LULENANA

0
610
Mustafa Spahiu

Nga Mustafa SPAHIU

(Matnicaria chamomilla)

Hijes së sime ëmë, Fahrie, në 100 vjetorin e lindjes

(I magjepsur me qiellin kaltërosh, jam rritur me lule dhe me cicërima)

Sa herë që e shikoi diellin, e vështroi se si kërruset mbi shtëpitë e varfanjakëve dhe më bëhej më i ngrohtë se është… Lumi s’është opal, mirëpo s’është as i rrumbullakët… Vetëm dielli është pogaçe – sofër e madhe, sa një vapor, i cili lundron hapësirës mbi pullazet tona të përhirta… Dhe sot, më xunxuron në vesh, fjala e nënës: “Shejtni e dashun, shejtni që në hesapin tand s’dallon kurrkend!” Dhe tani, si atëherë në fëmijërinë time, ku ai (dielli) sipër shtëpisë dollma (përdhese) ndalet pakëz, kaq sa për t’ia parë kurorën e praruar rreth ballit, prej së cilës ndrisin sytë lara-lara të ngrohtë të luleve ngjyrë portokalli. Edhe mëtutje drithëriten visoreve të pafund, në të cilat e hudhi shikimin – sa më ha syri. Nuk ka trëndafila më të mrekullueshëm se ata – pas shikimit tim në zemrën e diellit.

As fluturat çuditërisht më të bukura dhe madhështore, që atëbotë më vegonin para syve. As zog – zjarri magjiplotë kur kaptonte mbi urëbardhën hyjnore, se ndalte fluturimin mbi haragaçet e rrethuara me ferra! As të kimerave ëndrrasjellëse, miturisht të brishta mbi sixhadet e mbushullimeve (salltaneteve) të kujtimeve të kokoçelëve – këmbëzbathura të ditëve të mia pikaloshe, të fëmijërisë si lëmishtja e përzier me gjethe, si guaska të harruara në zhavorin e detit… O, Zot i madh!, çfarë harmoni e papërvujtume që nuk gjendet askund, e që ka përmbajtje për gjithçka – çfarë shëndritje në visaret e lirishteve të fantazisë, në të cilat as deri më sot nuk ia arrita dot të ngjitem, që së paku me cepin e syrit të shikoi nëpër një vrimë: çka është ajo atje në anën tjetër, të botës?!

Në anën time të botës, ndoshta fëmijët tjerë janë si zogj të rrallë?! Mendimet e fëmijëve janë tufëza lulesh, por skutat e tyre çfarë bote të paparë mëshehin?… Kam qenë fëmijë me treqind ëndërra e shtatëqind zgjëndërra… Në fillim të viteve të 50-ta, ah, por ndryshe ishte atëherë! Disi fare ndryshe… Tjera kanë qenë ditët që sillte marsi, tjetër aroma e prillit… Ëndërrat e majit dhe të qershorit ngjanin në deriçkat nëpër gardhiqet e kalbura! Magjet, si nëna pagane “nusëronin” të boshadisura! Varfëria ishte e skajshme dhe nëna ime, ama veç ime ëmë ishte lulja më e bukur në botë! Kjo qe fëmijëria e fëmijëve të prindërve të vrarë e të katandisur si “armiq” të popullit! As sot, se di në emër të cilit popull?!

Malet, vërrijet, fushat, livadhet e buhishme të Kosovës mburreshin vetëm me bar e lule të drojtura. Edhe ne çamarrokët, nuk rrinim bjerraditës, vraponim pas vjeljes së bimëve shëruese tërë ditën, në mbrëmje, tufëzat tona nënat dhe burrat e shtëpive, të nesërmen i shpienin në kasaba për t’i shitur, që neve kështu të na ushqenin… Kështu jam kuruar unë, kështu është shëruar bota… Unë si “tekanjoz”, gjithnjë e kam kërkuar lulen më të dashur – Lulenanën (kamomilen) gjumashen, e kam gjetur – flutur krahëbrishtakepushbut, kam ngarend nëpër qiell dhe kam vrapuar fushave, kodrishteve, lulenanat i kam sjellë në shtëpi, që nënën e dashur të sëmurë ta shëroi, shpirtkulluarën… Kështu them (sot skuqem) begatohej varfëria, kurse fëmijëria dalëngadalë kalonte, për të cilën asnjëherë nuk do të vetëdijësohem, ç’ne “vishaktepricat (!) në Kosovë, më 1947??

Ajo, hafifja, barkurritura, e brishta, burrëresha, grua në shtëpi, burrë në pazar, ime ëmë, prej nga ajo specie të quhet Lulenana në fushën e gjerë? – e donte shumë. Sikur prej qiellit blu e ka mbëltuar ndonjë dorëmirë, e fisme, dorë bujareshë, poende dorë varfanjake. Të bëhet sikur petalet e bardha kanë zbritur mbi kurorë, i ka derdhur ndonjë zog i dritës; ka lule të këtilla edhe atje ku nuk ka lule… Lavërtarët e arave të bukës së Fushës së Mëllenjave (Kosovës), e mbledhnin para buzëmbrëmjes, e sjellin në shtëpi, e vendosin në dhomën e gjumit që t’ju amësojnë pranë nënkresave… Nesër të jenë më herak se lulet.

Fëmijëria është një pjesë sermi e qielli në tokë

Një pjesëzë e qiellit në tokë dhe mbi të bima, e bimuar me lule mjekësore. Të rritura, kokorroshe, me gjethe të gjelbërta dhe mbi te lulja dhe flutura, beft dhe një mollëkuqe sapo i mbyll fletët dhe ulet afër fluturës… Çdo gjë është harresë, çdo fije bari harrestare, mbi të cilin fëmijët krejt padashur (pahiri) e kanë shkelur, duke i kërkuar arnat e blerta të quajtura – jetë!

Fëmijëria: e thash tashmë – Qiell, dhe thash hyjnisht Lule, hë, e thash apo jo – Lulenana! Dhe çdo gjë është afër me ato fjalë dhe emrat e tyre. Krejt ajo që mund të zë vend nën krahët e kësaj luleje. Nën strehën e saj! Fëmijëria është – prej aty e tutje bëhet me flatra, dhe mbretëria qiellore. Lulenana, ajo qëndron si lulja më e mirë në jakën e tërë integritetit të poezisë sime, në anën e majtë të zemrës, si nishan i saj dhe me tipare karakteristike. Në qoftë se bëhet fjalë në esencë për poezinë për fëmijë ose të rritur, – të gjitha këto vargje modeste i imagjinon dhe i sajon dora ime fëmijërore me dorëshkrimin drithëtar. Madje, si të kërkoi diçka nga mbretëria qiellore, diçka të largët dhe të kahershme që beft ma sjellë kaltërsinë magjepse, si zogu i kaltërt i Drinit të Bardhë, që askush deri më sot nuk ia ka parë çerdhën! Vogëlsia ime asnjëherë nuk do të ngopet duke e soditur botën! Duke e shikuar qiellin i pash lulet në tokën – nënë… Dhe mbeta çuditërisht me pikasjen surprizë: (“Një albatros kthente kryet në të gjitha anët. U duk koka e madhe e fokës me sy të blertë si deti.” – këngë popullore eskime). Po sikur të mos kisha qenë fëmijë, dhe të mos jam fëmijë thinjosh, që këte, ndoshta asnjëherë se kisha parë dhe ndijuar ose nuhatur… Me ofshe, po them se së paku ka mundur edhe të ndodh, mos, o Zot i Madh, që si i verbët ta kaloja rrokopujën e shekullit tim.

Sa fjalë gjithfarësh ka? Fëmijëria më mëson si ta shkruaj vjershën

Ajo pjesë qielli në tokë, ajo pjesë e përjetësisë, ose e amshimit e tërësishme, është pjesë e së kaluarës dhe ardhmëria e sigurt e vjershave të mia. Tërë jetën, një jetë të tërë – më shitoi fjala! I tërë një qiell, i cili mbi këtë jetë skamnore, që jam kërrusur dhe përkulur nën te. Në atë pjesë të qiellit që më është ndarë, më ka ra për hise, unë kështu e shikoi. Nën këtë qiell e shkruaj vjershën, e mbëltoi lulen, e ëndërroi nënën. Kjo është fëmijëria e viteve të pjekura djaloshare: fluturat, qengjat, shqerrëkat, vjollcat, dallëndyshet, ketrat, zogjtë nga më të ndryshmit, Anamoravën time dhe sovranin e qiellit – Diellin! Rreth këtyre jam krijuar, rreth tyre është ajrosur, është shpërndarë, përhap andej – këndej; as atë ditë e sot nuk pushon së vardaruari magjia dhe mrekullia e jetës, fshehtësia dhe bukuria e poezisë… Ajo edhe sot në merr me vete, më shpie nëpër botë… U nisa një mëngjesi… si dikur në ato fusha duke m’i treguar shtigjet, rrugët dhe udhët e shtypura dhe në ato vise që s’kapërcehet dot fare dhe e vetmja din të kthen në përdhesën time, kur e bjerr rrugën…

Ajo muza e bekuara engjëllore (Erato), më mëson si shkruhen vjershat. Ajo më kthen nga rrugëtimet e mia të gjata – me një mijë kilometra dëshira, nga kalueshmëria (tranzitare e kohës) nën strehët e ngrohta të poezisë… Ajo (fëmijëria) me këngën deri në orët e vona të pasmesnatës mbetet e zgjuar, e merakosur për dhe mbi mua; duke u ronitur mbi pagjumësinë e botës. Atëherë e kërkon – Lulenanën – epokën e jetës sime kurrë më të kthyeshme dhe stinën e artë të vjershës, poezisë… Perifrazim: “Bota është oborri im i fëmijërisë, vendlindja është oxhaku i metaforës sime, letërsia është planeti i shpirtit tim…”

Fëmijëria ime gjendet në vjershën “Kamomilja”.