Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Th
– Të shkojmë te fshati yt, këtë të diele, – iu luta me mëngjes babait.
– Pse jo, – qeshi ai. – Tashmë do të jenë pjekur thanat në Dumnicë, në fshatin më të bukurin në botë…
– Pse … çfarë e bën Dumnicën fshatin me të bukur?
– E bëjnë malet kaq të shëndetshme, kodrat, lumi që gjarpëron përmes luadhesh të mbushura me plot narcisë të bardhë, me aromë të këndshme, që kaq herë ma kujtojnë fëmijërinë, me plot fruta të buta e të egra.
– Cilat janë të egra, – i ndërhyra,
– Kaçat, kulumbritë, mollët e egra, dardhët e egra, murrizat, e sidomos thanat.
– Unë nuk kuptoj, babi, çfarë janë thanat.
– Th, th… – bëri ai,- bashkëtingëllorja e njëzetenëntë e alfabetit.
– Th, th… po, – ia bëra, – veçse të pyes për thanën e jo për bashkëtingëlloren th!
– Thana është një bimë që rritet e lartë, ngjanë shumë në shkurre; ka dru të fortë, me gjethe të vogla vezake e të ashpra, që lulëzon herët në pranverë dhe bën kokrra të kuqe, gjatoshe të përafërta me ullirin dhe kanë shije të athët; kokrrat e thanës piqen pikërisht tash-në vjeshtë…
– Të shkojmë, të shkojmë… – kërceva gjithë hare unë. – të shkojmë dhe t`i mbledhim ca thana, babi, të lutem.
– Ka thana të buta dhe ato janë shumë të ëmbla, – tha babai. – Nuk thonë kot të vjetrit “I fortë porsi thana apo faqekuq, si thana, me shëndet shumë të mirë”.
Ikëm për në fshatin e babait pa humbur kohë. Hëngrëm dhe mblodhëm thana dhe i sollëm në shtëpi, me të cilat bëmë lëng thanash.
Të nesërmen kërkova nga mësuesja t`i shpjegoja për përjetimet e mia në fshat. Të gjithë më dëgjonin gojëhapur.
– Qenke kënaqur, – thanë shokët e shoqet në fund të rrëfimit tim.
– Po, vërtet.
– Ke ngrënë thana, Dea, të cilat aty për aty ta kanë rikujtuar dhe tingullin Th, th… – qeshi mësuesja.