Asnjëherë në Kosovë

1
1237
Lumir Abdixhiku

Nga Lumir Abdixhiku, voal.ch | 1 gusht 2016

Mbi të gjitha, është domosdoshmëri që të ç’kapemi nga secila influencë politike paradiktatoriale. Neve na duhet një model tjetër i shtetbërjes. Një që nuk kërkon që gjyqësinë ta bëjë qeveria, apo satira të ndalohet me burg. Mendësi të tilla nuk kanë vend në kohën tonë.

1

Javën që shkoi kisha shkruar për domosdoshmërinë e çkapjes së Kosovës nga ndikimi i politikës së tanishme të Turqisë. Mjaftuan më pak se një javë para se kjo domosdoshmëri të shpërfaqej në formën më të qartë të mundshme. Në vijimësi të një komenti satirik prej “facebooku” të një gazetari kosovar, qeveria e Turqisë nëpërmjet ambasadës së saj në Kosovë kishte dërguar një letër – të gjerë e të gjatë – në të cilën kërkohej marrja e masës dhe burgosja e gazetarit në fjalë.

Janë tri observime që njeriu mund t’i nxjerrë nga një tregim si ky; gjithmonë duke abstrahuar personazhet dhe subjektivitetin eventual, që dikush mund të ketë në këtë drejtim; gjithmonë duke u përqendruar në parime pra. Të tria observimet, unë argumentoj, ushqejnë domosdoshmërinë e çkapjes të sa mëparme të Kosovës nga influenca neoosmane.

2

Observimi i parë, dhe më i rëndësishmi, është se letra në fjalë jep mendësinë me të cilën sot funksionon qeveria turke. Sipas kësaj mendësie, qeveria e një vendi duhet të ketë të drejtë të marrjes së masës dhe persekutimit të individëve – kushdo qofshin ata; duke zëvendësuar kështu organet e rendit, të pavarura në esencë. Pra, për qeverinë turke, është normale që në një shtet, qeveria e politika të zëvendësojë gjyqësinë – rrjedhimisht dhe kërkesa për marrje masash. Me këtë kallëp e me këtë mendje, sot po burgosen mbi 50 mijë qytetarë turq atje.

Observimi i dytë, jo më pak i rëndësishëm, se satira e ironizimi janë pengesë e një qeverie. Dhe janë vetëm qeveritë jodemokratike, të autokracisë e diktaturës në bërje që shfaqin reagim nervoz ndaj humorit e satirës. Pra, është pak e pritshme që ambasada e Turqisë në Kosovë të mos ketë kuptuar ironinë e postimit – siç ishte shënuar qartazi aty. Është shumë e pritshme që pikërisht satira e ironia i kishte thumbuar ata. Në fund të ditës, reagime të tilla kishte pasur dhe më parë, kur shteti turk kishte kërkuar masa të njëjta nga qeveria gjermane ndaj një komediani gjerman.

Observimi i tretë, dhe më i pritshmi, ndërlidhet me mënyrën sesi shteti turk e sheh Kosovën. Reagimi në fjalë përmban një dozë enorme të tolerancës intervenuese. Për një shtet që ka investuar shumë pak në projektin Kosovë, një guxim i tillë është hiç i pritshëm. Paralelet me intervenimet e ambasadës së SHBA-së janë të pavenda. Projekti Kosovë, në gjithë zhvillimin e vet, ka qenë projekt i përbashkët i popullit shqiptar dhe politikës amerikane – rrjedhimisht, me vend ose pa vend tjetër muhabet – e drejta intervenuese amerikane në Kosovë. Por politika turke nuk ka pasur aksione të tilla në Kosovë; asnjëherë. Ka pasur, gjithsesi, aksione të tjera.

3

Aksionet e tyre janë ndërlidhur me të gjitha kompanitë publike të transferuara në private, si dhe me të gjitha projektet kapitale të zhvilluara në vend. Merreni për pak pasqyrën ekonomike tonën. Shihni cilat janë kompanitë më të mëdha në vend. Janë të gjitha turke. Janë kompani që sot mbajnë asetet qenësore të Republikës. Dhe në të gjitha involvimet e tyre – pothuajse pa përjashtim – janë shpërfaqur afera korruptive, të praktikave të dëmshme korporatave e të ecjeve regresive.

Sot, influenca turke është e shtrirë në sektorin më të rëndësishëm tonin, në atë energjetik. Nëpërmjet një marrëveshjeje shumë të kontestuar, për një çmim shumë të nënvlerësuar, kompani të lidhura ngushtë me politikën e Erdoganit kishin blerë rrjetin e tërë energjetik në vend.

Hiç më ndryshe nuk është rasti as në Aeroportin e Prishtinës, ku një kompani çimentoje ishte shpallur fituese në fushën e aviacionit. Pjesa më e madhe e lidhjeve fluturuese që nga koncesionimi janë drejtuar nga Stambolli, përderisa kompani me renome botërore e perëndimore, si British Airways ndër të tjera – janë përjashtuar nga operimi. Prishtina, dhe pothuajse pjesa më e madhe e aeroporteve rajonale (influenca turke pra nuk shtrihet vetëm tek ne) janë bërë pika periferike e tërësisht shërbyese të Stambollit. Paradoksalisht, sot për një lëvizje në Perëndim duhet të ndalesh në Lindje.

Investimet infrastrukturore, në rrugë pra, ato 1.6 miliardët e dhëna në dy autostrada, përfshijë sërish kompani turke – këtë herë në partneritet me një kompani amerikane. Në këtë rast, veçse, kur ata shisnin e ne blinim, çmimi ishte më i larti në Evropë. Kur ne shisnim e ata blinin, çmimet ishin pothuajse falë.

Prezencën turke, të theksuar madje e dominonte, e gjen në sektorin më profitabil e më të qëndrueshëm në vend, në sektorin bankar. Sot në Kosovë mbi 50% e numrit të bankave është në pronësi turke.

E njëjta prezencë e influencë është edhe në industri të tërë, në veçanti atë të ushqimit. Të njohur si shoqëri konsumuese, ne kemi orientuar gjithë tregun tonë nga Lindja. Shihni për pak produktet në raftet e minimarketeve apo ato në shtëpi që mund t’i keni. Natyrisht se tregu e leverdia përcakton kahen e operimeve, por këtu kemi të bëjmë jo me leverdi e treg, por me invazion mirë të menduar e të ekzekutuar në përpikëri.

4

Në gjithë këtë invazion kosovar, Turqia ka qenë kontribuuese e theksuar e rrymave fetare që në thelb, siç kam argumentuar një javë më parë, nuk kanë pasur konsolidimin e besimit, por shndërrimin e tij në mjet për të sulmuar shekullarizimin në Kosovë. Këto rryma janë futur në institucione religjioze, por para së gjithash, edhe në ato edukative. Do të na duhet shumë pak kohë për të kuptuar intensitetin e një intervenimi të tillë.

Kosova pra ka lejuar shtrirjen turke, sepse prijësit e saj, për interesa tërësisht korruptive, kanë preferuar pazaret prej allishverishi para investimeve me renome. Pra, në energjetikë ne kemi ndjekur kompani gjermane për t’i zëvendësuar ato me miqtë e familjarët e Erdoganit. Në aeroport, që ishte inauguruar nga i njëjti, ne kishim larguar kompani franceze. Në industri të tëra ne kemi përndjekur investitorë evropianë – që, nëse asgjë tjetër, do të sillnin kulturë korporatizimi modern, dhe në vend të tyre kemi marrë e pranuar tyxharë.

Dhe të mbesim të qartë, investimet e këtyre tyxharëve janë hajgare. Pra, në Kosovë, kudo që ka prezencë turke, nuk bëhet fjalë për investime të njëmendta të vendeve të punës e krijimit të inovacionit apo vlerës. Bëhet fjalë për zhvatje e marrje të sa mëparme të ndonjë ajke financiare që Kosova mund ta ketë.

Sërish, është domosdoshmëri që këtë influencë të shtrirë gjithandej në vend, ta zhbëjmë. Jo duke i përndjekur operatorët këndej, por duke i mbushur me konkurrencë e prurje të reja nga Perëndimi. Në konkurrencë me Perëndimin, allishverishet s’do të kenë gjasë.

Mbi të gjitha, është domosdoshmëri që të çkapemi nga secila influencë politike paradiktatoriale. Neve na duhet një model tjetër i shtetbërjes. Një që nuk kërkon që gjyqësinë ta bëjë qeveria, apo satira të ndalohet me burg. Mendësi të tilla nuk kanë vend në kohën tonë. E pavarësisht simpatisë jo të vogël që politikat zyrtare turke kanë – paradoksalisht – në mes nesh, është obligim patriotik yni, i mendimtarëve e intelektualëve të tjerë, që këtë shoqëri ta formësojnë shumë më ndryshe.

[email protected]

1 KOMENT

  1. Lumir Pishpirikgjiku,

    Ti duhet me e bo, nje veprim qe quhet zavendesimi i emrit otmanoarabpturqelik… Abdixhiku….c.c.c.c.c.c.c..c çfarë mbemri super pa lidhje… me nje emer aq te bukur LUMIR… c.c.c.c.c.c nuk shkon emri SHQIP, mbiemri magjupisht (egjiptian)…

    Kur te e nderron kete mbiemer qenenfoturqelik folan per ErdoOrangutanin… edhe kur te ndalon me i festue festat turkoarabike te Muhamedanizmit terroristitk.

    Kishe po e shaj islamin …e kende …per hajr bajrami…c.c.c.c.c.c.c.c.c.tphuuuuu hipokrit islamik.

Komentet janë mbyllur.