bazuar në gjininë, përkatësinë etnike, fenë ose besimet, paaftësinë ose orientimin seksual, identitetin gjinor ose shprehjen gjinore. Urrejtja drejtuar një individi përmendet si ngacmim, ajo është në shënjestër të një grupi të njohur si gjuhë urrejtjeje ose retorikë e urrejtjes.

Përkufizimet e retorikës së urrejtjes shpesh bazohen në qëllimin prapa përdorimit të gjuhës, efektin e përdorimit të gjuhës ose efektin e mundshëm që përdorimi i gjuhës ka në audiencën e tij, d.m.th., audienca ose lexuesit. Në veçanti, pasojat e mundshme të retorikës së urrejtjes e bëjnë përdorimin e gjuhës ndryshe nga llojet e tjera të shprehjeve, siç janë fyerjet. Përdorimi i gjuhës mund të ketë një ndikim negativ në një grup sepse mund të ndikojë në reputacionin, statusin dhe vetëvlerësimin/vetëbesimin e tij. Disa lloje të shprehjeve të urrejtjes mund të jenë të dënueshme për racizëm”, sipas Kodit Penal të cdo shteti demokratik. Wikipedia

Sikurse dihet tashmë, tek shqiptarët është një keqkuptim i madh dhe pështjellim i neveritshëm rreth asaj se cili është kuptimi i vërtetë logjik i gjuhës së tillë të keqe, fyese, urrejtëse.

Për shembull, duke rënë nën ndikimin e propagandave të huaja antishqiptare, disa shqiptarë naiv e të cekët, të indoktrinuar fetarisht me Islam, apo më mirë të thuhet islamistët politik të “Arnautllukut”, e futën si term të tillë urrejtjeje edhe të ashtuquajturën Islamofobi, (Term që njihet në gjithë botën si “frikë nga Islami”, i shpikur nga Islami Politik Global), duke dashur që duke u fshehur pas saj ta vazhdonin punën e tyre shkatërrimtare ndaj kulturës, historisë e traditave të vërteta të kombit Shqiptar, në rastin tonë.

Islamofobia nuk është “çështje” që do të duhej ta preokupoj asnjë Shqiptar/e, por ajo që duhet t’i preokupoj e shqetësoj pandërpre shqiptarët, është Shqiptarofobia, apo armiqësia e hapur apo ajo e kamufluar e perfide ndaj kombit shqiptar. Në këto njëzet vitet e fundit të lirisë shqiptare në Kosovë, pasi vendi u çlirua nga NATO dhe UÇK-ja, në vend se të forcohej identiteti kombëtar shqiptar, i cënuar e lënduar historikisht, qarqet antishqiptare e kishin pasur paraprakisht të gatshëm planin për zbehjen, zhbërjen dhe infektimin me islamizim të kulturës nacionale shqiptare. I blenë, edukuan dhe vendosën në pozicione të caktuara e me ndikim edhe islamistët politik të “Arrnautllukut”, qoftë në Shqipëri, ku ishin etablue më herët, apo në Kosovë e gjetiu pas luftës.

Ky infektim antishqiptar ndodhi para syve e veshve të “çlirimtarëve” tanë, të cilët, si të pakulturuar e natyra të korruptuara që kishn pas qenë, e ndihmuan islamizimin antishqiptar të kombit, duke i dhënë Kosovës Shqiptare një “pamje Kandahari”, vend me mijëra xhami të ndërtuara e të meremetuara nga ana e Turqisë, vendeve arabe-islamike dhe atyre pansllaviste, që u kanë qëndruar pas me logjistikë. Shikojeni Kosovën gjithandej, cep më cep, dhe do ta shihni dhe vëreni qartë se me çfarë logjike ushtarake janë ndërtuar xhamitë në vendet më strategjike, për ta krijuar përshtypjen se ky nuk është një vend Shqiptar, siç ishte dhe vazhdon të jetë, pos si një “vend Musliman”.

Shikojini shifrat e panislamikëve që i dhanë jetëkotat e tyre për “Levantin” dhe “Tokën e Shamit”, shikojini “të kthyerit” e të “kthyerat” nga Siria e lufta religjioze panislamike atje?

Meditoni pak për nacionalizmin paralel, panislamizmin, xhihadizmin pra, që i konkurron madje edhe e ngre kokën lartë përmbi kulturën dhe ndërgjegjën e kombit shqiptar. Shikoni e mendoni rreth asaj se si dikush në emër të shtetit tonë, Kosovës, i përmbanë vehabistët e BIK-ut, por nuk i mbronë imamët e kulturuar e shqiptarët e mirë, siç janë Xhabir Hamiti, Drilon Gashi e disa të tjerë.

A nuk është kjo Shqiptarofobi?

Pra, nuk e duan e as që e mbrojnë imamin që ka preokupime kombëtare shqiptare dhe që fenë (religjionin) nuk e mendon për interesat e Turqisë panislamike e të Serbisë antishqiptare, por si nevojë të vetën të brendshme, që nuk e ndikon dhe pengon kombin, por vetëm e mbronë atë.

Për shantazhin dhe të shantazhuarin

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor këto ditë në një pyetje të bashkëpunëtorit tonë Nefail Maliqi për Revistën Drini, tha: Nëse ju shqiptarët e përkrahni idenë e Thaçit dhe Vuçiç për shkëmbin territoresh, për ne s’është problem!

Natyrisht që s’është e s’ka si të ketë problem për askend, pos për Shqiptarët !

I nderuar z. Pahor, President i Republikës së Sllovenisë,

Këtu është një keqkuptim i madh nga ana e juaj dhe e një pjese të botës demokratike. SHQIPTARET nuk e përkrahin asnjë “ide” të Thaçit, pasi ai nuk ka qenë kurrë i zoti e as i aftë për ndonjë ide. Ajo që ju e cilësoni si “ide të Thaçit dhe Vuçiçit për shkëmbim territoresh”, është ide e SANU (Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Serbisë), që artikulohet për interesat e shtetit të Serbisë nga Presidenti i saj, Vuçiç-i, për rikthim perfid nën pushtimin e sërishëm të pjesëve të vendit tonë sovran. Ne, z. Pahor, në realitet nuk kemi President. Ai na është imponuar. Dhe ai është një njeri jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën, aq i dëmshëm sa mungojnë fjalët për ta përshkruar dëmin që ia ka bërë vendit të vet, qëkur shërbimet sekrete antishqiptare i ndejtën afër këmbëve, që ta trimëronin për të gabuar, për ta shantazhuar në një ditë të rëndë për Kosovën, si kjo e sotshmja.

Hashim Thaçi thjeshtë është i shantazhuar.

Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, fjala shantazh/shanntazhim, e ka këtë kuptim:
“SHANTAZH m.
Shtrëngim që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij, duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton, se do të rrezikohet ai vetë a një i afërm i tij etj.; frikësim që i bëhet dikujt për ta mposhtur, për ta përkulur dhe për ta detyruar të veprojë në dobi të një tjetri; mjeti a mënyra që përdoret për këtë qëllim. Shantazh ushtarak (politik). Shantazh atomik (bërthamor). Shantazh i egër (i përbindshëm). Politika e shantazheve. Bën shantazh. Përdor shantazhet. Nuk frikësohemi nga shantazhet.”

Por, e keqja e popullit të Kosovës është se ky nuk është çfarëdo i shantazhuari, por i shantazhuar në krye të shtetit, në majen e tij!

Kjo për shqiptarët është një tragjedi të vërtetë kombëtare për secilin prej nesh dhe për territorin e vendit. Mirëpo, po të kishte Kosova parti të vërteta politike, e jo si LDK e mbushuar po ashtu me të shantazhuar, punët do t’i kishte më mirë dhe do të ekzistonte shpresa për atë vend. Mua më dhemb shumë dhe personalisht nuk pajtohem,- megjithëse se kam asnjë ndikim praktik për të penguar, pos që vazhdoj të shkruaj me ëndje rreth temave të këtilla, që një njeri si Hashim Thaçi t’i ketë në “dorë” çështjet kaq të ndjeshme që mund ta dëmtojnë një komb.

Sigurisht që me Serbinë, në rast se ajo do ta njihte pavarësinë e shtetit të Kosovës, do të kishim shumëçka për të biseduar për shkak të historisë së hidhur të marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe terrorit dhe gjenocidit mbi dyqindvjeçar ndaj hapësirës jetësore të kombit shqiptar, por jo tash, jo tash kur jemi kaq të pabarabartë dhe kur “Presidenti ynë” idenë serbomadhe e paraqet si të vetën!

Eshtë për keqardhje se si bashkësia ndërkombëtare, pra edhe SHBA-të, e durojnë që të paraqitet në emrin e një populli kaq të munduar e terrorizuar historikisht këtë njeri që se respekton as populli i vet.

Edhe Gjykata Speciale e Hagës, me heshtjen e vet kaq të gjatë, është duke e lënë përshtypjen e diçkaje humoristike (ndoshta edhe cinike) në një anë, përderisa ata që po na shantazhojnë me të shantazhuarit “tanë”, ia kanë vënë një populli e territorit të tij “Shpatën e Demoklit” mbi krye.

Nevoja për Serbishten !

Përpara luftës e lexoja rregullisht shtypin e ish-Jugosllavisë, sidomos atë serb, NIN-in, të përditshmen Politika, V. Novosti-n etj. Duke iu falënderuar mundësisë që ma krijonte njohja e  mirë e serbishtes në atë kohë, leximi dhe informatat e tilla më kanë ndihmuar shumë në ushtrimin më me lehtësi të profesionit të gazetarit në kohë pushtimi.

Pas shumë vitesh, jam ndier “i detyruar” e nostalgjik profesionalisht që kohëpaskohe ta lexoj shtypin serb për ta kuptuar të vërtetën se çka është duke ndodhur në Kosovën tonë, qoftë edhe duke u përpjekur për t’i kuptuar gjërat, lëvizjet, rrjedhat, gjendjen edhe “në mes të rreshtave”. Eshtë një mendim pothuaj proverbial që nëse don me ditë se kush është armiku yt, ti duhet të bësh përpjekje për ta njohur atë. Natyrisht që ne shqiptarët (as une) nuk do të duhej t’i konsideronim serbët e Serbinë përjetësisht armike, po të mos vazhdonin siç po vazhdojnë të sillen armiqësisht ndaj nesh. Me politikën e vazhdueshme serbomadhe, ata së bashku me një pjesë të “udhëheqsve tonë” na kanë depërtuar në brendi dhe po flasin e veprojnë nga brendia jonë, me “gojën tonë”. Jo vetëm përmes Lista Serbe, por përmes atyre që e ulin kokën dhe bishtin (pasi nuk janë njerëz, se po të ishin njerëz nuk do të kishin bishta!), duke i shërbyer të keqës, veprimit antikombëtar e antishtetëror.

Shtypi i Serbisë, të thuash në përgjithësi, është në shërbim të politikës serbomadhe.
Në realitet ka serb aq mendjehapur e mendjendritur që shkëlqejnë me shpirtbardhësinë e tyre. Ata shpesh flasin për ne, më mirë e më me dije se vet ne për vetën tonë!
Ata nuk janë aq pak, por nuk kanë hapësirë shprehjeje e veprimi për të mirën e raporteve shqiptaro-serbe, të raporteve Kosovë – Serbi.

Si djali i aktorit të madh të humorit Çkalja-s (Çkalës), e të tjerëve si ai.
Për krahasim nga ai shtyp, ky i Kosovës është një shtyp i stërkequr, të thuash “tallava” me elemente të theksuara mercenarizmi, narcisoizmi e preokupime të mbrapshta që nuk mund të fshihen e kamuflohen përpara syve e mendjes së opinionit publik. Mjafton t’i shohësh debatet e shumëta, ku të krijohet përshtypja thuajse je në arenë “luftërash të gladiatorëve”, ku vetëm duhet të presësh momentin se kush kë po e shkatërron, mposhtë e rrëzon, se kush po bie! Kështu e ke nga ajo që e sheh tek shpërfaqjet publike të moderatorëve të Tv Dukagjini. Injorant tipik. Madje edhe arrogant “profesional”.

Gati sa nuk ngatërrohen me të ftuarit në studio. Njeriu nuk e din se a më i rëndësishëm është gazetari apo bashkëbiseduesi/bashkëbiseduesit që i kanë ftuar që të tregojnë, të kallxojnë e të rrëfehen për publikun? Thjeshtë, këta “kuaj të trojës” në profesionin e gazetarisë, – që gjënden në të gjitha studiot televizive e në shtypin e vendit, janë kryesisht disa injorantë që flasin shumë por që kanë pak mendime të qëndrushme, përmbajtësore, kulturore, etike-profesionale. Këta me egërsinë dhe mbisundimin e tyre ndaj atyre që i intervistojnë, e trembin këdo që ka për të thënë diçka, këdo që do të kallxoj. Këta qartë nuk janë atdhedashës të njëmendt dhe gazetaria e tyre nuk bazohet në formimin e qëndrueshëm intelektual dhe kulturor, sidomos u mungon njohja e etikës në gazetari. Cektësia e tyre e vërehet në fjalorin e tyre. Në ngutjen për të folur. Në mrroljet. Zymtësinë që nganjëhere e shfaqin para bashkëbiseduesve e publikut. E vëren në fjalët e shumëta, por të zbrazura nga kuptimet.

Thjeshtë, mercenarizëm …
Qoftë ai edhe i pavetëdijshëm.

Lexojeni këtë shkrim të alo.rs , jo me i besuar në mënyrë jokritike, pasi nuk është për t’i besuar për shkak të djallëzisë që e përmbanë brenda dhe pasi shtypi atje është në favor të politikës serbomadhe dhe shestimeve e përllogaritjeve të shërbimeve sekrete dhe të propagandës serbe, por, megjithatë, për t’i kuptuar disa të vërteta të hidhura për ne.
Për delen që gati krejt e kishte pas hangër ujku, e mendonte që është në ëndërr!
Një pjesë e të dhënave që gjenden në këtë shkrim të alo.rs, janë të bazuara, logjike dhe për fat të keq, të vërteta …

Ndërkaq shkrimi im për të nuk është i shkruar për ta zgjuar Vetëvendosjen që iu mor pushteti në mënyrë jodemokratike, por për zgjimin, vetëdijen dhe syceltësinë e një populi të tërë !

E kam thënë më herët dhe e përsërisë edhe tash: Serbia me UDB-ën e dikurshme apo  BIA-n e sotshme, na i ka programuar dhe ngjitur në institucionet shtetërore e partiake një pjesë të “udhëheqësve tanë” trima! Ti mendon e kujton që është i yti, por “bishti i tyre” i zënë me derën e sigurimeve shtetërore serbe, i detyron ata që të punojnë dhe të angazhohen për interesat serbomëdha.

Deshtën apo nuk deshtën ta pranojnë detyrën, “ko ih pita ?”
Kush e pyet të shantazhuarin, “pash’ Besën” ?!

* * *

Ja një dokument i policisë gjermane që e bënë publik Ibrahim Kelmendi, e cila kërkon të dhëna nga policia e Zvicrës për Behxhet Pacollin në lidhje me dyshimet rreth vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Behxhet pacolli pas lufte arriti të bëhej për pak ditë president i vendit si dhe disa vite Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1162790920739092&set=a.120495504968644&type=3&eid=ARDIa8QD1g-QLHLxkt9m9poFpydXsAWaq1eH2joOQvb9MsqTm8F2qQ_1ciFhulwCGpTwIoYBzOpb1671

[Shqipërim nga gjermanishtja e shkresës, që po e shihni në faksimile:]

Enti Federal i Kriminalistikës (Bundeskriminalamt)
ST 33 për LKA BW (Enti i Kriminalistikës i Landit Baden-Württemberg)
Aktualisht në Heilbronn, më 5 shkurt 1982

Shënim

Lënda: Vrasja e trefishtë e tre jugosllavëve në ekzil më 17.1.1982 në Untergruppenbach, Qarku i Heilbronnit;

Këtu: dyshimi (indikacioni) sa i përket veturës Mercedes, me targa zvicerane TI-30408
Më datën 5 shkurt 1982 zoti ZWEIFEL nga Policia Federale në Bernë njoftoi përmes telefonit se është kryer verifikimi i alibisë i mbajtësit të targave me numrat e lartpërmendur.
Mbajtësi Behgijet PECOLLI (Behgjet Pacolli) deklaroi me sa vijon dhe këtë e dëshmoi përmes vulave në pasaportë dhe faturave të hoteleve:
Tha se më 9 janar 1982 ka udhëtuar nga Chiasso në Jugosllavi.
10 janar 1982 – 03:00 – kalimi i kufirit.

Tha se më 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizë për në Shqipëri. Tregoi se me veturën e tij Mercedes ka udhëtuar deri në kufirin e Shqipërisë, ku e kishte lënë veturën. Tha se udhëtimin në Shqipëri e kishte bërë për shkaqe zyrtare, andaj nga pika kufitare Sedar kishte udhëtuar më tutje me një veturë zyrtare.

Sipas tij, më 17 janar 1982 përsëri ishte kthyer në Jugosllavi (vula hyrëse gjendet në pasaportë). Tha se në orën 03:00 (18.1.82) kishte arritur në vendlindje, ku kishte qëndruar deri më 20.1.82. Më 21.1.1982, sipas tij, ishte kthyer në Zvicër.
Ai (Pacolli) tha se e njeh Selim BROSHËN. Bëhet fjalë, sipas tij, për një kushëri të largët. Pacolli tha se e di që BROSHA është shef policie dhe se punon për UDB-në (UDBA). Por tha se mban pak kontakt me BROSHËN.

Raporti mbi verifikimin e alibisë i dërgohet Komisionit të Veçantë; po ashtu edhe kopjet e dëshmive të ofruara.
(Nënshkrimi)
(Müller) KHK

A KISHTE ALIBI BEHXHET PACOLLI MË 17 JANAR 1982 ?

Një shkresë që e kam pa moti në dosje të kryehetuesve të LKA (Landeskriminalamt Baden Würtenberger Stuttgart/ Enti republikan i kriminalistikës për Republikën e Baden Vyrtenbergut në Shtutgar), dje e ka publikuar Haki Imeri. Në atë shkresë, siç shihet nga faksimili, bëhet fjalë për komunikimin që kanë pas BKA [Enti Federal Gjerman i Kriminalistikës (Bundeskriminalamt)], me institucione policore zvicërane, për të siguruar informata për të dyshuarit Behxhet Pacolli, lidhur me vrasjet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë.” Marrë nga profili në fb i atdhetarit e shkrimtarit të njohur Ibrahim Kelmendi.

* * *

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Behxhet Pacolli, e të tjerë sikurse këta, janë të shantazhuar.

Po të ishim shqiptarët popull i kthjellët, i gjallë dhe i pa infektuar me nacionalizma të huaj në brendinë e vet, siç është infektimi me panislamizëm, do të silleshin ndryshe për interesat e veta. Me të shantazhuarit duhet sjellë në mënyrë humane, por ata gjithsesi duhet larguar nga skena politike-shtetërore, ku na i kanë ngjitë. Duhen larguar se ata nuk janë tanët. Pikë. Këta nuk kanë të drejtë të flasin e veprojnë në emrin tonë, prandaj nuk duhet të lihen të na rrezikojnë duke e lënë Kosovën pa emër e pa zë, ashtu sikurse dëshiron Serbia dhe ata që e mbështesin.

GLAVNU REČ IMAĆE BEOGRAD I VAŠINGTON Vlada Kosova opet u rukama Srba, Albanci na kolenima! www.alo.rs

Shqiptarët nëse duan të mbijetojnë e të përparojnë si komb, definitivisht duhet t’i largojnë nga udhëheqja me shtetin të gjithë të korruptuarit e të shantazhuarit. Shqiptarët nuk mund t’i detyroj askush që të bijnë në gjunj e as të dorëzohen, duke i detyruar që t’i shesin interesat e vendit të vet.