Ky shpirti im – KËTU DO JETOJ – PRANVERA MË NUK VJEN

0
467
Trëndafil i bardhë

Ky shpirti im

Ky shpirti im endacak, si i mitur,
Më lodhi gjithë jetën, më mundoi,
E mora përdore rrugës për ta rritur,
Veç asgjë i paudhi nuk mësoi.
Sa prita që ai t’i zbriste kalit,,
Këmbëzbathur të vrihej nëpër gurë,
Doja ta shihja të ngjitej dhe malit,
Po shpirti arixhi nuk m’u bind kurrë.
Nga dora ikte dhe futej stuhisë,
Në flakë hidhej, digjej në zjarr,
Pa zhytej dhe notonte marrëzisë,
Kur i shkrepej rikthehej në Altar.
Vraponte shpesh, po herë fluturonte,
Rrëmbente dimrit ngricë dhe acar,
I heshtur, gjithë botën ngatërronte,
Veç nuk lëndoi, nuk bëri zarar.
Më lodhi i paudhi, më mundoi,
Veç nuk më motoi, më mbajti të ri,
Si erë nomade, ku nuk më çoi,
Më ngrohu me shpresë dhe dashuri.
Eh, shpirti im, sa herë të kam sharë,
Jam grindur shpesh si kokorosh me ty,
Madje, të kam lënduar, të kam vrarë,
Në ag përdore na shihnin të dy.
Frikesha nga bot’ e egër, mizore,
Mos thikën pas shpine të ngulte ty,
Të kapja e të mbaja fort përdore,
Po me pranga s’të lidhja dot aty.
Të sertë, rebel dhe mua më doje,
Në terr e dritë më sillje liri,
Heshtur dhe fshehur , kurrë nuk harroje,
Të më çoje te cigania rini.
Kjo botë kusare rrëmbeu vitet,
Veç për mua të shkretin, jo për ty,
Më kot prita që fëmija të rritet,
Ti edhe mua po më mban aty.
Eh, çamarrok, ti kurrë nuk m’u ndave,
Dhe pse shpesh rendje në botë të re,
I këndove mallit, shpresën s’e vrave,
Thinjosh,, po të vetëm kurrë s’më le.

Pajtim Xhelo, 28 prill 2020

KËTU DO JETOJ

Mes hapësirës Tokën Zoti zgjodhi,
Na solli ne për në përjetësi,
Nga qiejt Parajsën këtu e hodhi,
Na tha : ” Do jeni të zgjedhurit e mi! ”
Miliona vite tashmë kaluan,
Koha nuk ndaloi, nuk u plak, nuk vdiq,
Miliarda njerëz lindën, jetuan,
Toka i priti, i përcolli si miq.
Po ne? Fare shpejt Zotin e harruam,
Djalli na ofroi Zotër të tjerë,
Parajsën dhuratë e shkatërruam,
U ndamë në ” të lumtur” dhe ” të mjerë”
Zotat e rinj që na ofroi djalli
Na nxitën urrejtje dhe frikë dhe tmerr,
,Vitet po ikin dhe ne na merr malli,
Ajo që iku na i bën zemrën vrer.
Parajsa që iku mbeti veç ëndër,
Mbeti një vajzë që humb virgjërinë,
Kjo botë e re duket si një gjëndër
Që zbeh gjelbërimin dhe kaltërsinë.
Pa Zotat e rinj mbi tokën që rënkon
Ngrejnë pallate që ngjiten në qiell
I turren krijuesit që po shikon
Djallin që po e le tokën pa diell.
Dhe ne , shpirtrrëmbyer po ndjekim djallin
Që në të tetin miliard po na çon,
Atë pasuri që po largon mallin
Tjetër jetë diku, n’univers kërkon.
Nuk ka jetë askund, kot mos kërkoni,
Zoti e solli në Tokë veç për ne,
Para dhe mendje ju mos i shpenzoni,
Mos ëndëroni të ngjiteni mbi re.
Pa shikimin e zbrisni këtu pranë,
Sa dete, oqeane, shkretëtira!,
Të virgjër jetën brenda tyre e kanë,
Me para aty do të bëni çudira:
I lini ëndrrat, çmenduritë, djallin!
Kjo Parajsë që Zoti na dërgoi,
Le të zgjojë dëshirat edhe mallin,
Ku ishin të parët unë do jetoj.

Pajtim Xhelo, 27 prill 2019

PRANVERA MË NUK VJEN

Si po pret krahëhapur lumturia,
Na i largoi nga qielli retë,
Drithërimën s’e ndjek as Perëndia,
Krishtin Ai e pru në këtë jetë.
Se në pranverë zbresin psherëtimat,
Shpirtrat hajdutë nuk janë të qetë,
Si në qiell të vjeshtës shkrepëtimat
Zemrat ndezur shigjetojnë rrufetë.
Se në pranverë dhe shkuma thinj valën,
Edhe lulet në pemë dashurojnë,
Agimi purpur ditës i jep fjalën
Që vesën rrezet të mos e shterojnë.
Edhe zogjtë në magjinë e pyllit
Hijes së degëve bëjnë dashuri,
Bota nën zjarrin e ftohtë të yllit
Pret ngrohtësinë e një zjarri të ri.
Se pranvera deh gjithçka, po jo djallin
( Pa kush urren nuk di të dashurojë!)
Fijet fërgëllojnë brengën dhe mallin…
Kush vetëm urren, nuk di të jetojë.
Eh, pranverën e solli Perëndia
Dhe dashurinë veç asaj ia dha.
” Mos u frikësoni nga dashuria”
Si fllad i ëmbël këto fjalë i tha.
Mos mendoni që sërish vjen pranvera,
Mos e përcillni pa rrëmbyer asgjë,
Mot do ju ndezin dhe zjarre të tjera…
Paçka, kush iku nuk kthehet kurrë më!

Pajtim Xhelo, 28 prill 2019