Një shkronjë një tregim

0
934
Nj - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Nj

Dea Halimi
Dea Halimi

Në klasë më shikonin me habi. Nuk ishin mësuar të më shihnin të heshtur. – Çfarë po ndodh, – i pëshpëritja te veshi shoqes së bankës, Sarës. Ajo buzëqeshi dhe rrudhi krahët.
– Dea, – tha mësuesja, – e ke marrë shumë për zemër shpalljen llafazane të klasës.
– Jo… të flas shumë është në natyrën time, kot bëj përpjekje ta ndërroj!
– Epo ashtu pra, fol!
– Për çfarë?
– Fol ndonjë gjë për shkronjën Nj?
Sara, shpejt e shpejt e hapi abetaren te shkronja Nj. Më preku me bërryl të shikoja çfarë shkruante për shkronjën Nj.
– NJ,- thash unë, – është bashkëtingëllorja e njëzetë në kolonën me tridhjetegjashtë shkronja të alfabetit të gjuhës shqipe. Tingulli nj. Nj-ja e madhe dhe e vogël. Nj-ja e dorës dhe e shtypit… Tingulli nj, shkruhet me dy bashkëtingëllore, pra me shkronjën N dhe j, të cilat të bashkuara formojnë shkronjën nj. Kjo është përgjigjja ime përfundimtare, – qesha unë.
– Mjafton, Dea, mjafton. Përgjigje e shkëlqyer. Nuk të kemi ty kot llafazane të klasës, – ndërhyri mësuesja
E gjithë klasa me duartrokitën.
– Të lumtë, Dea. Nga e ke mësuar tërë këtë, – tha mësuesja Xake.
– Ti ke harruar, e dashur mësuese. Unë jam duke shkruar një libër; një tregim për një shkronjë të mësuar… Disa gjëra m`i shpjegon babai, por e konsultoj dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe.
– E ke emëruar librin?
– Kam hamendje ende mes titullit “Flutura e yje”, “Llafazania e klasës” dhe “Një shkronjë një tregim”.
Prapë shpërtheu duartrokitje në klasë.
– Unë, – më shikoi Sara dhe u ngreh në këmbë, – kam bindjen se libri i Desë, do të jetë ndihmesë e madhe për kolopuçët që duan t`i mësojnë shkronjat e alfabetit.
– Natyrisht, – tha Ensari, – e mësojnë një shkronjë dhe pastaj e lexojnë një tregim.
Mësuesja ndihej krenare. E hetoja këtë gjë, ngaqë një flatër e dritës bashkë me buzëqeshjen e ngrohtë ia zbukuronin fytyrën.