BE ia heq Serbisë kushtëzimin për anëtarësim që lidhet me njohjen e Kosovës

0
344
Berlaymont EC

Nacionale.Info16 prill 2020

Ndërsa debatet në lidhje me një marrëveshje të mundshme të fshehtë mes presidentit të Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë ndërmjet diplomatëve ndërkombëtarë dhe njohësve të çështjes së Kosovës, një zhvillim shumë i rëndësishëm që ka ndodhur në zyrat e BE-së, gjatë muajit shkurt të këtij viti duket se ka mbetur në hijen e pandemisë.

Konkretisht, BE ia ka hequr Serbisë kushtëzimin për normalizimin e marëdhëniveve me Kosovën. Tashmë kapitulli 35, që ka shërbyer vitet e kaluara si kusht për proçesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, nuk do të shihet më si i tillë në sajë të ndryshimit të metodologjisë së Komisionit Europian, përsa i përket anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Përendimor.

Në një dokument që KE i ka komunikuar Parlamentit Europian, Këshillit, Komisionit Europian Ekonomik e Social dhe Komisionit të Rajoneve thuhet se është e nevojshme që të përmirësohet efektiviteti i proçesit të anëtarësimit dhe monitorimit të implementimit të reformave nga ana e shteteve.

Propozimi është që të zhvillohet një proces më dinamik në mënyrë që të injektohet dinamizëm i mëtejshëm në procesin e negociatave dhe të nxiten përpjekjet përtej kapitujve individualë. Kapitujt negociues do të organizohen në bazë të temave më gjithëpërfshirëse siç janë qeverisja e mirë, tregu i brendshëm, konkurrueshmëria ekonomike dhe konektiviteti, thuhet në dokument.

Dokumenti i Komisionit përmend ndër të tjera përpjekjet që duhet të bëhen për zgjidhjen  e mosmarrëveshjeve bilaterale, duke vënë theksin në rolin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, i cili duhet të mbyllet me një marrëveshje  gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht të detyrushme. Mirëpo tashmë ky nuk është një kusht që do të pengonte Serbinë në rrugën drejt BE-së.

Pozicioni i BE-së përsa i përket anëtarësimit të Serbisë në kapitullin 35 ka qenë shumë i qartë. Aty thuhej se marrëveshjet e arritura gjatë negociatave në kapituj specifikë, edhe ata të veçantë, mund të mos konsiderohen si finale derisa një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihej për të gjitha kapitujt. Kjo do të thotë se nëse Serbia nuk do të normalizonte raportet me Kosovën, pra të përmbyllte kapitullin 35, nuk do të mund të anëtarësohej në BE.

Avancimi i Serbisë në negociatat për anëtarësim në BE do të udhëhiqet nga progresi i Serbisë në përgatitjet për pranim, që do të matet në mënyrë të veçantë me angazhimin e Serbisë për përmirësimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të marëdhënieve me Kosovën,” thuhej ne kapitullin 35, në Pikën për normalizimin e marëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa në dokumentin që Komisioni i ka dërguar institucioneve të BE-së, duket se ka një ndryshim të rëndësishëm të qasjes, e cila edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt me Serbinë, ajo do të përfitojë nga mënyra se si BE do të vlerësojë përparimin e vendeve kandidate, përsa i përket përmbushjes së standarteve për anëtarësim.

Në dokumentin e komisionit thuhet se grumbullimi i kapitujve do të lejojë një fokusim më të madh në sektorët thelbësorë në dialogun politik dhe do të sigurojë një kornizë të përmirësuar të angazhimit politik të nivelit të lartë. Kjo metodë e vlerësimit do të lejojë që të identifikohen reformat më të rëndësishme dhe urgjente për secilin sektor.

Bisedimet për secilin grup do të hapen si një e tërë – pasi të kenë përmbushur standardet e hapjes – në vend që kapitujt të hapen në baza individuale. Si rezultat i proçesit të shqyrtimit të realizuar për grup, prioritetet për integrimin e përshpejtuar dhe reformat kryesore do dakordohen midis BE-së dhe vendit kandidat.

Sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike si dhe programi i reformave ekonomike do të jenë kriterët bazë për anëtarësim në BE. Mbetet në fuqi vlerësimi sipas meritave individuale të shteteve kandidate.

Ndërkohë përfaqësuesit e Kosovës, nuk kanë përmenduar në asnjë deklaratë një çështje të tillë, për të cilën si duket as nuk janë të informuar. Qëndrimi i mëhershëm i diplomacisë së Kosovës ka qenë që Serbia të kushtëzohet me njohjen e Kosovës nga ana e BE-së, por si duket betejat e brendshme politike kanë bërë, që të mos shohin se çfarë po ndodh në arenën ndërkombëtare, që prek interesat e Kosovës.