Shkruan: Florim Zeqa, 15.04.2020
Dështimi i seancës së djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kososvës ndodhi për dy arsye; për shkak të mungesës së deputetëve të LVV-së dhe për shkak të tërheqjes së PDK-së nga propozimi i saj për pakon emergjente.
Siç dihet seanca e Kuvendit ishte thirrur me kërkesën e PDK-së për debat parlamentar për “Pakon Emergjente”, të cilën tentuan ta kthejnë në mocion për nxjerrjen e dy projektligjeve; për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe pakon emergjente financiare prej 320 milion eurosh, gjë të cilën e kundërshtoj kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke e arsyetuar me rregulloren e Kuvendit dhe komentarin e Kushtetutës si pengesë për futjen e mocionit të PDK-së në rend të ditës, të cilët më pas u tërhoqën nga propozimi dhe seanca u mbyllë pa debat parlamentar.
Ndodhi ashtu siç e kisha cekur në shkrimin “Përballja e parë LVV-PLAN” të datës 13.04.2020; “Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në seancën e nesërme e Kuvendit, për shkak se aq të paparashikueshëm janë bërë politikanët kosovarë, saqë nuk ju besohet më për asgjë!“.
Mungesa e deputetëve të LVV-së doli jashtë parashikimit tim, jo pse nuk e kisha menduar këtë, por pse nuk doja të besoja që LVV-ja do ta merrë një vendim të tillë për ikje nga përballja në Kuvend.
Ikjet nga debati paralmentar nuk janë praktika të subjekteve të hapura që pretendojnë ndryshimet politike dhe reformat substanciale, e aq më pak të subjekti që deri më sot nuk i ka ikur asnjë debati në kuvend!
Anashkalimi apo më mirë të themi, injorimi i institucionit më të lartë në vend, siq është Kuvendi i Republikë së Kosovës, si organi i parë dhe më i lartë i republikës parlamentare nga një qeveri e shkarkuar paraqet përmbysje të rendit kushtetues në vend.
Në anën tjetër, tendenca e PDK-së për futjen e mocionit në rend të ditës së seancës së djeshme në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, paraqet tendencën antikushtetuese të marrjes së kompetencave të qeverisë në detyrë, gjegjësisht tendencës për krijimin e një qeverie nën hije, ngjashëm siq kishte vepruar gjatë qeverisjes LDK-AAK në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Koha nëpër të cilën po kalojmë, nën kërcënimin e pandemisë botërore të “Covid-19”, i bënë të pa pranueshme fiskulturat politike dhe manipulimet e kësaj klase të papërgjegjshme politike me opinionin publik, kinse në emër të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.
Përhapja e “Covid-19” dhe dualizmi i veprimeve politike të bartësve të institucioneve shtetërore dhe mos koordinimi i liderëve shtetërorë, e rrezikon akoma më shumë jetën e qytetarëve, të cilët nuk e kanë të qartë se çfarë realisht është duke ndodhur në vendin tonë.
Kështu po ndodhë në vendin e paradokseve të mëdha, për shkak të politizimit të virusit “Covid-19” nga virusët politikë, që fatkeqësisht janë me bollëk në vendin tonë.
Përderisa shkaktimi i krizës qeveritare erdhi nga mosmenaxhimi i mirë i situatës së parë konfliktuoze nga ana e kryeministrit Kurti, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së shpresës në kohë pandemie ishte skenarë dhe produkt i virusëve politikë që thyen shpresat e qytetarëve dhe rrezikuan të ardhmen e shtetit.
Sikurse mocioni i mosbesimit ndaj partnerit qeverisës në kohë pandemie, ashtu edhe kthimi në shtratin e PAN-it do të jenë vetëvrasje politike për LDK-në!
Përplasja e ashpër e kryeparlamentares Vjosa Osmani me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, e dëshmon situatën shpërthyese brenda LDK-së, shkaku i prishjes së koalicionit me LVV-në dhe gatishmërisë për koalicionin e ri qeverisës me partitë e PAN-it.
Bazuar në përhapjen e deritanishme të “Covid-19” në Kosovë, jam thellësisht i bindur që Kosova do të kalojë më lehtë dhe më mirë nga kjo pandemi sesa të gjitha vendet e rajonit, por do ta ketë shumë të vështirë të lirohet nga virusët politikë që po ia gërryejnë shpirtin Kosovës tani e dy dekada pa ndërprerë.