Bota – 28/04/20
Laboratori i Virologjisë në Vuhan të Kinës ka hedhur poshtë pretendimet se ishte origjina e pandemisë së koronavirusit.
Kreu i laboratorit i tha Reuters se pretendimet nuk kanë asnjë bazë në fakt, duke shtuar se ende nuk kishte përgjigje përfundimtare se nga filloi sëmundja.
Teoricienët e komplotit kanë pretenduar se Covid-19, tani përgjegjës për më shumë se 200,000 vdekje në të gjithë botën, u sintetizua nga Instituti i Virologjisë i Vuhanit, me qendër në qytetin, ku sëmundja u identifikua për herë të parë.
Megjithëse konsensusi shkencor është se koronavirusi evoluoi natyrshëm, pretendime të tilla kanë fituar terren.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha në 15 Prill se qeveria e tij po hetonte nëse koronavirusi i ri e kishte origjinën në laboratorin e Vuhanit.
Yuan Zhiming, profesor në institut dhe drejtor i Laboratorit të tij Kombëtar të Biosigurisë, tha se pretendimet “dashakeqe” për laboratorin kishin dalë “nga hiçi” dhe janë në kundërshtim të gjitha provat në dispozicion.
“Instituti i Virologjisë i Vuhanit nuk ka qëllimin dhe aftësinë për të hartuar dhe ndërtuar një koronavirus të ri,” tha ai në përgjigjet me shkrim të pyetjeve nga Reuters. “Për më tepër, nuk ka asnjë informacion brenda gjenomit SARS-CoV-2, që tregon se ai ishte i prodhuar nga njeriu.”
Disa teori konspirative u nxitën nga një punim shkencor i lexuar gjerësisht nga Instituti Indian i Teknologjisë, i cili pretendon se proteinat në koronavirus kanë një “ngjashmëri të çuditshme” me ato të HIV-it.
Sidoqoftë, shumica e shkencëtarëve tani thonë se Covid-19 e ka origjinën në jetën e egër, me lakuriqët e natës dhe pangolinsët të identifikuar si specie të mundshme bartëse dhe transmetuese.
“Më shumë se 70% e sëmundjeve infektive në zhvillim kanë origjinë nga kafshët, veçanërisht kafshët e egra,” tha Yuan.
“Në vitet e fundit, ne kemi parë rreziqe në rritje të shkaktuara nga kontakti i ngushtë midis njerëzve dhe kafshëve të egra, me ndryshimin e klimës globale dhe zgjerimin e vazhdueshëm të aktiviteteve njerëzore,” tha ai.
Të shtatë koronaviruset e njohura njerëzore kanë origjinë te lakuriqët, minjtë apo kafshët shtëpiake, thonë shkencëtarët.
Yuan gjithashtu hodhi poshtë teoritë se laboratori kishte lëshuar aksidentalisht një koronavirus, që kishte marrë nga lakuriqët për qëllime kërkimore, duke thënë se procedurat e biosigurisë së laboratorit ishin zbatuar në mënyrë rigoroze.
“Laboratorët e nivelit të lartë të biosigurisë kanë lehtësira të sofistikuara mbrojtëse dhe masa të rrepta për të siguruar sigurinë e stafit laboratorik dhe për të mbrojtur mjedisin nga ndotja,” tha ai. /Opinion.al