Një pjesë e baktisur e liqenit me zogj të mëdhenj e dielli që perëndon
Brahim Ibish AVDYLI:
(Tufë poezish të tjera-të dërguara për bootim)
BOTA VLON E DERDHET
1.
Bota fillon
e derdhet nga urrejtja
në një pus të fëlliqur ndjenjash,
nga të gjitha kontinentet
fillon të derdhet
aty ku nuk ka qenie
e njerëz të përkryer.
2.
Po e them
se urrejtja i ka përfshirë
të gjithë ata
që ngjajnë të quhen njerëz
e njeriu
ka ikur si hije,
por çka di bota
për ndërrimet e mëdha
të shenjave,
tani
bishat janë çmendur
e kafshojnë njerëzoren
deri në thellësi!
3.
I padukshëm njeriu
largë qëndron
e befasohet
nga sjellja banale
të atij që ecë
me emrin e tij në ballë,
shokohet
e pyet trishtueshëm
a jam unë ai
që nuk ka turp,
as ndjenja të vërteta
nuk ka
sepse
paska ndërruar
edhe drejtimin
e nuk e di kush është!
Prometheu – i lidhur për shkëmbij në Kaukaz – marrë nga një vizatim i vjetër
4.
Urrejtja nuk është vlerë
po kulmi
i kësaj shembjeje
e mëria
e thanë kuadrin,
shndërrohet në një formë tjetër
me etjen e të hollave,
i ka verbuar sytë
sa as djalin e vet nuk e dallon
e pasardhësit e tij…
Qëndron mbi këtë grumbull plehu
duke ia numëruar katet
dhe druan
se mos e rrëzojnë
nga ky pirg!
5.
Në tregun e padefinimeve
mund të gjëjnë
të gjitha
çka nuk lejoheshin,
drogën
mund ta përdorin legalisht
me pije
ushqim
e injekcione,
plehu i të hedhurave
është qendër
e këmbimeve të vlershme,
kush mund t`i njohë
prindërit e vet?!…
6.
I sheh
kur krimben
nga Lindja e Perëndimi
nga Jugu e Veriu
deri në maje të pirgut,
shkundur janë kaherë
nga çështja e nderit,
njeriu ka vdekur
thonë
kur e kanë kapluar sëmundjet,
kanceri nuk është epidemi
por sëmundjet ekologjike
mund të jenë,
askush nuk ka mundur
t`ia qëllojë
të vërtetës së beftë,
vera vie
sot në mes të dimrit
e dimri në verë,
mbase janë normale
për vetëdjen e përmbysur!
7.
Shpërthimet atomike
janë një shpërthim i vogël
bombat biologjike
lëshohen mësheftas
në njërin apo tjetrin territor,
nuk merret vesh
se kush e ka dhënë urdhëresën,
pandemia apo globdemia
kështu quhen
vetëm për hirë të gjuhës
e gjuha e parë
mbetet e pa denjë
nga interesi i atij
që është mbi maje të pirgut!
Më i miri vizatim i Pranverës – vajzës së dytë të djalit tim – Skifterit – me 2018
8.
Ky është Zoti
që tani ia ngjallë
tmerrshëm vetvetes
këtë bindje
në konglomerat të gjërave,
si i madhi Zot
ai u duket qenieve
e Zoti qeshet
e qanë
edhe pse është energjia kozmike
e galaktikave,
i duket e çuditshme
kush e ka bërë këtë anomali,
njëri i shet fetë
tjetri armët
një tjetër bushtrat,
i këmbyeri në Zot
çirret nga pirgu i marrisë,
e krijuesi i botës
vetëm shikon
e qanë
se bota është kthyer
në paranoidë!
9.
Po ta hapim
kokën e Sfingsit
nga piramidat e Keopsit
do ta gjëjmë një pusullë
të shkruara prej kohësh
nga dora e Thotit,
e zgjidhen
çështjet e grumbulluara në pirg
zgjidhen rreziqet e globit,
se njeriu
është çështje e madhe
e transforminit!
10.
A e dini ju
ku zgjohet dashuria
për të cilën
mija femra
në këngë pëlciten,
mija kisha e thonë
një lutje të paarritshme,
përderisa njeriu
shkoklon mendjen e tij nga koka
dhe do ta nxjerrë nga kafka,
ai nuk e kupton
zërin e shtjerrur
të lutjeve
derisa ushqehet
me blasfermi
me hipoteka të kota
për të mos e kapur
realen me dorë!
11.
Shpërthimi i botës
nuk është ndonjë problem-
na thotë Zoti i shpallur
në maje të pirgut,
e le të dridhet
të dridhet përsëri
e tërë bota-
cili është ai që duhet të ndalet
përpara krijuesit
të vetëshpallur,
hijet e njerëzve
tretën në hapësirë!
Adem Dërmaku – Gjurmë – pikturë e tij – fotografuar prej Galerisë në Lindenhof
– në Zürich – 03.01.2015
12.
Tani
edhe po të pëlcasë
në mes të kosmosit Zoti,
nuk e marrim vesh
kot së koti
kur çartë e shtjellon
se nëpër çdo pikë të kontinenteve
i ka dërguar
zëdhënësat e tij,
dhe nuk dëshiron
që të sëmuremi
nga viruset tona,
kështu
bota vlon e derdhet
në papësirë-
Atlantida fundoset përsëri!…
SIZIF I GJALLË
- Djalit tim të parë, Skifterit.
1.
Në ag u zgjova
befasisht nga gjumi
me lotët që më rrjedhnin
deri në fund të mjekrrës,
e pashë veten
në një ëndërr të gjatë
në mesin e të gjitha ndodhive të mia,
ironia kishte ikur përtej ëndërres
e mashtrimi
ishte mbyllur
në një pikëllim të thellë!…
2.
Nuk e di
si mund të quaja
qenien
me trishtim e dhembje
më mbante
deri sa u shkëputa,
nuk desha të shoh
mjegullimin e verbër,
më përzihej
djali i parë
e herë bëhej tepër i madh,
përpiqej të shkëpuste
zingjirët e hekurit
të lidhura përtej kohës,
shkëmbijt lëkundeshin
nëpër turbullirë
dhe i ngjante Prometheut
të flakës sime,
e koha qe kthyer kundër tij
për t`ia grisur
mushkëritë!
3.
Diell nuk kishte nëpër terr
si duket,
në anën tjetër të botës
kishte kaluar
nga të papriturat,
kjo zhgjëndër e gjallë
ishte mbushur
plot ngashërime,
nuk mund t`a di
nëse do t`i dija për Zot
në këtë izolim të thellë,
kur qengjit të vetëm
llava e djajëve
i lëshohej pa mëshirë!
Fotografi e imja në detin Adriatik – pranë Lezhës
4.
Ishte koha
të mos më ndahej,
nëna e ndau
gruaja dhe miqtë
do t`i lëshoheshin
të gjithë ndër akuza,
një i vetëm
kundër të njëzetë armiqve
nuk e lëvizte
dot padrejtësinë,
shteti po e degdiste
në shkëmbijtë e Kaukazit
të dënohej
përjetësisht
pati apo nuk pati faj,
e kurrsesi nuk i pranonin
mushkëritë e mija!
5.
Vetëm me lot
ndër ëndërra bashkohemi,
asnjë të drejtë
nuk e kam nëpër duar,
energjine kozmike
e lus pa pushim
që të më marrë në botën e përtejme
dhe të ikë
nga bota e dhembjeve,
përditë
në një njëfarë mënyre
do të djegen
mushkëritë e mia
e kjo qenka
bota e provave-
Sizif i gjallë!
PARADOKSET E KOHËS
1.
Sa u linda
mu kurdisen të Ligat
e ndjeja vetën
se kam qenë në Atlantidë,
por nuk e mbajta mend,
prandaj
e pashë veten
detyrimisht
në Gadishullin Ilirik…
Fotografi e imja në detin Adriatik – pranë Lezhës
2.
Se si na u kthye kahja
e kthesës sonë të madhe
nuk e di,
askush nuk e pranonte
se kemi qenë të parët,
e në vend të ishullit të parë
po e them me dhembje
na quajtën
ballkanistë
e për “turq”
padurueshëm
na urrenin!…
3.
Tani
një pjesë e jona
sillemi rreth e rreth
e ulemi përtokë
përtej dhunës,
e pjesa tjetër
janë të marrur mendjesh
shtazarakisht
vjellin dhunën
nëpër vëllezërit e tyre,
nxjerrin
pa menduar
pjellën e ndytë
të mizorisë!…
4.
Kështu jetojmë
me mendjen e rrotulluar
për të keq,
okupuesit
e trojeve tona
flasin
përmes gojës sonë,
edhe kur nisemi
nga rrugët
ecim gjurmëve të vëna
prej të paturpshëve,
sikur kemi zbuluar
të gjitha thellësitë,
paranoida e krimeve
e bën të veten,
lodhemi e stërlodhemi
në vendnumrim!…
5.
Nuk lëmë shteg pa e provuar
e rezultatet
sikur janë të gjymta,
nuk mund ta nxjerrim
provën e jetës sonë-
gjenealogjinë e krijimit
as si mund të ndalet
ecja në theqafje,
çuditërisht
duket se kemi ndërtuar
Zotin e Krimit
në Ballkan!…
Pamje nga Prishtina e shkatërruar – me gaz lotsjellës dhe me gurë – pas thyerjeve
6.
Prej lindjes
paqësor kemi qenë
dhe prej asgjësë
e kemi ngjallur durimin,
tri herë e kemi ulur kokën
ndaj të keqes
me dorën e gatshme në brez,
energjisë kozmike
adhurimin e besimin
ia kemi falur,
të mirat e tij
në tokën e pamatur
me dashuri
i kemi marrë nëpër dorë,
e kemi falur dashurinë
edhe ndaj armikut tonë,
prandaj
kemi mbërrirë
më fund të përpjejeve tona!
7.
Si duket
jam i lindur
me shpirtin e bardhë,
kudo e kam rritur
kohën e durueshme të durimit
dhembjes polivante
të dashurisë,
ju nuk treguat
hapësirë vetëtimash
për një dorë
të rrezeve të Dritës,
kështu
paradoksët e kohës së rreme
do të përplasen
në natyrën e vet,
sikur jemi
trajektoreve të fatit!…
MBYLLJA NË VETVETE
1.
Edhe kjo e ligë
na erdhi papritur
derisa përgaditemi
të jemi në hyrje
të kullës së lirisë.
Ku i kemi vënë gjishtat
i vendosim dhembrat,
kodin e ndaljes
nuk e dimë,
shkojmë kështu
nëpër strofullën e përgjakur
të qenies sonë
bashkë me antishqiptarët,
pa e shikuar
nëse i kanë
gjurmët
e jetës së veçantë!…
2.
Së prapthi i biem
rrugës së ecjes
kah Dielli
me lakuriqtë e natës,
dikur
na mbyllin në karantinë
e populli nuk e di lojën,
askund t`i kapërcejmë
kufinjtë e ecjes.
3.
Të mëdhenjtë
si ushtarë me maska
ndodheshim
në çdo pikë të paramenduar,
nuk e di a na vrasin
dhe me çka na vrasin
në pikë të hamendjeve të njeriut,
dilemë strategjike
janë këto
apo bomba biologjike!…
4.
A është pandemi
apo një panofenzivë
te atyre që i kanë
popujt e vegjël mizë në sy
nuk e dimë,
i shtyjnë të punojnë
në breg të shembjeve
të dritës së nesërme,
dalin papritur
aty ku këndon
e vallëzon demoni
me këmbën përpjetë…
5.
Jeta nuk e paska
kuptimin e vet
ndërsa fëmijve
e të vjetërve
u kallen mushkëritë,
dy breza
me mendime të jetës
para syve
e dijen që flet
nga mosha e shkuar,
dëshirojnë t`i korigjojnë
brezat e së ardhmes
me fjalë të urta,
e vërdallë
u del tymi i mendimeve!
6.
Të maskuarit
dalin veçanërisht
e të pamaskuarit
dalin pa armë
lirisht,
nuk e dinë
se pan nuk është shqip
e greqishtja e ka futur
me dredhi,
nuk është vonë të dihet
domethënia e zezë,
madje
nuk e çajnë kokën
çka është simbolike
e çka konvertuale
nëpër botë,
shqipja
rishtazi
le të përlotet!
7.
Kot po flas
me shtyllat e erës,
le të degdisen
në rrotë të së ëmes,
je mbyllur kështu
në vetvete
në skaj të dhembjes!
8.
Askush
nuk u shkakton
kokëqamje
të vërtetave të fjalës,
le të degdisemi
ku të duam
me dhembjen përdore,
unë
po e shtrydhi
limonin e idhtë të qenies,
e po ia shtoj
edhe një maje të lugës
çdo ditë
nga soda bikarbonike…
9.
Ka marrë fund
apo nuk ka marrë fund
mbyllja në vetmi
nuk ka rëndësi,
ne
nuk i dijmë
trajektorët e fatit,
bombat biologjike
mund të shpërdahen
kudo,
në shpëtofshim
dalim patjetër
dikund
nëpër Diell!…
UNAZA E KOBSHME
1.
Një botë të çoroditur
vetmia të mori
në vrugullin e vërshimeve
e të hodhi
në zgripcin e ndjenjave.
2.
E prapta
i mësoi të praptët
të të luftonin
me befasinë e dhelpërave
nëpër llugën
e mendimeve të marra,
ishte e zbrazët
koka e tyre,
s`ua priste mendja
aspak për të mirë,-
e bota do të sillej
rreth boshtit të vet…
3.
Rrotull e rrotull
t`u sollën ujqërit
me rreptësinë e ndyrë të derrave,
deshën të hynin
mbreda korpës së gjoksit
zemrën tënde të t`a përbaltin,
e nuk i kursyen
as shpifjet
se qenke çmendur e i lajthitur,
se qenke mbyllur
në luksin e tepruar të vetmisë,
e nuk e dinin të marrët
se kjo ishte
vetë tragjedia-
një unazë e izoluar e ndjenjave!
KONTRASTI
Shpirti i pastërt
të mbajti gjallë,
prisnin e prisnin
kaherë
të ta vjedhnin
një buzëqeshje fëmijërore,
por të qelën
papriturazi
lulet, trëndafillat
si kurdoherë
në zemrën e mbushur
plot Diell!