VALBONA ZENELI
MICHELE CAPRIATI
Italia përfaqëson një nga vendet më të rëndësishme për interesat gjeo-ekonomike të Kinës në Europë. Ajo është një burim i aseteve strategjike si në industri të përparuara, ashtu edhe tradicionale, në marka dhe teknologji të njohura ndërkombëtarisht, si dhe zë një pozitë shumë të rëndësishme gjeografike në kuadrin e Rrugës së Mëndafshit Detar të shekullit 21 të Kinës, një pjesë integrale e Iniciativës Belt and Road (Rrip dhe Rrugë). Çdo akses në infrastrukturën portuale të Italisë do të ishte një përparësi për Kinën, e cila kërkon të zgjerojë rrugët dhe rrjetet e saj tregtare përmes Mesdheut në Europën Veriore.
Në mars të vitit 2019, Italia u bë një anëtare zyrtare e Iniciativës Belt and Road (BRI), duke u bërë vendi i parë G-7 që iu bashkua kësaj platforme të udhëhequr nga Pekini, si edhe ekonomia më e madhe midis 15 vendeve të Bashkimit Europian, që janë anëtare të BRI. Përfshirja e Italisë në BRI, si ekonomia e tretë më e madhe në Europë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i së cilës përbën 15 për qind të PBB-së së Eurozonës, ishte shumë i rëndësishëm, por edhe thellësisht simbolik për ambiciet kineze në Europë, duke sugjeruar në këtë mënyrë rolin në rritje të Kinës në botë. Memorandumi i Mirëkuptimit në kuadrin e BRI, i nënshkruar midis Romës dhe Pekinit, ishte ambicioz dhe përfshinte 50 marrëveshje, që përfshinin fushat ekonomike, kulturore dhe infrastrukturore. Sidoqoftë, përfitimet e parashikuara ekonomike për Italinë ende nuk janë materializuara, ndërsa pasojat e afrimit të Romës dhe Pekinit në një ndryshim drejtimi politik, mes kritikash nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndezën një debat të vërtetë politik në Itali.
ITALIA, ANËTARE E BRI: CILAT JANË PËRFITIMET?
Shpresa e Italisë ishte se anëtarësimi në BRI do të hapte mundësi të reja tregtare dhe në aspektin e investimeve. Që nga fillimi i viteve 2000, tregtia midis dy vendeve është rritur pesëfish (nga 9.6 miliardë dollarë në 2001 në 49.9 miliardë dollarë në 2019). Sidoqoftë, nivelet e përgjithshme të tregtisë midis Italisë dhe Kinës nuk kanë ndryshuar në dekadën e fundit, që nga viti 2010 (49.5 miliardë dollarë).
Në të njëjtën kohë, deficiti tregtar për Italinë ka ardhur duke u rritur gjithnjë e më shumë, duke arritur në 20.9 miliardë dollarë në vitin 2019, ndërsa eksportet italiane në Kinë kanë rënë, me 6.1 për qind vetëm vitin e kaluar. Në vitin 2019, Kina ishte partneri i tretë më i madh importues për Italinë, duke siguruar më shumë se 7 për qind të importeve të saj dhe partneri i nëntë më i madh i eksportit, duke marrë vetëm 2.9 për qind të eksporteve italiane, kryesisht në pajisje elektronike dhe makineri.
Kur bëhet fjalë për investimet e huaja direkte kineze, Italia ka qenë në mesin e tri vendeve europiane që kanë marrë investime më të larta, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë. Në vitin 2019, stoku i investimeve direkte kineze në Itali arriti në 17.4 miliardë dollarë që nga viti 2000, me kulmin e investimeve më të mëdha, veçanërisht në 2014 dhe 2015. Nëse merren parasysh të gjitha investimet dhe kontratat e ndërtimit, përfshirë edhe kreditë, shuma e investimeve arrin 25.5 miliardë dollarë, duke u përqendruar kryesisht te sektorët e energjisë (6.5 miliardë dollarë), transportit (8,75 miliardë dollarë), teknologjisë (4 miliardë dollarë) dhe financave (2.8 miliardë dollarë)
Ndër investimet kryesore ka qenë blerja e 17 për qind të aksioneve të Pirellit, prodhuesit më i madh i gomave në botë, për 7.9 miliardë dollarë nga ndërmarrja shtetërore kineze ChemChina. Investitorët kinezë, përmes Bankës Popullore të Kinës (shtetërore), janë gjithashtu të interesuar në tregun e bursës italiane, blerjen e aksioneve me vlerë më shumë se 4 miliardë dollarë në kompani të ndryshme si Intesa Sanpaolo, Unicredit, Eni, Enel, Telecom Italia, Generali, Terna dhe të tjerë.
Megjithatë, në vitet e fundit, investimet e reja kineze kanë qenë zhgënjyese. Italia nuk ka arritur të tërheqë shumë projekte vitin e kaluar, megjithëse janë nënshkruar 29 marrëveshje në vlerë prej 2.8 miliardë dollarësh, përfshirë marrëveshjet midis China Communication Construction dhe porteve të Trieste dhe Genoa. Ndërsa “Huawei” kishte njoftuar në korrik të vitit 2019 një plan investimi prej 3.1 miliardë dollarësh gjatë tri viteve të ardhshme, qeveria italiane që nga ajo kohë ka forcuar qëndrimin e saj në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut në Kinë si edhe kufizimit të hyrjes së Huawei Technology në rrjetet e të dhënave të gjeneratës së pestë (5G).
Dhjetorin e kaluar, komiteti i inteligjencës dhe sigurisë së Parlamentit italian rekomandoi që qeveria “me shumë seriozitet” të konsideronte ndalimin e “Huawei” dhe furnizuesve të tjerë të pajisjeve kineze nga rrjetet celulare 5G të Italisë. Por përgjigjja e qeverisë drejtuar nga Kryeministri Conte ishte se procedurat ekzistuese të kontrollit, përfshirë të ashtuquajturat “Golden Power Rules” (rregullat e fuqisë së artë) për të mbrojtur asetet strategjike (që mbulojnë sektorët e mbrojtjes, të sigurisë kombëtare, transportin dhe sektorin e teknologjisë së lartë, përfshirë teknologjinë 5G), ishin më shumë sesa të mjaftueshme.
KRIZA COVID-19 DHE PASOJAT E SAJ EKONOMIKE
Që nga shkurti i vitit 2020, tabloja ekonomike italiane ka ndryshuar krejtësisht. Ndërsa Italia është goditur nga kriza e saj më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, me më shumë se 20,000 vdekje të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, ekonomia e saj ka të ngjarë të vuajë recesionin më të thellë në historinë e vendit.
Përhapja e virusit COVID-19 ka shkaktuar tronditje të paparashikueshme të tregut, si për nga kërkesa, ashtu edhe nga furnizimi, me pasoja të mbylljes progresive të veprimtarive ekonomike kombëtare, shumë prej tyre edhe të nevojshme për të frenuar epideminë. Edhe para krizës COVID-19, Italia po përballej me të ardhura stagnante, si i vetmi vend në BE qe kishte të njëjtat të ardhura mesatare për frymë si 20 vjet më parë, dhe ekonomia e saj po luftonte me një normë papunësie prej 12 për qind dhe një borxh sovran me vlerë 133 për qind të PBB-së. Goditja ekonomike që vjen nga katastrofa aktuale shëndetësore do të sjellë pasoja edhe më të rënda.
Instituti i Statistikave Italiane (Istat) vëren se besimi i konsumatorit vetëm gjatë muajit mars ka rënë me 9.9 për qind krahasuar me muajin e kaluar dhe se treguesi i Sentimentit Ekonomik është ulur me 17.6 për qind. Konfindustria vlerëson, se në skenarin më optimist, do të ketë një rënie prej 10 për qind të PBB-së në tremujorin e dytë në krahasim me fundin e vitit 2019 dhe një rifillim në gjysmën e dytë të vitit 2020, i cili do të pengohet nga kërkesa e dobët për mallra dhe shërbime. Vlerësohet se Italia do t’i japë fund vitit 2020 me një rënie prej 6 për qind të PBBsë, një rënie të konsumit prej 6.8 për qind dhe një rënie prej 10.6 për qind të investimeve.
Çmimet e aksioneve kanë rënë. Në vetëm disa javë, indeksi MIB ka arritur nivelet e tij më të ulëta që nga 2012 me një tkurrje 40 për qind, veçanërisht duke prekur bankat dhe kompanitë e sigurimeve. Në një situatë të tillë, shumë kompani italiane, që ishin në gjendje mjaft të mirë para krizës, tani rrezikojnë të falimentojë dhe të kalojnë në duar të huaja. Duket si një përsëritje e asaj që ndodhi pas krizës së Eurozonës, por shumë më keq. Dhe gjatë krizës së mëparshme, investimet kineze, kryesisht përmes blerjeve të kompanive italiane, shkuan nga 100 milionë euro në 2010 në 7.6 miliardë euro në 2015.
“GOLDEN POWER RULES” TË ZGJERUARA
E shqetësuar se kompanitë italiane në vështirësi ekonomike do të bliheshin nga aktorë të huaj dhe me çmime shumë të lira, qeveria italiane ka kryer një ndërhyrje të shpejtë për të mbrojtur kompanitë kombëtare. Që prej 8 prillit 2020, “Golden Power Rules” janë shtrirë në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë shëndetin, financat, sigurimet, tokën dhe infrastrukturën, lëndët e para, robotikën dhe median, ndër të tjera.
Sfida është se mbrojtja e kompanive italiane nga blerjet e huaja mund të jetë e kufizuar dhe e vështirë për t’u zbatuar në një situatë kaq të rëndë ekonomike, kur shumica e kompanive rrezikojnë falimentimin. Një zgjidhje e ndërmjetme për qeverinë italiane do të ishte rikapitalizimi (i përkohshëm) i tyre përmes një fondi të investimeve publike. Në këtë fazë, qeveria italiane po ndërmerr hapa për të ndaluar efektet më të menjëhershme të krizës, duke siguruar subvencione për familjet në nevojë, por nuk ka një plan të vërtetë për të mbrojtur bizneset nga falimentimi, me vetëm 400 miliardë euro kredi të garantuara nga shteti në dispozicion të kompanive. Burime të tjera të BEsë pritet të shtohen në këto ndërhyrje në ditët e ardhshme.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë arteria kryesore e ekonomisë italiane, janë veçanërisht të ekspozuara dhe të rrezikuara. Në të ardhmen mund të shohim që kompanitë kineze të blejnë ndërmarrje të vogla e të mesme për vlera nën 100 milionë euro, një trend që kemi parë tashmë në Europë në vitet e fundit, pasi procedurat për shqyrtimin dhe kontrollin (screening) e investimeve nuk u kushtojnë shumë vëmendje bizneseve të vogla. Kriza e tanishme do të krijojë edhe më shumë mundësi blerjeje për investitorët kinezë.
Çështja më kritike është zhvillimi i një plani strategjik që tejkalon emergjencën dhe stimulon rifillimin e ekonomisë italiane, e cila do të kërkojë një stimul të drejtpërdrejtë të shpenzimeve publike, dhe fillimin e investimeve të mëdha në sektorin publik. Një program i tillë është i nevojshëm për të nxitur efekte në kërkesën agregate, por sipas studimeve do të kërkojë ndihmë financiare jo të qëndrueshme për t’u përballuar duke pasur parasysh borxhin aktual italian prej mbi 2.5 trilionë eurosh.
KËRKOHET PËRGJIGJE EUROPIANE
Italia nuk është e vetme në krizën pandemike dhe e gjithë BE është e afektuar dhe po merret me goditjet shëndetësore dhe ekonomike. Muajt e ardhshëm do të jenë thelbësore për të rindërtuar strukturën ekonomike të kontinentit, jo vetëm të Italisë, dhe për këtë do të nevojiten burime të përbashkëta. Kjo do të jetë një çështja gjeoekonomike europiane. Letrat me vlerë të borxhit të garantuara nga të gjitha vendet e BE-së (Eurobond) mund të jenë një nga mjetet. Sidoqoftë, çështja e borxhit të garantuar bashkërisht nga të gjitha vendet është vetëm një hap drejt tejkalimit të një kufiri të institucioneve të BE-së: mungesës së instrumenteve të përbashkëta fiskalë. Politika monetare është e përbashkët, por politika fiskale është akoma kompetencë ekskluzive e vendeve të veçanta.
Në epokën e një konkurrencë të madhe të aktorëve globalë, vende si Kina, me synime të reja ekonomike dhe gjeopolitike, që luajnë jo nga i njëjti libër me fuqitë perëndimore, por edhe probleme e tjera sistemike globale në lidhje me shëndetin apo mjedisin, nuk është më e pranueshme të mos ekzistojnë instrumente adekuate të politikës ekonomike të BE-së. Ndoshta, pandemia e tanishme do të jetë një mundësi për të trajtuar problemet që kërcënojnë të ardhmen e BE-së dhe ripërcaktuar rolin e institucioneve të saj.
Dr. Valbona Zeneli është profesore dhe drejtore e programit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center)
Dr. Michele Capriati është profesor i politikave ekonomike në Universitetin e Barit, Itali
Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të “Marshall Center” dhe të qeverive të SHBA dhe Gjermanisë. Botuar në “The Diplomat”
Burimi: Nacionale.Info