Shkruan: Florim Zeqa, 23.04.2020
Njerëzit që jetojnë një kohë të gjatë në iluzione e kanë të vështirë të përballen me realitetin, sikurse ata që e kanë pritur gjatë pushtetin, e kanë të vështirë ta braktisin atë. Njerëzit më lehtë e kanë të jetojnë 20 vjet në iluzione sesa ta pranojnë realitetin në një moment të caktuar. Ikja nga realiteti është ikje nga e vërteta.
“Kur tre vetë thonë je i dehur, edhe në mos qofsh, mbaju për muri“, e thotë një fjalë e urtë popullore. Kur tre vetë të thonë se e keq, duhet gjykuar dhe kontrolluar veprimet tuaja.
Kur të ‘këqinjët” bëhen bashk kundër teje, duhet të demonstruar forcën e argumenteve (dijen dhe urtësinë) e jo argumentin e forcës (dhunën). Pavarësisht në të drejtën tënde, uraganit të së keqes duhet shmangur me mençuri e jo përballje e kokëfortësi.
Kurti për paaftësinë e mbajtjes së pushtetit nuk duhet fajësojë të tjerët
E kam thënë edhe më parë, po e përserisë prapë, sikur Albin Kurti të kishte treguar aftësi të mira menagjuese me rastin e ‘rebelimit’ të ministrit Veliu, sot do ta kishim në këmbë dhe të fuqishme ‘qeverinë e shpresës’.
Por kjo nuk ishte e vetmja, mosmenagjimi i situatës së parë “konfliktuoze” për problemin e taksës dhe dialogut, e dëmtuan rëndë imazhin e Kurtit tek ndërkombëtarët.
Për të mos u zgjatur tepër në shkaqet e rënjes së ‘Qeverisë Kurti’, shkarkimi i ministrit Veliu ishte vetëm shkaku i prishjes së koalicionit qeverisës, përderisa arsyet e vërteta janë tek përkeqësimi i raporteve me ndërkombëtarët, gjegjësisht me SHBA-të, që rezultuan me mocion mosbesimi në Kuvend.
Pas mocionit në kuvend, Albin Kurti është dashur të ndërroj qasjen e tij në raport me qeverisjen e vendit, për shkak se pas shkarkimit, nga një kryministër fuqiplotë, është kthyer në një kryeministër në detyrë me kompetenca të kufizuara derisa të zgjidhet qeveria e re, në kuvend apo përmes zgjedhjeve.
Albin Kurti duhet ta kuptojë faktin se mocioni është kryer me sukses në kuvend dhe nuk zhbëhet më, qeveria është shkarkuar me 25 mars 2020.
Pas kësaj date, Albin Kurtit nuk i ka mbetur gjë tjetër veqse të nxjerrë mësimet e duhura nga leksioni që mori nga politikanët e karrierës dhe veteranët që tani 20 vjet e mabjnë pushtetin në këtë vend.
Loja e dyfishtë e Kurtit
Ta quash antikushtetues takimin e presidentit me partitë politike dhe ta dërgosh përfaqësuesin tënd në atë takim, është pak më tepër se hipokrizi, është marrëzi dhe lojë e dyfisht politike.
Vendimet politike mund të jenë ose të mos jenë kushtetuese, por takimet, bisedimet dhe tentativat për zgjidhje të problemeve nuk janë të jashtëligjshme siq po i quan zoti Kurti. Sikur takimi me presidentin të ishte antikushtetues siq pretendon Kurti, atëherë nuk është dashur ta dërgojë në atë takim znj. Albulena Haxhiu!
Kjo s’është gjë tjetër, veqse lojë e dyfisht politike e zotit Kurti, i cili përmes zonjes Haxhiu u bë edhe vetë pjesë e asaj tryeze politike me presidentin, për shkak se Albulena nuk shprehi mendim të vetin në atë takim, por vetëm e lexoi letrën e Albin Kurtit.
Paralajmërimi i protestave nuk e ndihmon Kurtin
Qëllimi i këtij shkrimi dhe atyre paraprake është në funksion të reflektimit të z. Kurti për të mirën e vendit, për të tejkaluar krizen institucionale dhe parandaluar situaten konfliktuoze në të cilën ndodhet vendi ynë.
Ashtu siç isha dje, jam sot dhe do të jemë edhe nesër e përgjithmonë kundër kapjes së shtetit nga cilado parti apo lider partiak qoftë ai. Isha dhe jam kundër partive që qeverisën keq me vendin, por largimi i tyre nga pushteti duhet të ndodhë rrugë demokratike pa pasoja për vendin dhe pa gjakderdhje qytetare.
Sikurse një shumicë parlamentare që votoi dje mocionin për shkarkim të qeverisë, ashtu nesër, një shumicë tjetër parlamentare mund të vendosë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas përfundimit të pandemisë, por assesi nuk janë protestat dhe trazirat e përgjakshme mjet i duhur për Kosovën e vogël e të katandisur keq nga varfëria dhe qeverisja e antivlerave.
Pavarëshisht shkaqeve dhe shkaktarëve të prishjes që qeverisë, në asnjë rrethanë nuk duhet rrezikuar jetën e qytetarëve pas karantinimit të gjatë të pandemisë.
Isha pro ‘qeverisë së shpresës”, jam kundër ‘qeverisë së keqës’!