ZËRAT E PENDIMIT, DHE VJEN NJË ÇAST dhe KUJDES nga Pajtim Xhelo

0
465
Pajtim Xhelo

ZËRAT E PENDIMIT

Dikur zbret një çast ku veten nuk e ndjen,
Ke braktisur egoizmin, kopshtin e saj,
Një Eden i ri, i zbehtë, i qetë po të pëlqen,
Për të tjerët do jetosh tani në këtë skaj.

Ke gabuar, ke falur, ke urryer, ke dashuruar,
Ke rrëmbyer gjithçka ke dashur vet,
Tani nxito, vrapo që akoma pa harruar,
Jepu nga vetja te tjerëve atë që u perket!

Do t’i dëgjosh shpesh zërat e pendimit,
Zërat e shpirtrave që lënduam pa të drejtë,
Ishim të rinj dhe thellë nuk mendonim,
Se e shkurtër është jeta, dhe ecën shpejtë.

Si nuk e ndjemë, sa shumë u vonuam,
Me të tjerë njerëz, në jetë të tjera na ndanë,
U lodhëm, dashuruam, mëkatuam,
Shpirtrat që lënduam në harresë u lanë.

Si të gjithë mendonim se gjithmonë rinia,
Do përbuzte kohën, do qëndronte te ne,
S’gabuam ne, u nxitua pafajësia,
E moshës që kaleronte nëpër re!

Sa shpirtra lënduam, ndoshta dhe i vramë,
Nxituam, vraponim të verbër si erë
Rrugë pa rrugë, asnjëherë nuk pamë,
Dhe nuk dëgjuam asgjë… Asnjëherë.

Jo, s’gabuam ne… Gaboi dashuria,
Që sundonte çdo gjë, kohë dhe kufi,
Kujtonte ajo se ndjenja, bukuria,
Ishte ajër i lirë, të përkiste vetëm ty!

Tani u motuam, koha rend e rend si era,
Vrapon jeta, nxiton, ne e shohim me zili,
Gabimet, mëkatet gëlojnë si pranvera,
Si dallgë deti ngulmojnë me furi.

O mik të shurdhër, të verbër s’jemi më unë e ti,
Zërat e pendimit s’kalërojnë më nëpër re,
Shih zhurmët e mëkatit si vrapojnë tani,
As kokën nuk kthejnë të na shohin ne!

Te tjerët na përkundën në djepin e fatit,
Në trenin e fundit, hipëm vet për dreq.
U ngjitëm e zbritëm sa herë monopatit,
Rruga e përbaltur na ka lodhur keq!

Pajtim Xhelo

DHE VJEN NJË ÇAST

Pse thonë shokët: “Ke mbetur po ai,
Sa i dashur, sa i çiltër, pa fjalë,
Sikur fëmijë, sikur edhe i ri!”
E di, Zoti im, kam mbetur po ashtu,
Në zemër nuk kam as inat, as zili,
Botën e dua veç me ëngjëjt e tu.
Nuk njoh hakmarrje, as nuk kam urryer,
As kur më nxitën në terr e në zjarre,
S’lëndova askënd, askënd nuk kam fyer.
Mos është gabim që nuk kam ndryshuar,
Kështu mos nuk më pranon kjo pleqëri?
Paçka, ky jam dhe kurrë s’jam penduar.
Njoh plot artistë që ndihen si Oaz
Rrethuar nga një botë shkretëtirë
Egocentristë që hijen ndjekin pas.
Për ta pemët çelin, për ta vjen vera,
Për ta veç del diell, për ta bie shi.
Kot i bëre Zot qeniet e tjera?
Për ta fryn flladi, për ta del ylberi,
Sa bukur duken, se s’ka të tjerë…
Qenka Herkuli, na qenka Kerberi !
Kur do ai gjëmon,,sjell shkrepëtima,
Si Donkishoti mullinjve me erë,
Përreth ndjen klithma, ndihen ulërima.
Dikur edhe Zoti iu duk muzgterr,
E ç’ish ai? S’e njihte, s’e kish parë.
Më mirë ta çonte me djallin në ferr!
Pa erdh një çast që nga gjumi e zgjoi
Tmerri i pafund i një dallge lubi,
Mëkot dëshpëruar ndihmë kërkoi
Veç egoizmit të tij nuk kish njeri.

Pajtim Xhelo, 29 prill 2019

KUJDES

Nuk je ti Perëndia që jep jetët dhe vdekjet,
As bir’ i vetëm i Perëndisë ti nuk je,
Në mijëra vite Profetët bënë përpjekjet,
Për të përzënë mëkatin nga Bota e Re.
Pa mëkate ishin dhe në përjetësi mbetën,
Donin njerëzimit t’i sillnin një rend të ri,
Në flakët e përvëlimit u shkrinë, u tretën,
Pas vdekjes bot’ e vjetër i quajti Çudi.
Nëpër qiejt e vjetër, vërdallë qe satani,
Ngarkuar me urrejtjen për Profetët mbi dhe,
Mos vallë me të ish që atëhere Wuhani,
Dhe sot na i rrëzuan për një botë të re?
Nuk je ti që të sollën rrufe edhe gjëmime,
As nga Bikbengu nuk të vërvitën me magji,
Si politikanët mediokër, me premtime,
Rrëmbeve karriken që do të jepte lavdi.
Nuk e dimë ne për fat të keq; ka dy lavdi,
Njera, e vërteta, me dafina në kurorë,
Tjetra, fshehur nën parzmore dhe hipokrizi,
Tani zgjidhe vet, kë do mbash me skeptrin në dorë.
Nuk të gjykoj, edhe pse të drejtën s’ma heq ti,
Jam shpirt i lirë dhe në qiej do fluturoj,
Për ca mëkate të tjera nuk dua të di,
Po Narçizin me skeptër, nuk mundem ta duroj.
Pa do pyesësh: “Kush është ky që këshillonë,
Ku gjen kurajon m’i thotë ca gjëra në sy?
Po Zotëri, se je pjesë e mëkatit tonë,
Vdekëtarë e mëkatarë jemi të dy.
Shihemi edhe ti, edhe unë në pasqyra,
Shpesh na ndodh që pasqyra edhe nuk na gënjen
Nuk bënë vaki të të tregojë dy fytyra,
Po fytyrën tjetër, të dytën, ti ku e gjen?
Jam i sigurt që mëkati nuk është pasqyra,
Mashtruesit janë, që të thonë Perrëndi,
Dhurojnë buzëqeshje me të ylberit ngjyra,
Dhe të nxisin në mëkatin “dyfytyrësi”.
Një ditë, kur të të ketë harruar “Lavdia”,
Si të barabartë do ngroheni në një diell,
Më, si ylber, nuk do të afrohet dashuria,
Dhe lëvdatat nuk do ngjisin shkallët gjer në qiell.

Pajtim Xhelo, 24 prill 2020