Ramiz Gjini
Tregim
Kujdestari i pallatit, z. Martinez kotet i shtrirë në divan.
Troket dera, një herë, dy, tre…
Z. Martinez ngrihet pertueshëm e disi nervoz. Afrohet pranë derës dhe përkulet që të shohë përmes syrit magjik.
Në anën tjetër, shfaqet Leo Miskin, banor i apartamentit 10B. Në dorë ai mban një qese, nga ato që të japin në dyqan kur blen ndonjë gjë të vogël.
“Dreqi ta marrë”, thotë me vete z. Martinez. “Paskam harruar fare, që sot është ditë e diel!”
Leo Miskin është një rus i shkurtër, i sëmurë e i dobët, që i ka kaluar të pesëdhjetë vjetët. Por, me fytyrën e tij imcake e të verdhë si ajo e një veremliu, ai ngjan mu si një fëmijë që nuk është rritur.
I parë me syrin magjik të derës së mbyllur, Leo Miskin duket si një figurinë e vogël shahu. Dhe mu si një figurinë shahu, ai rri aty ku ta vendosin.
I ati i tij, tashmë i vdekur, qe marrë me tregëtinë e mjaltit me shumicë. Ai pati një biznes të mbarë në New York dhe arriti të vinte një shumë të majme parashë në bankë, të cilat, i trashëgoi Leo.
Z. Martinez i heq shulin derës dhe e hap. Pikërishtë këtu fillon loja:
– Urdhëroni, – thotë përtueshëm ai. – Si mund t’ju ndihmoj?
Leo Miskin duket shumë i shqetësuar.
– Sërish i njëjti problem…, – thotë ai teksa flet me një zë të hollë e të mekur.
– Nuk kuptoj, – gënjen z. Martinez. – Flisni më qartë, ju lutem.
– Natalja…, – thotë Leo teksa e vështron me sytë e tij të trembur e të pafajshëm. – Prap e ka mbyllur derën nga brenda. I thërras, por nuk përgjigjet!
E shoqja e Leos, Natalja Grushkova është nëntëmbëdhjetë vjetë më e re se i shoqi. Jo dhe aq e pashme në fytyrë, por me një shtat të bukur prej nimfe e me një palë sy me vështrim aq të ëmbël e grishës, sa kur të shigjetojnë, ndizesh zhar e bie në lektisje. Kur shtrihet për të fjetur, demonët shpirtmizorë e bëjnë Nataljan të bjerë në shajni. Ëndërron skena të çuditëshme aventurash me heronj të zotë e sypatrembur. Mandej, dalëngadalë, bie në një gjumë shumë të thellë, ku nuk ka bir nëne ta zgjojë. Kur zgjohet, ajo përpiqet të bëjë realitet çfarë ka ëndërruar. Dhe pikërisht ky është problemi, në të cilin përfshihet padashje edhe i shoqi i saj, Leo.
– Ç’të bëj unë, Leo?! – pyet z. Martinez me një shtiratë të bërë kinse. – Të marr veglat dhe të prish bravën e derës?
– Jo bravën, jo…! – thotë nxitueshëm Leo Miskin.
– Atëherë, po të ndihmoj të ngjitesh nga shkallët e emergjencës në rast zjarri, që të futesh nga dritarja.
Po Leon e zë tmerri vetëm ta mendojë një gjë të tillë. Dhe z. Martinez e di mirë këtë.
– Bah! – ia bën Leo. – Unë të ngjis ato shkallë?! Dhjetë kate lart?! Kurrë!
Z. Martinez mendohet një çast, mandej pyet:
– Ma thoni drejtë, Leo: mos ndoshta, jeni acaruar e keni bërë fjalë me Nataljan?
– Apsolutisht, jo, – thotë nxitueshëm Leo Miskin.
– Mirë. Më prisni vetëm dy minuta.
Z. Martinez futet brenda në apartamentin e tij dhe kthehet sërish, tashmë i veshur me rroba sportive.
– Rrini i qetë, – thotë ai. – Asgjë si ka ndodhur Nataljas. Të gjitha grave, ndodh tu shkrepë nganjëherë ndonjë tekë.
– Po përse, vallë, z. Martinez, t’i shkrepin këso tekash gruas time?! – pyet i dëshpëruar e krejt naiv Leo Miskin. – Çfarë i kam bërë unë asaj? Asgjë të keqe nuk i kam bërë… Më nxorri të blija pastë dhëmbësh dhe tani…
Dhe bie në një dëshperim edhe më të thellë.
Z. Martinez përpiqet ta qetësojë.
I thotë, që e kupton hallin e tij; por fundja nuk është ndonjë hata e madhe. Edhe Natalja Grushkova grua është. Edhe asaj, ashtu si shumë grave të tjera, i zgjohet nganjëherë një shpirt aventure. Mandej, përse u dashka të shqetësohet Leo Miskin derisa kjo aventurë fillon dhe mbaron brenda apartamentit të saj? Nëse vërtet nuk janë grindur, atëherë asaj i pëlqen të lozë me të, pa të keq sigurishtë. Dhe çfarë ka këtu për tu shqetësuar?!
– Po përse, pikërisht të dielën?! – pyet i çuditur Leo Miskin. – Edhe herën e parë, e diel ishte!
Kësaj pyetje, z. Martinez nuk dëshiron t’i japë përgjigje të saktë.
– Ka disa gjëra që vetëm gratë i dine, – thotë ai. – Por ju siguroj, që Nataljas nuk i ka ndodhur asgjë e keqe, për të cilën duhet të shqetësoheni. Nëse nuk jeni grindur dhe ajo nuk e bën me qëllim, duhet të jetë në gjumë si herën e parë. Ja, tani po bie poshtë në bodrum, të dal prapa pallatit dhe të ngjis shkallët e emergjencës. Kurse ju, shkoni lart dhe prisni në korridor, pranë apartamentit tuaj. Sapo të futem brenda do hap derën. Nëse vonohem, ta dini se kam rënë nga shkallët.
– Mos e thoni atë fjalën e fundit, larg qoftë, z. Martinez, – thotë Leo Miskin. Dhe duke vënë dorën në zemër si shenjë e një mirënjohje të thellë, shton: – Megjithatë, ju falenderoj shumë për ndihmesën që po më jepni. Dhe ju lutem, bëni kujdes kur të ngjisni ato dreq shkallësh.
– Pa merak, – e siguron z. Martinez, tashmë me një nënqeshje të fshehtë në buzë.
Kujdestari i pallatit, z. Martinez futet në ashensor. Zbret në bodrum, përshkon me hapa të lehtë koridorin gjysëm të errët dhe hap derën që të nxjerr prapa pallatit.
Sapo del jashtë, ai afrohet pranë shkallëve të emergjencës, ngre kokën lart, dhe, si të deshte t’i maste me sy, hedh vështrimin drejt qiellit ku lartësohen dymbëdhjetë kate. Mandej, bën një kërcim prej atleti, kapet pas hekurave të shkallinës dhe nis të ngjitet.
Në katin e dytë, ku banon një familje irlandeze, që nga brenda dritares së dhomës së ndenjes, një papagall i vetmuar, shtrembëron kokën dhe i ngul një vështrim shumë kurioz.
– Hello! – e përshëndet z. Martinez.
– Hello! – ia kthen përshëndetjen edhe papagalli.
Në katin e tretë, një mace e bardhë që kotej në parvazin e dritares, hidhet përpjetë e trembur dhe ia mbath vrapit për në dhomën tjetër.
– Ç’pate, April?! – pyet e habitur një zë gruaje nga brenda.
Në katin e katërt, z. Martinez vë rè, se çifti Johnson, ka nxjerrë jashtë nga dritarja një copë dërrasë, në të cilen janë shkruar këto fjalë: “Together is my favorite place to be”. Ndërsa brenda apartamentit, grinden me njëri-tjetrin me zë të lartë:
– Çfarë thua moj?! Mos u çmende?! Ka qenë e hënë, ditë pune, jo e dielë, – ngulmon z. Johnson. – Atë ditë nuk kam dalë fare nga zyra.
– Mos u lodh kot, sepse nuk më hedh dot mua hi syve, – thotë gruaja. – Ka qenë e dielë si sot; dita kur unë vajta me mamanë time në New Jersey. Ma gjej një alibi për të dielën. Hë, ma gjen dot?!
Në katin e pestë, z. Martinez, ndalet një copë herë sa për tu mbushur me frymë.
Përmes xhamave të dritares, atij i zënë sytë studenten e kolegjit, bukuroshen flokëgjatë, Megi Miller. E zhveshur lakuriq në gjysëm e lartë, ajo provon para pasqyrës disa palë sutjena të sapoblera. Gjinjtë e saj të buthtuar, kanë një bardhësi tunduese. Një kone e vogël, leshatake, i ngatërrohet nëpër këmbë ngase kërkon të luajë me të.
– Stop, Bela! – e qorton ajo. – Stop të thashë…!
Kujdestari Martinez, vazhdon të ngjisë shkallët.
Në katin e gjashtë, ai dëgjon arkitektin Rubin Rey, që i thotë të shoqes:
– Futi edhe pak majonezë dhe mbështille me letër alumini.
– I futa edhe majonezë, – thotë gruaja.
Në katin e shtatë, atij i ngacmon hundët një erë e rëndë peshku, që skuqet në tigan; ndërsa nga televizori i ndezur, dëgjohet batërdia e një lufte: krisma armësh, shpërthime bombash e predhash të mëdha.
Në katin e tetë, dritarja është e hapur, por e mbulojnë pamjen dy perde të rënda prej cope damasku.
Prej një çifti të ngërthyer shpirt e korp, z. Martinez, dëgjon t’i vijnë në veshë rënkime kënaqësie. Mes gulsheve të një epshi të pakontrolluem, që i mbin nga palca e eshtrave, mashkulli rënkon e thotë:
– Oh, bebi! Oh, bebi…!
– Oh, Maks! Të lutem, tani ma jep fort…, – lutet ngultas një zë i ëmbël femre, që pas çdo fjale që nxjerr goja e tij, digjet shpuzë nga gjakimi për burrë . – Aman Maks, më fort, më fort… Oh!
Z. Martinez kujtohet, që në apartamentin 8B, banon amerikano-latinja Fabjola Mendez. Zakonisht, të dielave, i vjen i dashuri i saj, një lojtar trupmadh i njohur bejsbolli.
Në katin, e nëntë, atij i zënë sytë çifutin Josif Green, një plak rrozgan, gjithnjë me sklepa në sytë e tij pa jetë, për të cilin flitet se është i krimbur në para. I ulur në një kolltuk në dhomën e ndenjes, çifuti gërhet teksa fle me gojën hapur. Kjo gërhitje, ngjan me zhurmën që bëjnë mënteshat e ndryshkura të një dere të vjetër kur e luan ngadalë era. Talmudi i ka rrëshqitur nga dora dhe i ka rënë në prehër. Mjekra e thinjur, i varet gjer te rrypi i pantallonave.
Dhe ja ku më në fund, z. Martinez, pasi ka parë të shkëputura nëpër kate sekuenca copëzash të ndryshme jete, mbërrin në katin e dhjetë, pikërishtë pranë dritares së apartamentit ku rusja Natalja Grushkova, e erëmuar me një parfum prej lulesh ambroze, pret çipllak e çelur si shegë të shfaqet heroi i guximshëm i aventurës së saj.
Leon, nuk e mban vendi në koridor. Pret që z. Martinez t’i hapë sa më shpejt derën e banesës së tij.
I paqetë, i trembur e me nerva të tensionuara, ai e përfytyron të shoqen vagëllimthi, herë me sytë mbyllur teksa fle gjumë shtrirë në krevat, herë me sytë hapur, e plandosur në dysheme pajetë. Kjo e dyta e tmerron Leon.
“Po përse vallë, u vonua kaq shumë z. Martinez?! – pyet vehten ai.
Vonesa e z. Martinez, e bën atë të shoshisë në mendje dy mundësi të tjera. E para: z. Martinez, e ka gjetë dritaren e apartamentit ku banon Leo të mbyllur dhe ende nuk është futur brenda. Ai po jep e merr me veglat, që ta hapë atë. Dhe tjetra: me gjithë porosinë që i dha Leo, që të bënte kujdes kur të ngjiste “ato dreq shkallësh”, zoti Martinez, ndoshta është treguar i pakujdesshëm dhe ka rënë nga shkallët.
“Po sikur të marr ashensorin, të shkoj në bodrum dhe të dal prapa pallatit, që të shikoj njëherë përgjatë shkallëve të emergjencës”? – mendon ai.
Ky mendim, i duket me vend, ndaj afrohet te ashensori, shtyp butonin dhe pret…
Drita e shigjetës lart ndizet, por ashensori që ndodhet në katin e parë, nuk lëviz. Për ndonjë arsye të vetën, dikush e mban derën hapur. Dhe Leos i bëhet sikur koha ka ngecur në një vend. Nga padurimi i madh, ai nis të bëjë ec-e-jake përgjatë korridorit.
Pas pak, ashensori fillon të lëvizë, sepse llampat e numrave që tregojnë katet, ndizen me radhë njëra pas tjetrës.
Ashensori vjen e ndalon në katin e nëntë, ndërsa Leo ndodhet në të dhjetin. Edhe aty, ashensori vonohet bajagi gjatë dhe ai zien nga padurimi.
Ndërkohë, nga kati poshtë, i vijnë në vesh zërat e dy burrave që flasin me njëri-tjetrin, ndërsa përpiqen të nxjerrin nga ashensori një objekt që ka gjasë të jetë i madh e i rëndë. Pritja dhe padurimi, i kthehen Leos në torturë.
Më në fund, ai dëgjon zhurmën që bëjnë dyert e ashensorit kur mbyllen; dhe, pas pak sekondash, ashensori vjen e ndalon në katin e dhjetë.
Leo Miskin, futet në ashensor dhe shkon në bodrum. Përshkon korridorin gjysëm të errët, hap derën dhe del prapa pallatit, ku shikon që sapo ka nisur të rigojë një shi i imët. Ai hedh vështrimit nga shkallët e emergjencës në rast zjarri, por z. Martinez nuk duket gjëkundi.
Pra, z. Martinez nuk ka rënë nga shkallët. Ai është futur në apartamentin e Leos, dhe sigurishtë, tani duhet ta ketë hapur derën.
Leo Miskin ndjehet fajtor, që nuk ka qëndruar aty ku e kanë vënë të presë, ndaj nxiton të futet në bodrum para se të laget nga shiu, të marrë ashensorin dhe të ngjitet sërish në katin e dhjetë.
Por, kur bën të hapë derën, ajo nuk hapet nga jashtë. Hedh vështrimin rrotull mos shikon ndonjë shteg, por vendina është rrethuar me gardh të lartë hekurash me majën si shigjetë. Leo Miskin ka rënë në grackë, është kapur mat.
Dhe, teksa ndjen t’i hapet një humbellë në shpirtin e ligështuar, atij i bëhet sikur sapo i kanë dhënë të pijë një helm të flligësht. I shtohen rrahjet e dejve n’kurm dhe një dobësi e bën të shkartiset. Që të mos shembet përdhe, ai ulet përtruall dhe pret shpresëmekur. Pret e pret, me fytyrën prej meiti, duke u lagur në shi e duke fërgëlluar nga të ftohti. Dhe do t’i duhet të presë edhe shumë kohë, derisa të vijnë ta marrin e ta vendosin në ndonjë vend tjetër mu si një figurinë shahu në tabelën e lojës.