IDRIZ ZEQIRAJ
Kosova në hall të madh me liderët e saj. Ka një president të akuzuar të parë për krime. Kryetarët e partive kryesore janë nën akuzën e krimeve vrastare dhe të hajnive zyrtare. Rast unik në botën demokratike.
Hashim Thaçi, si pjesë e delegacionit në Konferencën e Rambujesë, bllokoi vendimet e saj. Dhe, sipas pjesëmarrësve në Kështjellë, po të dëgjohej Hashimi, Kosova kishte marrë fund qysh në vitin 1999! Si kryeministër, Hashimi aprovoi Asosiacionin, më vonë Demarkacionin. Bisedimet tej një dekade me Serbinë, i quante teknike, duke mashtruar dhe konvertuar në politike.
Si president i vendit, është dekonspiruar, për një lidhje konspirative me një agjent të Sherbimit sekret francez DGSE, dhëndërr i Beogradit. Ndërkohë, duke qenë në cilësinë e presidentit, fshehtas dhe pa asnjë konsultim me institucionet e vendit, lanson shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ide kjo e kahmotshme e zyrtarëve serbë.
“Të hiqet taksa bashkë me presidentin”, – ishte kërkesa në Kuvend e kryeparlamentarës Vjosë Osmani, me arsyetimin bindës se “presidentit nuk i besojmë për asgjë!” Megjithatë LDK-ja heshtë, edhe atëherë kur populli është në ethe, për pazaret konspirative dhe të pista me palën serbe. Një president shumëfish i shantazhuar si dhe liderë të partive politike, me dosje kriminale e korruptive, assesi nuk duhej të toleroheshin nga populli dhe anëtarësia e partive të tyre.
Realisht, Albin Kurti ndryshon nga liderët tjerë. Por arrivizmi, etja e tij për pushtet e protoganizëm, ka ngjallur dyshime, madje edhe dilema. Përkundër drejtimit suksesiv të Vetëvendosjes nga Visat Ymeri, shkeli statutin e partisë dhe u “rizgjodh” në krye të partisë. Shkeljen e dytë, e bëri ndryshimin statutar, duke mbajtur postin e partisë dhe atë të kryeministrit!
Zotëri Kurti bëri dy faje radhazi, me partnerin në koalicion:
1) Emëroi partiakun e tij kryetar Kuvendi, edhe pse ky post, në marrëveshje, ishte rezervuar për LDK-në;
2) Përjashtoi Ministrin e Brendshëm të LDK-së, pa e konsultuar kryetarin e saj, siç e parashikonte marrëveshja. Ky ishte provokimi i radhës.
Anarshizmi i zotit Kurti, shihet si rrezik, sepse buron nga ideologjia ekstreme majtiste, tashmë, e tejkaluar, e dështuar, anakronike për kohën.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka gojën plot parti. Thirret në stgruktura partiake, por, ato vendime janë formale dhe nuk janë zëri i anëtarësisë të LDK-së. Askënd nuk e pyeti për Asosiacionin, Demarkacionin, koalicionin me PDK-në dhe kulmorën – bërjen e Hashimit president! Të gjitha i bëri me konspiracion, i së bashku me rrethin e ti vicioz.
Koalicioni VV-LDK, ishte pa alternativë, edhe pse hezitues e dyshues. Por, fundja, VV ishte rishtare në pushtet dhe nuk i kishte “gjynahet” e subjekteve tjera.
Ngulmesa amerikane, por, edhe evropiane për heqjen e taksës, nuk mund të heshtej. “Filozofia e drurit” e Enver mërhumit, “do hamë bar e nuk i dorëzohemi imperializmit amerikan”, fort e lakmuar nga Albini, ishte paradoksale dhe urdhëri i çliruesëve faktik të Kosovës, nuk mund të refuzohej. Por, Mocioni i ngritur në emër të Kryesisë, duke shpërfillur Këshillin e Përgjithshëm dhe anëtarësinë e LDK-së, për vetërrëzim të qeverisë, pse u shkarkua një ministër, qoftë ai edhe nënkryetar partie, duhej kapërdirë.
Arsyeja: “Koalicioni i Shpresës”, LDK-VV, siç u pagëzua nga shqiptarët e kudondodhur, ishte mirëpritur skajshëm. Paritë-banda, të koalicionuara në PAN, si rezistencë ndaj Gjykatës Speciale, të zhytura në krime e korrupsion, u larguan me votën plebishitare të popullit. Pas të gjithë asaj gjëmë 20 vjeçare, ishte një ngushëllim, jo vetëm i opozitës së deritashme, por edhe i shumicës absolute të shqiptarëve. Krimi vrastar, hajnia zyrtare, haraçi i përgjakur, e kishin dërrmuar popullin e Kosovës.
Tani, në vend që pozita aktuale, ta inicojë procedurën e nxjerrjes të jashtëligjshme të partive, të cilat përgjakën LDK-në dhe Kosovën, duke e çliruar edhe anëtarësinë e këtyre partive, nga bandat brenda partive, LDK-ja, sot, po e bënë të kundërtën, po i kthen bandat në shtet e pushtet, po i rehabiliton dhe amniston, për të zezat numerike të tyre.
Deklarata fatale e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa
“…më vjen ta gjykoj vetën, për gabimin që e bëra, kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz…”(!?), nuk lënë asnjë dyshim, se kjo do të ndodhë, ngaqë nuk lënë hapësirë e shpresë, për një bashkëqeverisje të sërishme, qoftë edhe pas zgjedhjeve në pritje, me Vetëvendosjen, pas heqjes së taksës komplete. Dhe, alternativa tjetër për koalicion është PAN-i. Rrjedhimisht, LDK-ja, duke u bërë pjesë e PAN-it, bëhet hisedare në krim. Dhe, një vendim i tillë, është, tërësisht, kundër vullnetit të anëtarësisë të LDK-së, për rrjedhojë, edhe kriminal.
Kjo deklaratë e pamatur, e bërë nga njeriu që shquhet për maturi, siç vlerësohet kreu i LDK-së, befason dhe shokon anëtarësinë e partisë, madje, jo vetëm atë, i ka gëzuar e trimëruar PAN-istët. Aktivizimi agjitativ i agjentëve të PAN-it, fort të gajasur nga euforia e gëzimit të papërmbajtshëm, po i fryjnë zjarrit të përçarjes në mes partnerëve LDK-VV. Ndërkohë që shumica e kuadrove, veprimtarëve të LDK-së, alogjikshëm, po heshtin!? Veç kësaj, pandemia në përhapje e sipër dhe moskokëqarja e LDK-së në këtë gjendje epidemike, ngritja e Mocionit, për rrëzimin e qeverisë, do të mbahet mend, deri në hakmarrje me votën e pa besueshmërisë, në të ardhmen.
Ta vëjmë në peshojë: A është më lehtë kapërdimi, tejkalimi i një fyerje, qoftë edhe e rëndë, nga LDK-ja, siç është shkarkimi arbitrar i një ministri nga kryeministri Kurti, apo kthimi i krimit, përkatësisht, PAN-it në pushtet?!? Anëtarësia e LDK-së dhe shumësia e popullit të Kosovës, është për tejkalim të një fyerje, madje të përsëritur, për të mirën e Kosovës. E kundërta është mashtrim i neveritshëm dhe përpjekje për të vazhduar aleancën me PAN-in, i pa ndëshkuar për krimet serike dy dekatore. Apel publik për klanin brenda Kryesisë të LDK-së: Mos flisni në emër të LDK-së, sepse nuk e keni besimin e anëtarësisë të saj, rrjedhimisht, nuk e gëzoni besimin, ashtu siç nuk e gëzon besimin e popullit as Hashim presidenti.
Me këtë masë ekstreme, Mocionin për rrëzimin e qeverisë aktuale, e cila, pa mëdyshje, ishte një lindje e vështirë dhe ndër më të mirat e deritashme, nga Isa Mustafa me klanin e tij, do të ngjallin dyshimin e bazuar, për flirtimet konspirative të hershme me PAN-in dhe SHIK-un e tij. Rrjedhimisht, LDK-ja do të kaplohej nga kriza, që, vërtet, do të jetë nismë e një “bluarje”.
Ngritja dhe votimi i Mocionit, nga një Kryesi e ngulfatur nga një klan i stazhinonuar, protagonist i ndarjes të LDK-së në Kuvendin e 6-të Zgjedhor të saj dhe të konsolidimit të po atij klani mujëshor, duke shpërfillur, deri në dhjerje anëtarësinë, nuk mund të kalojë pa trauma dhe rrjedhje të elektoratit, në të ardhmen e afërt. Pas bërjes të Hashimit president, kjo është gjëma e radhës, që uzurpatorët e LDK-së, ia bëjnë Partisë krenare të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës.
Megjithatë, koha për reflektim, gjykim me mendje të kthjelltë, çfarë braktisë dhe çfarë zgjedhë, çfarë lënë dhe çfarë merr?! Lënë Vetëvendosjen dhe merr PAN-in. Pësho të bëmat e tyre me pa anësi. Ky i fundit është betër, madje, me fund. Mocioni nuk duhej bërë dhe nuk duhet të kalojë. Përndryshe, përdhosja e gjakut të shumë qindra veprimtarëve të LDK-së, do të ishte mallkimi i madh, jo vetëm për shelegët e PDK-së, brenda LDK-së, por, edhe për heshtakët tjerë sehirxhinj.
Tashmë, është dëshmuar, madje katërcipërisht, se interesat personale dhe sjelljet inatçore, janë humbës në politikë.