Nga: Idriz Zeqiraj
“Peshku qelbët në kokë“, – thotë populli. Kështu ndodhi në udhëheqjen e LDK-së. Për ta ligjësuar braktisjen e frymës rugoviane, ndryshuan statusin, duke i dhënë fuqi epërore kryetarit dhe lehtësi manipulimi të strukturave të LDK-së. Brenda Kryesisë u aktivizua rrethi vicioz, klani i kryetarit, që vendosë koluareve dhe flet, falsifikueshëm, në emër të Kryesisë, të strukturave të partisë, në qendër dhe bazë. Qendra, klani, përjashtoi debatin, shmangu konkurrencën zgjedhore, shpërfilli votën e lirë demokratike, duke e zëvendësuar me aklamacion, votim të hapur.
Tashmë, LDK-ja është njëjtësuar me partitë-banda të ekstremit të majtë, në provën supreme që e dallonte nga e majta, në epokën rugoviane, siç ishte procesi zgjedhor demokratik, tipik, amerikan. Dhe, ky veprim bazë, ishte dëshmi faktike e rrugës amerikane, rrjedhimisht, edhe respekti dhe dashuria për Amerikën. Sepse kriter bazë, për ta përfituar miqësinë me shtetin amerikan, është përmasa e demokracisë së brendshme, të shtetit, të partisë, që kërkon këtë miqësi.
Gjenerali freng Napoleon i urrente mosmirënjohësit, më shumë se çdo kategori tjetër të njerëzve. Garda e sotme shtetërore dhe partiake, pa përjashtim, është bukëshkalë e dyfishtë:
1) Kjo gardë e çoroditur, bashibuzuke, u tregua mosmirënjohëse karshi Presidentit Rugova, që ua la të gatshme, të konsoliduar miqësinë e sinqertë me Amerikën e madhe, por, e përbuzën, deri në injorim, duke e zbehur keqas;
2) Shkatërruan dhe degjeneruan, deri në skajmëri, demokracinë elementare, në shtet dhe pushtet. Edhe pse me akuza bazike, për krim të organizuar, hajni zyrtare, haraç, tenderime përfituese nga zyrtarët e lartë, privatizime korruptive të pasurive shoqërore e shtetërore, nepotizëm në punësime dhe të tjera batakçillëqe, krerët shtetarë e partiakë, për dy dekada radhazi riciklohen, duke ngulfatur demokracinë dhe përtokur popullin skllav të Kosovës. E gjithë kjo është fyerje, përbuzje, mosmirënjohje, për sakrificën sublime, që kanë bërë Presidentët amerikanë, administrata e tyre, populli amerikanë, që kanë derdhur, nga puna, djerësa e tyre, miliarda dollarë, përgjatë këtyre tri dekadave të fundit në Kosovën tonë.
Nëse e pranojmë sentencën e artë se “më i mirë është një shembull praktik, se sa mijëra fjalë”, atëherë, matës i respektit dhe i dashurisë për Amerikën, është, pikërisht, gadishmëria, për të përvehtësuar të mirat dhe demokracinë amerikane, për ta bindur se, vërtet, e donë dhe respekton Amerikën.
Proamerikanizmi, sot, në Kosovë, përfaqësohet nga nxënësja e Shkollës amerikane, Vjosë Osmani dhe reformatorët e saj. Përballja e saj, me autokratët klanorë, brenda Kryesisë të LDK-së, duke zgjedhur stilin amerikan të shprehjes së mendimit të lirë dhe demokratik, dëshmoi, në mënyrën më origjinale, se ajo është e vetmja lidere proamerikane, në skenën politike të Kosovës.
Adhuruesja e demokracisë amerikane, Vjosë Osmani, denoncoi kolegët e saj, drejtues të ushëheqjes qendrore të LDK-së, se, për vite të tëra, nuk i janë nënshtruar votës demokratike. Rrjedhimisht, nuk janë provuar, për ta marrë besimin e anëtarësisë, të popullit, për ta udhëhequr partinë dhe vendin. Kjo nënkupton shpërfilljen e demokracisë dhe, rrjedhimisht, përjashton mundësinë e të qenurit proamerikanë, sepse udhëheqin pa legjitimitetin e nevjshëm, për çka Amerika është alergjike dhe, në vitet `70-a, për këtë ka shkarkuar një president të saj.
Në Amerikën Federale jetojnë tej 500 mijë shqiptaro-amerikanë, të cilët shquhen për atdhetarizëm shqiptar dhe dashuri e besnikëri ndaj shtetit, ardheut të dytë të tyre, Amerikës famëmadhe e krenare. Fatmirësisht, shqiptarët e atjeshëm, që jetojnë e punojnë me nder e devotshmëri, madje, plot syrësh, meritueshëm, kanë ngjitur shkallët e karrierës pushtetare. Ata reflektojnë edhe respektin dhe dashurinë e shqiptarëve në Atdhe, për shtetin dhe popullin amerikanë, pavarësisht zyrtarëve karrieristë e hiçër. Rrjedhimisht, shqiptarët, si popull, vlerësohen si kombi më pro amerikan në botë.
Burimi: Revista Drini