Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Sh
Shumë herë e lusja babanë, të më merrte për dore dhe të dilnim në shëtitje në Sheshin e qytetit. E dëshiroja këtë, sepse për dallim nga mami, ai më fal aty për aty për ndonjë gabim të vogël e natyrisht, gjithherë, më jep më shumë liri për gjithçka.
– Do të dalim këtë të shtune, – ia bëja.
– Jo, tash bën ftohtë. Prit dhe ndonjë ditë e dalim, – më thoshte e natyrisht papritur, në fund të marsit, më propozoi të dilnim të shëtisim.
Më mori për dore dhe ecëm. Rruga të cilën e ndiqnim nuk do të na shpinte në Shesh, por nuk i fola asgjë. Arritëm në lulishten e qytetit dhe u ulëm në një stol, përballë plot lulesh me ngjyra ylberi, të cilat e mbushin hapësirën aromë të këndshme.
– Mendon se ky është Sheshi, – e shikova me habi.
– Jo, – tha. – Vetëm këtu është më qetë, ajri është më i pastër dhe m`i kujton disa ditë të hershme.
– Pse nuk vjen vetëm t`i kujtosh ditët tua të hershme, por më bart dhe mua me vete. Unë dua të shëtis në Sheshin Skënderbeu!
– Eh, po. Ke të drejtë. Veçse, zemër, duhet dhe ti të më premtosh mua një gjë.
– Çfarë ashtu?
– Të mësosh të shkruash e të lexosh pa gabime dhe rrjedhshëm. Asgjë tjetër! – tha ai dhe nga trasta e vet nxori një send të mbështjellë me gazetë.
– Çfarë është ajo që mban në dorë, – e pyeta unë.
– Është libri yt i leximit, abetarja, – e çmbështoll nga gazeta abetaren e më shikoi. E shikova dhe unë gjatë në fytyrë dhe nuk ia dola ta lexoja çfarë mendonte njëmend.
– Ja, merre, – ma zgjati abetaren. – Cilën shkronjë e ke mësuar së fundi?
– Shkronjën Sh.
– Në atë faqe ta hapësh abetaren e të lexosh. Dua të lexosh rrjedhshëm…
– Shkronjat në shi, – mora të lexoja, ndërsa një dridhje më pushtonte të tërën. Diçka në fyt më pengonte të nxirrja lirshëm zë.
– Lexo pa asnjë ngarkesë, – foli babai, – gjithherë duke i respektuar shenjat e pikësimit. Dëgjo, shenjat e pikësimit ngjajnë në stacione trenash, apo në semaforë! Treni bën rrugë të gjatë hekurudhës e ndalet në stacion. Njëjtë dhe ndezja e dritës së kuqe në semafor e ndal aty autobusin, siç të ndal dhe ty pika në fund të fjalisë… Kij kujdes, pa e respektuar të kuqen në semafor, automjeti që vjen nga ana tjetër-e majtë qoftë apo e djathtë, të godet dhe çdo gjë lëndohet.
– Po te e verdha, çfarë të bëj?
– Aty e bën gati librin të lexosh, apo e bën gati fletoren dhe lapsin të shkruash…
– E te e gjelbra?
– Te e gjelbra e vazhdon rrjedhën e leximit apo të shkrimit. Mund, pastaj, sipas fjalisë, ta ndërrosh dhe ritmin e ngjyrën e zërit.
– Kështu më ka këshilluar dhe mësuesja!
– Është fare e lehtë, vetëm duhet t`i respektosh shenjat e pikësimit, – tha ai.
– Të jap fjalën se do ta përvetësoj gjithë këtë, por dhe ti, babi, duhet t`i respektosh premtimet… – nuk munda të mos i thosha.
– Për çfarë e ke fjalën, Dea?
– Premtimin, të dalim e të shëtisim në Shesh, nuk e mbajte, premtimin të ma mësoje lojën e shahut, po ashtu e harrove…
Ai e tundi pak kokën e nuk tha gjë. E futi dorën në trastën e vet dhe nga aty nxori një shegë. E çeli dhe ma ofroi pak i tendosur.
– Gabojmë ndonjë herë, zemër, por këtë nuk është mirë ta bëjmë me qëllim, – më rrëmbeu dhe më afroi afër vetes e më puthi.