Pesë muaj më vonë, çfarë dinë shkencëtarët tani për koronavirusin

0
383
Coronovirus - foto - reuters

Nga Nacionale.Info13 Prill 2020

Koronaviruset kanë krijuar probleme për njerëzimin për një kohë të gjatë. Disa versione dihet se shkaktojnë ftohje të zakonshme dhe së fundmi dy lloje kanë shkaktuar shpërthimin e sëmundjeve vdekjeprurëse: sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes (Sars) dhe sindromën e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (Mers).

Por ndikimi i tyre ka qenë i vogël në krahasim me shkatërrimin global që po shkakton koronavirusi, i cili ka sjellë pandeminë Covid-19. Në vetëm disa muaj ajo ka shkaktuar bllokadë në dhjetëra kombe dhe ka marrë më shumë se 100,000 jetë. Dhe sëmundja vazhdon të përhapet.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një “top të ndritshëm” të materialit gjenetik të veshur në proteina yndyrore të quajtura lipide, i cili është sa 1/80 miliarda e një metri në diametër. Njerëzimi është gjunjëzuar nga një sulmues kaq modest.

Nga ana tjetër, njohuritë tona për Sars-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19, janë gjithashtu të konsiderueshme. Ky ishte një organizëm i panjohur për shkencën vetem pesë muaj më parë. Sot është objekt studimi në një shkallë të paparë. Po zhvillohen projektet e vaksinave, kanë filluar provat antivirale të ilaçeve dhe po dalin teste të reja diagnostikuese.

Prandaj, pyetjet janë të drejtpërdrejta: çfarë kemi mësuar gjatë pesë muajve të fundit dhe si mund t’i japin fund kësaj pandemie këto njohuri?

Nga erdhi dhe si i infektoi fillimisht njerëzit?

Studiuesit kanë zbuluar se pothuajse është e sigurtë se virusi Sars-CoV-2 e ka origjinën nga lakuriqët, të cilët kanë zhvilluar reaksione të forta imune ndaj viruseve. Këto reaksione mbrojtëse te tyre i shtyjnë viruset të shumëfishohen më shpejt, në mënyrë që të tejkalojne mbrojtjen imune të lakuriqëve. Nga ana tjetër, kjo i shndërron lakuriqët në një rezervuar të riprodhimit të shpejtë të viruseve shumë të transmetueshëm. Atëherë kur këto viruse të lakuriqëve barten në gjitarë të tjerë, krijesa që kanë mungesë të një sistemi imunitar që përgjigjet shpejt, virusi përhapet me shpejtësi tek bartësit e rinj. Shumica e provave sugjerojnë që Sars-CoV-2 filloi të infektonte njerëzit përmes një specie ndërmjetëse, siç janë pangolinat.

Statistikat e koronavirusit: çfarë mund të besojmë dhe çfarë duhet të injorojmë?

Ky virus ndoshta u bart nga një lakuriq në një kafshë tjetër, dhe se kafsha tjetër ishte mbase afër një njeriu, mbase në një treg,” thotë virologu Edward Holmes Profesor nga Universiteti i Sidneit. “Dhe kështu, nëse ajo kafshë e egër ka një virus, që e ka marrë nga një lakuriq dhe ne jemi në kontakt me të, gjasat janë që virusi të përhapet më pas te personi që merret me kafshën. Atëherë ai person do të shkojë në shtëpi dhe do ta përhapë tek dikush tjetër dhe kështu do të kemi një shpërthim të virusit.”

Përsa i përket transmetimit të Sars-CoV-2, kjo ndodh kur sperklat që përmbajnë virusin kalojnë nëpërmjet kollës apo teshtitjes nga një person i infektuar tek personat e tjerë.

Si përhapet virusi dhe si ndikon ai te njerëzit?

Grimcat që bartin virusin (sperklat) thithen nga të tjerët dhe bien në kontakt me qelizat që gjenden në sipërfaqen e fytit dhe laringut. Këto qeliza kanë një numër të madh të receptorëve – të njohur si receptorët ACE-2 – në sipërfaqet e tyre. (Receptorët e qelizave luajnë një rol kryesor në kalimin e sinjaleve proteinike në qeliza dhe në nxitjen e komunikimit mes tyre). “Ky virus ka një proteinë sipërfaqësore, që është e gatshme të kyçet në ato receptorë dhe të zbrazë ARN-në e saj në qelizë,” thotë virologu Jonathan Ball, Profesor në Universitetin e Nottinghamit.

Pasi të futet brenda, ARN virale shfrytëzon mekanizmat riprodhues të qelizës pritëse, për të shumëfishuar materialin e vet gjenetik. Këto shpërthejnë jashtë qelizës, dhe infeksioni përhapet. Antitrupat e gjeneruar nga sistemi imunitar zakonisht luftojnë virusin dhe në shumicën e rasteve ndalojnë përparimin e tij.

Infeksioni Covid-19 është përgjithësisht i lehtë, dhe ky është vërtet sekreti i suksesit të virusit,” shton Ball. “Shumë njerëz as që e vërejnë se kanë një infeksion dhe kështu shkojnë në punë, shtëpi dhe supermarkete duke infektuar të tjerët.”

Në të kundërt, SARS – i cili gjithashtu shkaktohej nga një koronavirus – shkaktonte gjendje më të rëndë te pacientët dhe vriste afërsisht një në 10 prej të infektuarve. Në shumicën e rasteve, këta pacientë janë shtruar në spital dhe kjo i parandaloi ata të infektonin të tjerët – duke prerë kështu zinxhirin e transmetimit. Duke qenë se është më i lehtë, Covid-19 i shmanget këtij trajtimi.

Pse virusi shkakton vdekje në disa raste?

Ndonjëherë, megjithatë, virusi mund të shkaktojë probleme të rënda. Kjo ndodh kur lëviz në thellësi të rrugëve të frymëmarrjes dhe infekton mushkëritë, të cilat janë edhe më të pasura me qeliza me receptorë ACE-2. Shumë nga këto qeliza shkatërrohen, dhe mushkëritë mbushen me copa të këtyre qelizave. Në këto raste, pacientët kërkojnë trajtim në kujdesin intensiv.

Edhe më keq, në disa raste, sistemi imunitar i një personi shkon drejt rënies, duke tërhequr edhe më shumë qeliza imunitare në mushkëri për të sulmuar virusin, dhe duke shkaktuar inflamacion. Ky proces mund të dalë jashtë kontrollit, atëherë kur dëmtohen më shumë qeliza imune, dhe inflamacioni përkeqësohet. Kjo njihet si stuhia citokine. (Në greqisht, “cito” do të thotë qelizë dhe “kino” do të thotë lëvizje.) Në disa raste, kjo mund ta vrasë pacientin.

Është e paqartë pse stuhitë e citokinës ndodhin vetëm tek disa pacientë, por jo në pjesën dërrmuese të tyre. Një mundësi është që disa njerëz të kenë versione të receptorëve ACE-2, që janë më të prekshëm ndaj sulmeve nga koronavirusi, sesa ato të shumicës së njerëzve.

A jemi të mbrojtur përjetësisht nëse infektohemi?

Mjekët që ekzaminojnë pacientët që rikuperohen nga një infeksion i COVID-19 po gjejnë nivele mjaft të larta të antitrupave neutralizues në gjakun e tyre. Këto antitrupa prodhohen nga sistemi imunitar, dhe e mbështjellin virusin në pika të veçanta, duke bllokuar aftësinë e tij për të shpërthyer në qeliza.

Është e qartë se përgjigjet imune kundër COVID-19 janë duke u rritur te njerëzit e infektuar,” thotë virologu Mike Skinner nga Kolegji Mbreteror i Londrës. “Dhe antitrupat e krijuar nga reaksioni imun do të ofrojnë mbrojtje kundër infeksioneve të ardhshme – por duhet të kemi parasysh që nuk ka gjasa që kjo mbrojtje të jetë e përjetshme.”

Përkundrazi, shumica e virologëve besojnë se imuniteti ndaj COVID-19 do të zgjasë vetëm një ose dy vite. “Kjo është e ngjashme me koronaviruset e tjera që infektojnë njerëzit,” thotë Skinner. “Kjo do të thotë që edhe nëse shumica e njerëzve përfundimisht i ekspozohen virusit, ai ka të ngjarë të bëhet endemik – që do të thotë se do të shohim pik sezonal të infektimit nga kjo sëmundjeje. Ne do të kemi arritur një gjendje të qëndrueshme sa i përket COVID-19.”

Me pak fjalë, virusi do të jetë me ne për një kohë të shkurtër. Por a mund të ndryshojë virulenca e tij? Disa studiues kanë sugjeruar se mund të bëhet më pak vdekjeprurës. Të tjerë kanë argumentuar se mund të ndryshojë për t’u bërë më vdekjeprurës. Skinner ka dyshime. “Ne duhet ta konsiderojmë këtë pandemi nga pozicioni i virusit,” thotë ai. “Po përhapet në mbarë botën shumë bukur. Po shkon mirë. Modifikimi nuk i sjell dobi. ”

Në fund të fundit, do të jetë zhvillimi dhe shpërndarja e një vaksine efektive, që do të na çlirojë nga kërcënimi i COVID-19, thotë Skinner.

Kur do ta marrim një vaksinën?

Të premten, Revista Nature raportoi se 78 projekte vaksinash ishin provuar në të gjithë globin – dhe në zhvillim janë aktualisht 37. Ndër projektet që janë duke u zhvilluar është një program i vaksinave, që tani është në fazën provuese në Universitetin e Oksfordit, dy të tjerë në korporatat e bioteknologjisë amerikane dhe tre të tjera në grupet shkencore kineze. Shumë zhvillues të tjerë të vaksinave thonë se planifikojnë të fillojnë testimin njerëzor këtë vit.

Kjo përgjigje ngjall shpresat se një vaksinë për COVID-19 mund të zhvillohet në një kohë mjaft të shkurtër. Sidoqoftë, vaksinat kërkojnë studime në shkallë të gjerë rreth sigurisë dhe efikasitetit. Mijëra njerëz do të merrnin vetë vaksinën ose ilaçe jo të dëmshme, për të përcaktuar nëse do të ishin efektive në parandalimin e infeksionit nga virusi, të cilin ata do ta kishin hasur në mënyrë të natyrshme. Por ky është një proçes i gjatë që nuk mund të shmanget.

Si rezultat, disa shkencëtarë kanë propozuar një mënyrë për ta përshpejtuar procesin – duke u ekspozuar në mënyrë vullnetare ndaj virusit, për të përcaktuar efikasitetin e një vaksine. “Kjo qasje nuk është pa rreziqe, por ka potencial të përshpejtojë për shumë muaj testimin e vaksinave kandidate,” thotë Nir Eyal, një profesor i bioetikës në Universitetin Rutgers.

Vullnetarët duhet të jenë të rinj dhe të shëndetshëm, thekson ai: “Shëndeti i tyre gjithashtu do të monitorohet nga afër, dhe ata do të kenë qasje në kujdesin intensiv dhe çdo ilaç të disponueshëm”. Rezultati mund të jetë një vaksinë, që do të shpëtojë miliona jetë, duke qenë gati për përdorim në një kohë shumë më të shkurtër se ajo që kalon në fazën standarde të tre provave.

Por infektimi i personave në mënyrë të qëllimishme, – në veçanti vullnetarëve të cilëve do t’u jepej një vaksinë me placebo si pjesë e provës – është çështje e diskutueshme. “Kjo do të duhet të mendohet me shumë kujdes,” thotë profesori Adam Fin nga Universiteti i Bristol. “Të rinjtë mund të pranojnë mundësinë për t’iu bashkuar një prove të tillë, por ky është një virus që vret në mënyrë të çuditshme edhe personat e rinj. Ne ende nuk e dimë pse. Sidoqoftë, provat e fazës e tretë janë akoma larg, prandaj kemi kohë ta shqyrtojmë idenë me kujdes.”

Marrë nga: The Guardian