Nga Mal Berisha*
Tregimi “Dashuria për Jetën” është një nga veprat më të bukura por edhe më kuptimplote që shkrimtari i madh amerikan Xhek London ka shkruar ndonjeherë. Po ashtu është ndoshta edhe një prej tregimeve më të bukura të letësisë amerikane. Makutëria njerëzore aty shprehet me tërë shfytyrësinë e vet. Dëshira për tu pasuruar e çon njeriun në aventura të tilla që të rrezikojë edhe jetën edhe moralin e tij.
Dua të bëj një paralele midis subjektit të “Dashurisë për Jetën” të Londonit me “Dashurinë për Jetën” që po përjetojmë edhe ne sot. Subjekti i atij tregimi meqenëse është i njohur, dua që ta sjell me pak fjalë:
“Dy amerikanë shkojnë bashkë në kërkim të floririt në Perëndimin e largët. Pas disa kohësh iu mbarohet ushqimi. Ecin në drejtime të panjohura në veri – perëndim të Amerikës deri sa hynë në Kanada. Momenti vjen që ata të ndeshen drejpërsëdrejti me natyrën në kushtet e mungesës së gjërave jetike, përfshirë edhe ushqimin. Atëherë aty del në pah dobësia njerëzore, individualizmi, ku shoku e lë shokun në rrugë dhe vazhdon i vetëm për të gjetur fatin e tij, por në vend të tij gjen vdekjen. Ndërsa i dyti i mbetur vetëm ndeshet me çdo vështirësi që i sjell vetmia në natyrë: zihet më kafshët e egra, ha çfarë të gjejë për të mbijetuar dhe më në fund gjen në rrugë të vdekur ‘mikun’ e tij që e kishte braktisur.
Ai kapërcen mbi trupin e tij, më tej pi gjakun e një ujku që është duke ngordhur dhe përfundon në një qënie që nuk ecën më në këmbë, vertikalisht, por lëviz këmba – dorazi si një zvarranik. Një anije kërkuesish shkencorë rastis të kalojë pranë atyre brigjeve. Ata shquajnë me dylbi në lëndinën e një shpati një “krijesë” të pazakonshme që ecte përtokas vetëm disa metra në ditë. Ata bëhen kureshtarë të dinë se çfarë qenie ishte kjo specie që lëvizte ashtu?! Marinarët ndalojnë anijen, nxjerrin një varkë prej saj dhe zbresin në breg.
Kur shkojnë aty gjejnë kërkuesin e floririt në lendinën ku zvarritej dhe e kuptojnë se nuk ishte kafshë por njeri. Menjëherë e marrin në anije, e rikthejnë në jetë, e mjekojnë me ilaçe, i japin ushqime dhe e rehatojnë në një dhomë ku flë dhe qëndron disa kohë. Pas disa kohësh atë e lëshojnë në një port ku ai dëshiroi dhe largohet i qetë, në kushtet kur trauma pak a shumë kishte kaluar dhe ai ishte bërë përsëri një njeri normal.
Pas largimit të tij, marinarët shkojnë të pastrojnë dhomën e “mysafirit” kur papritmas gjejnë se dysheku ishte plotësisht i mbushur me kore buke të thata të cilat ai i ndante nga rracioni i përditshëm dhe i fuste në këllëfin e dyshekut nga frika se mos binte përsëri në krizë urie.”
* * *
Kjo vepër e thjeshtë letrare na bën të pyesim vetveten nëse i kemi marrë ne të mirat që gëzonim deri para një muaji e gjysëm, si të mira të dhëna përgjithmonë? Ishin pra ditë të zakonëshme ato që u ndërprenë gati si me thikë? Kishim arritur në një pikë kur të gjithë rendnim pa pushim drejt diçkaje tjetër më të mirë nga ajo që kishim.
Të gjithë bënim biznes, aktivitete, një pjesë e jona ishim të kënaqur dhe pse shumica jo dhe aq. Jeta ishte në një rendje marramendëse, pa pushim njëzet e katër orë, shtatë ditë të javës.
Dhe ja ku ja pandehu Pandemia! Një fenomen të cilin njerëzimi e përjeton shumë rrallë, e ndoshta pikërisht pse është aq i rrallë është edhe aq i tmerrshëm! Ajo ndërpreu çdo gjë. Një gjë e padukshme tmerroi botën. Supërfuqitë ranë në gjunjë. Njerëzia u mbyll brenda. Miljarda njerëz mbetën pa punë. Uzinat dhe fabrikat i mbyllën dyert. Makinat i fikën motorrat. Aeroplanët në tërë botën u parkuan. Mijëra njerëz vdiqën…
Ardhja e këtij virusi kaq virulent mbase ishte “rregulluar” në atë mënyrë që të ishte bashkëkohës edhe i teknollogjisë e cila në kohë reale na mundëson të dimë sa vetë u infektuan në çdo orë të ditës, sa u shëruan dhe me keqardhje sa nuk i mbijetuan.
Kjo gjë ndodh në çdo vend të botës, përveç në shtetet diktatoriale, gjysëm dikatoriale, autokratike ose të drejtuara nga udhëheqës delirantë. Madje brenda sekondash mund të shohim edhe se si zbrazen dollapet e ushqimeve në vendet më të zhvilluara nga paniku i tmerrshëm që ka shkaktuar frika e mungesës së tyre! Frika e njeriut të “Dashuruar me Jetën!”
Është shumë e habitshme sesi nganjëherë gjërat percepitojnë kaq shpejt dhe në atë mënyrë që dhe kalatë që duken më të pamposhturat, edhe pushtetet më diktatoriale, ose që janë në dukje të pathyeshme, bien brenda një kohe shumë të shkurtër. Nëse do të kthehemi historisë së vonë të cilën e ka jetuar brezi im, për shëmbull, fundi i Luftës së Ftohtë, rënja e Murit të Berlinit e vërteton rënien e këtij miti më së miri.
Kështu, nga izolimi hermetik u kalua në komunikim pa kufi, deri tek informacioni në kohë reale, për çdo gjë që ndodhte në çdo cep të botës. Interneti dhe të gjitha format audio – vizive të komunikimit kaluan nga monopoli i shteteve në pronë të individëve edhe atyre më të thjeshtë. Një zhvillim të tillë bota nuk e kishte parë.
Dhe ja ku vimë prapë tek Pandemia
Menjëherë ne filluam t’ja dimë vlerën atyre të mirave që i kishim, madje të ankohemi që nuk i kemi më.
Dhe ja ku kthehemi edhe një herë tek personazhi i Xhek Londonit:
A i kemi marrë gjërat si të mirëqëna dhe të dhëna përgjithmonë, apo duhet të “mbushim dyshekët me bukë” siç bëri ai personazh, për të pritur ditë edhe më të vështira?
Asgjë nuk është e dhënë për gjithmonë? Por njerëzimi shumë shpejt do ta kalojë këtë ashtu sikundër ka bërë shumë herë tjera, pas luftërave, kolerave, gripeve dhe pandemive!
E që t’ja dalim duhet të mendojmë edhe për ditën kur Pandemia nuk është më. Sepse jeta do të vazhdojë, sado e vështirë të jetë dalja nga gjëndja që kemi sot.
Prandaj do t’ja Dalim dhe kur t’ja Dalim do tua dimë vlerën të mirave edhe më shumë!
*Autori ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar
Burimi: Nacionale.Info