Karantinim i përhershëm për politikanët e papërgjegjëm kosovarë!

0
343
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Shkruan: Florim Zeqa, 20.04.2020

Karantina është një izolim i detyruar, që zakonisht përdoret për të kufizuar përhapjen e një gjendje të rrezikshme (shpesh një sëmundje). Termi “Quarantene” rrjedh nga dyzet ditë, kohëzgjatja tipike e izolimit të cilit iu nënshtruan anijet nga zonat e prekura nga murtaja në shekullin XIV-të.

Karantina nënkupton një periudhë të ndarjes dhe vëzhgimit parandalues. Përdoret tek njerëzit (ose kafshët) që kanë sëmundje infektive ose ngjitëse për të shmangur përhapjen tek njerëzit e tjerë. Fjalë për fjalë kuptimi i termit “Quarantene” apo Karantinë siq i themi ne është “dyzet ditë”, që ishte numri i ditëve në të cilat anijet nga zonat e prekura nga murtaja në shekullin e katërmbëdhjetë mbetën në det të hapur para se të ulnin mallrat dhe pasagjerët. Megjithatë, sot, periudha e karantinës është e ndryshueshme.

Në zhargonin e shëndetit publik, karantina është një masë që përfshin izolimin e detyruar të njerëzve, mallrave ose kafshëve të infektuar me një virus infektiv. Karantina nuk e zhduk virusin, por parandalon përhapjen e tij, duke i bërë të infektuarit të infektuar të padëmshëm. Periudha e izolimit është e ndryshueshme, por pothuajse asnjëherë më e shkurtër se ditët e inkubacionit të sëmundjes.

”Quarantena” e ditëve të sotme ka sjellë ndryshime në mënyrën e jetës , në në sjelljen, në punën, dhe në karekterin e njerëzve. Izolimi i gjatë i njerëzve në shtëpitë e tyre, përveq pasivitetit dhe monotonisë ka shkaktuar edhe frikë dhe pasiguri në jetën e njerëzve, duke mos e pasur të qartë se çfarë mund t’ju sjellë e nesërmja e afërt!

Abuzimi i pandemisë për mbajtje-marrje të pushtetit

E fillova shkrimin me historikun e karantinës, kohëzgjatjen dhe efektet e saj, për të vazhduar më pas, për nevojën e një karantinimi të gjatë të politikës së infektuar kosovare nga virusi kancerogjen i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fillimin e përhapjes së pandemisë, kur i kishim vetëm 19 persona të infektuar dhe asnjë të vdekur, kreu i shtetit dhe mbështetësit e tij morbid kërkuan vendosjen e gjëndjes së jashtëzakonshme në vend, ndërsa tani kur i kemi mbi 500 të infektuar dhe 12 të vdekur, kërkojnë zbutjen e masave të jashtëzakonshme të vëna nga qeveria!

Loja apo më mirë të themi abuzimi që po bëhet me pandeminë “Covid-19” nga forcat politike, në emrin e së cilës, në njërën po tentohet të mbahet forcërisht pushteti, ndërsa në tjetrën me nguti marrja e pushtetit, i ka ndarë në dysh edhe qytetarët e vendit.

Njëri krah politik (i vetmuar) i bindur në mbështjen e popullit po mundohet të mbajë forcërisht pushtetin pa legjitimitetin e kuvendit, ndërsa krahu tjetër (i bashkuar) por i frikësuar nga ndëshkimi i popullit, po mundohet t’i ikë ballafaqimit me popullin.

Në situatën aktuale, të krizës institucionale, qeveria dhe parlamenti nuk mund të funksionojnë pa njëra-tjetrën. Meqë është kështu, do të ishte absurde zgjatja e “Status Quos” politike. Por, akoma më absurde dhe anakronike do të ishte që pakica parlamentare të vazhdojë të qeverisë me vendin, pa e pasur mbështetjen e Kuvendit.

Mungesa e një konsensuesi mes forcave politike do të prodhoj një zgjidhje të keqe, e cila mund të prodhoj pakënaqësi të shumëta, të cilat mund të rezultojnë me protesta qytetare deri në rrezikimin e rendit kushtetues në vend.

Siç po shihet Kuvendi i maskave që shkarkojë ‘qeverinë e shpresës’ do ta zgjedhë ‘qeverinë e së keqës’, e cila do të mbahet mend gjatë në kujtesën tonë.

Ky diskurs i politikanëve kosovarë nuk guxon të mbetet i pandëshkuar nga qytetarët e vendit në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato.