Ngjyra përjetësie në pikturë

0
404
Arnold Cara - pikturë
Marjana Bulku Revista Drini
Është konsideruar si art solidar përmes të cilit bashkëjetojnë realitete, surealitete, këndvështrime të ndryshme në kohë, hapësirë dhe imagjinatë. Por piktura e Arnold Carës e sjell portretin njërëzor përpara syve tanë pothuajse të gjallë. Është nga ato portrete ku saktësia e rikrijimit është pothuaj njësh me atë të fotografimit  për nga kthjelltësia, qartësia dhe drita në objekt.
Ajo çka është ndryshe natyrisht  ka të bëjë me mjeshtërinë e penelit e cila merr ngjyra, forcë e tharm nga realiteti objektiv dhe subjektiv dhe transformohet në art përmes botës plot jetë dhe mendim të Arnoldit. Mjafton të ndjekësh se si ai shpjegon në mënyrë aq konçize narrativisht veprat e tij.
E zhytur thellë në krijimtarinë e këtij artisti të ri i cili e ka kultivuar pikturën edhe nëpërmjet studimit( Liceu Artistik ”Jordan Misja”, Instituti i Lartë i Arteve, Tiranë) mund të lexosh marrdhënien e artistit me jetën e gjallë. Portretet e tij kanë nuanca që na shpien sa tek personazhe të njohura (Vip), po aq edhe te ato familjarë, por aty nuk mungojnë nuanca kreativiteti dhe forcë imagjinate apo shkrirja mes të dyjave duke e bërë kêshtu portretin e tij autentik e të paimitueshëm.
Ky art solidar ku shqisat përthithin ngjyra, figura, gjendje, nëntekste sot më shumë se kurrë e afrojnë njeriun me botën e artit e cila është e pavdekshme, e pa mure, imune dhe e përjetëshme. Arti vizual e ngjyros jetën jo vetëm me bojra por edhe me shpirtin e artistit duke  e bërë atë të përjetëshme.
Përballë pikturës së Arnoldit shikimi takon mendimin përmes një dialogu ku jo çdo pyetje merr përgjigje po ku pas çdo pyetje lind një monolog i gjatë mbi jetën dhe gjithçka i jep asaj kuptim.
Të meditosh pranë një pikture është si të lexosh një idil, apo tablo, apo karakter a personazh.
Ndaj thuhet që piktura i drejtohet njeriut me mijëra fjalë duke i dhuruar ngjyra, motive dhe jetën përtej mureve, kufijve, distancave.
A mos ndoshta piktura e ka formulën e përjetësisë me ngjyrat, aplikacionet dhe shpirtin e artistit që i jep jetë asaj?!