Katana e kaltër

0
729

Ilustrim nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën K

Dea Halimi
Dea Halimi

Drita e agut, e ngjashme me ngjyrën e mollës së kuqërremtë majë pemës në kopsht, dizgje-dizgje përvidhet mes degësh. Kjo dritë e prek kumrinë dhe ajo fluturon nga frëngjia e kullës e bie në degën e kumbullës, në kopsht. Ajo ka katër kumri të vogla në çerdhen në frëngji, të cilat presin ushqimin nga e ëma. Kanë pak durim të presin, gjithnjë dëgjohen në kor gu-gu-gu-gu. Në degët plot fruta të kumbullës kërcejnë degë më degë dy ketra, njëri i kuqërremtë e tjetri ngjyrë kafeje. Unë kënaqëm me këngët e zogjve dhe vallet e furishme të dallëndysheve në pjesën e qiellit që e zë nga dritarja e dhomës sime. Nuk pres asnjë çast; laj fytyrën me ujë të freskët, vesh fustanin ngjyrë rozë me flutura të kuqe, të verdha e të kaltra, e marr kovën e vogël dhe zbres shkallët e drurit e dal në pemishte. Kokërr më kokërr këpus kumbulla të shijshme dhe mbush kovën time ngjyrë kafeje.
– Çfarë do të bësh me gjithë ato kokrra kumbullash, – më trembi zëri i gjyshit.
– Nuk do t`i ha vetëm gjysh, jo, por me mamanë, me ty dhe me shoqen time Klea…
– Ja, e shikon… qenka zgjuar dhe Klea, – tha gjyshi.
Ktheva kokën dhe e vërejta Klean në oborrin e shtëpisë së vet nga e lëshon në qiell katanën e kaltër.
– Ajo e ka dashuri lëshimin e katanës në qiell, – ia bëra.
– E ti?
– Po, ashtu dhe unë. Ik te ajo, e lëshojmë lart-lart katanën, luajmë e kënaqemi bashkë. Ikim fushës të hareshme e prapa nesh vjen gjithnjë dhe kotelja ime.
-Po, e kam hetuar këtë, – m`u afrua gjyshi dhe mori nga kova disa kokrra kumbulla.
– Të bëfshin mirë, – ia bëra gjyshit dhe e buzëqeshur ika te Klea, t`ia japë katër kumbulla nga kova ngjyrë kafeje. Ajo më lëshoi në dorë perin e katanës së kaltër, e cila fluturonte në qiell. E shikoja e kënaqur katanën nga ikën e vjen qiellit si një kumri. Kotelja e artë vërtitej herë rreth meje herë rreth Kleas, pastaj ikte me kërcime atraktive pas hijes së katanës së kaltër, që binte në bar të gjelbër. Koha iku shpejt, duke lozur me kotelen, me katanën e kaltër, duke i shikuar ketrat dhe duke dëgjuar zërat në kor të katër kumrive që vinin nga frëngjia e kullës.