Rrëfimi që na e rrëfeu mësuesja

0
507

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Rr

Dea Halimi
Dea Halimi

Rropatesha mbi fletore me çfarë ta ilustroja shkronjën Rr; me ndonjë bistak rrushi, me ndonjë rremb të rrapit… Më ikte mendjes sidomos rrapi ky “Dru i lartë me trung të trashë, me degë të gjera, me gjethe të mëdha në trajtë pëllëmbe, që bën lëndë të vogla me gjemba të imët përsipër…”, por më tingëllonin të afërt dhe emrat Rroni, Rrona, Rrita… njëjtë dhe toka rrabe, një djerrinë me gurë e me kaçuba, që jep prodhim të pakët.

E ndava mendjen për rrëfimin që na e rrëfeu mësuesja duke na folur për tingullin Rr. E mbylla fletoren dhe vendosa të shkoja ta takoja Rronën.
– Erdhe që të luajmë, -tha Rrona që ishte duke e rregulluar rrotën e një karroce nën rrap.
– Erdha që të ta tregoj rrëfimin që na e rrëfeu mësuesja.
– Cilën shkronjë keni mësuar sot.
– Shkronjën Rr – ia ktheva.
– Më është i njohur rrëfimi i mësuese për shkronjës Rr. Dëgjo, Dea, a rrjedh kështu rrëfimi i mësueses? “ Rronës ia rrëmbeu sorra rrushin dhe fluturoi në degë të rrapit”!
– Vërtetë kështu e filloi mësuesja rrëfimin, por ti prej nga e di?
– Kam qenë dhe unë në klasë të parë dhe i mbaj mend të gjitha rrëfimet e mësueses për shkronjat, – tha Rrona dhe më luti që t`i ndihmoja ta rregullonte rrotën e karrocës së vogël të kukullës së saj. Ajo e rregulloi karrocën, ndërsa unë e përforcova në kokë edhe më tepër rrëfimin për shkronjën Rr.
– Kjo pemë, në oborrin tënd, a është rrap, – e pyeta unë.
– Edhe rrapi, edhe unë-Rrona, edhe sorra që krrokat në degë, janë nga i njëjti rrëfim, i cili rrëfehet për ta shpjeguar shkronjën Rr, – qeshëm të lumtura unë dhe Rrona.