Zbardhet letra sekrete e Enver Hoxhës: Klerikët, me përjashtim të katolikëve, janë injorantë…

0
950
Enveri dhe kleri

Dinë lutje përmendesh si hoxhallarët, por do i rrafshojmë nga faqja e dheut…

Panorama.com.al, 13 prill 2020

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al publikon një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret” që mban datën 27 shkurt 1967, të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha i’u ka dërguar një letër të gjatë të gjithë komiteteve të partive të rretheve, ku ai i’u shpjegon masat që duhej të ndërmerreshin në luftën kundër besimeve fetare në Shqipëri, duke dhënë shpjegime të hollësishme dhe të detajuara, se “si duhej punuar konkretisht me masat e popullit, për t’ju çrrënjosur nga ndërgjegjja e tyre besimin fetar dhe se si duhej punuar me njerzit për t’i bindur fillimisht ata dhe më pas për prishjen e objekteve të kultit, si kishat, xhamiat, manastiret, teqetë, tyrbet, etj”.

Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të tre besimeve që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet, burgosjen e internimet në masë të qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit, filloi ta zbatonte vetëm në vitin 1965-‘66.

Ndaj vendimit që kishte marrë udhëheqja e lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha në atë kohë, për ndalimin e fesë dhe prishjen e të gjitha institucioneve fetare e objekteve të ndryshme të kultit, gjë e cila fillimisht u kamuflua, duke iu atribuar si një iniciative dhe kërkese të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazve të Tiranës e Durrësit, (shkolla e mesme “Naim Frashëri”) pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra, si nga besimtarët, ashtu dhe nga klerikët të tre besimeve fetare, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjoze në të gjithë vendin.

Por reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan akoma dhe më shumë kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të kultit, po bëhej realitet nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët filluan sulmet ndaj kishave e xhamive, duke ndërsyer fillimisht ndaj tyre nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë.

Në atë kohë, kur sapo kishte filluar sulmi ndaj fesë dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë dhe besimtarë të shumtë, kujtonin se ajo ishte vërtetë një iniciativë e organizatave të rinisë shkollore! Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t’i dërgonin letra të ndryshme Enver Hoxhës, (pjesa më e madhe e tyre kanë nënshkruar e firmosur me emrat e tyre, por edhe shumë letra anonime), ku ata denonconin veprimet që kishin ndërmarrë ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe, duke shpresuar se udhëheqësi kryesor do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do ta ndalonte atë.

Gjë e cila rezultoi në një shpresë të kotë, pasi lufta ndaj besimeve fetare, nuk ishte një “inisiativë e rinisë”, sikundur e paraqiste në atë kohë, (por dhe më pas) udhëheqja e lartë e PPSH-së, por ajo ishte një direktivë e saj, gjë e cila vërtetohet më së miri edhe nga një letër e gjatë me siglën “Tepër sekret”, që Enver Hoxha në emër të Komitetit Qëndror të PPSH-së iu dërgonte të gjithë komiteteve të partive të rretheve, ku ai jepte direktivat përkatëse, duke dhënë shpjegime të hollësishme dhe mjaft të detajuara për luftën dhe goditjen përfundimtare që duhej dhe po ndërmerrej ndaj fesë në Shqipëri.

Letra në fjalë, që po e publikojmë në këtë shkrim, është pjesë e një dosje voluminoze, që disponon Memorie.al, ku bëhet fjalë vetëm për fushatën e egër, që ndërrmoi asokohe udhëheqja e lartë e PPSH-së me të gjithë aparatin shtetëror diktatorial kundër besimeve fetare në Shqipëri, e cila jo vetëm që çoi në prishjen dhe shkatërrimin e qindra objekteve të kultit, si kisha, xhamia, manastire, teqe, turbe etj., por dhe në arrestimin, burgosjen, internimet apo dhe ekzekutimet, e dhjetra klerikëve e besimtarëve të ndryshëm, që kundërshtuan atë fushatë dhune të egër, që e bëri Shqipërinë “të vetmin vend ateist në botë”.


Letër e KQ të PPSH-së drejtuar Komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE
KOMITETIT QENDROR

Tepër-sekret
Nr. 133 Prot. Tiranë, më 27.II. 1967

KOMITETEVE TË PARTISË SË RRETHEVE

27 shkurt 1967

Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme t’u jepen orientimet e mëposhtme:

Feja është opiumi i popullit. Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur (e që nuk janë pak) duhet t’i shërojmë. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit apo të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose feja dhe praktikat e saj ekzistojnë vetëm te plakat dhe te pleqtë. Kjo nuk është e saktë; ato mund ta humbasin virulencën e tyre vetëm në rast se i luftojmë dhe i demaskojmë, por ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë.

Sigurisht, feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, vepron me koncepte të cilat me shekuj klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por, për t’i rrënjosur këto dogma animiste në ndërgjegjen e njerëzve, i kanë shoqëruar ato edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta dhe i kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Feja çdo gjë është munduar ta lidhë me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhë me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptim siç janë mjaft popuj të tjerë, por prapëseprapë edhe ai diçka beson.

Klerikët, me përjashtim të katolikëve, aktualisht janë injorantë dhe fenë që predikojnë e mbështetin më shumë në ruajtjen e disiplinave fetare, me anën e një liturgjie arkaike, me psoma dhe duara ose me lutje të mësuara përmendsh, në rastin e hoxhallarëve, pa u kuptuar as brendinë, pa lëre interpretimin e tyre filozofik.

Ne nuk kemi lënë asnjë nga shkollat, qoftë edhe të ulëta, nga dilnin klerikët e rinj, për të interpretuar doktrinën e tyre fetare. Kështu që klerikëk e çdo besimi në vendin tonë kanë shteruar vazhdimisht si kuadro. Kurse për sa i përket botimit të librave e të dogmave të tyre, kjo mundësi ka vdekur me kohë për ta. Myslimanët as kanë, as mund të kenë dhe as mund të lexojnë ndonjë Kur’an të vjetër, pse ai është në arabisht. Praktikisht ata “rrojnë” me disa syre të Kur’anit, që i mësojnë përmendsh, që nuk i kuptojnë dhe i transmetojnë gojarisht. Ortodoksët s’janë as më të pasur në libra fetarë dhe as më të ngritur. Ata kanë vetëm avantazhin që ungjillin e kanë në shqip.

Kurse katolikët, sidomos klerikët e tyre, janë më të pasur në libra, më të ngritur dhe ata, atje ku mundin vazhdojnë ta zhvillojnë fenë katolike si filozofi. Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetarë e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e përgatitjes së kuadrit ri klerik. Tani çështja është te kishat dhe xhamitë që ekzistojnë te ne, si të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, e xhamive, e teqeve dhe e manastireve, natyrisht, paraqet një vështirësi, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Prandaj në këtë drejtim duhet pasur kujdes e takt. Por mjaft prej tyre janë prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë, apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë.

Me këto forma duhet të kërkojmë, por ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë. Sigurisht, feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, vepron me koncepte të cilat me shekuj klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por, për t’i rrënjosur këto dogma animiste në ndërgjegjen e njerëzve, i kanë shoqëruar ato edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta e i kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut.

Feja çdo gjë është munduar ta lidhë me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhë me fenë, me besimin idealist, mistik etj. Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër dogmave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa a ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptim siç janë mjaft popuj të tferë, por prapëseprapë edhe ai diçka beson.

Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e përgatitjes së kuadrit të ri klerik. Tani çështja është te kishat dhe xhamitë që ekzistojnë te ne, si të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente. Prishja e kishave, e xhamive, e teqeve dhe e manastireve, natyrisht, paraqet një vështirësi, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson. Prandaj në këtë drejtim duhet pasur kujdes e takt. Por mjaft prej tyre janë prishur me iniciativën e masës pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjera kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë.

Me këto forma duhet të vazhdojmë ne derisa t’i rrafshojmë ato nga faqja e dheut. Institucioneve fetare duhet t’u heqim, atje ku u kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë rrënjë ulliri ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma. Është interesant se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Kjo është rezultat i punës ateiste që ka bërë dhe bën Partia, por edhe i mungesës së hoxhallarëve, të priftërinjve dhe të librave fetarë. Në përgjithësi në fshat çështja e besimit fetar mbahet në zakonet e jetës e në interpretimin pragmatist të tyre, por kjo nuk duhet as të nënvleftësohet e as të neglizhohet, sepse dëmton shumë zhvillimin dhe përparimin e vendit.

Për t’i zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato kryesisht me frymën patriotike dhe revolucionare. Le të marrim çështjet e praktikave fetare myslimane. Gjatë 14 shekujve ato ruajnë karakterin e unitetit arab, të dominimit arab me anën e fesë; Kurani është libri i këtij ligji. Tek ai çdo gjë predikon ruajtjen e kësaj ideje, propagandimin e saj, të pleksur natyrisht me dogma filozofike idealiste, monoteiste, më racionale, si të thuash, se judaizmi ose kristianizmi.

Disiplinat fetare myslimane ruajnë të paprekur çështjen që, kur një person falet, qoftë ky egjiptian, kinez ose shqiptar, duhet ta kthejë fytyrën nga Meka. Kjo do të thotë ruajtje e besimit të unitetit fetar jo vetëm shpirtëror, por edhe temporal. Sipas fesë myslimane për të gjithë qendra është Meka. Disiplina e fesë myslimane kërkon që çdo mysliman, i çdo kombësie që të jetë, duhet të falet në gjuhën arabe, Kuranin ta mësojë dhe ta këndojë vetëm në arabisht. Myslimanët falen kudo njëlloj, numri i të falurave çdo ditë është i njëjtë, marrja avdes bëhet njëlloj.

Gjithashtu njëlloj janë kudo, deri në përcaktimin e datave të tyre: agjërimi, festat e bajrameve, matemi etj. Ne duhet t’i thyejmë këto praktika dhe t’u tregojmë të gjithë atyre që besojnë sa absurde është të ruash dhe të zbatosh zakone të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me jetën tonë, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën. T’u shpjegojmë origjinën dhe qëllimin e tyre, t’u vërtetojmë se si, nën petkun e perëndisë, fshihej ligji i otomanëve, i pushtuesve turq dhe i sherbëtorëve të tyre. Pra, asgjë s’na lidhte dhe as na lidh me fenë, me praktikat e saj, jo vetëm si ateistë, por edhe si patriotë shqiptarë.

A mund të imagjinohet që shqiptari të vazhdojë t’u bindet ligjeve të të huajve, ligjeve të pushtuesve, qofshin këto ligje të veshura me petkun e fesë e të sheriatit? Të vazhdosh t’u bindesh këtyre ligjeve e zakoneve, do të thotë të jesh shpirtërisht me të huajt, me reaksionin më të zi. Nuk është e mundur që nga njëra anë të mendosh dhe të veprosh drejt poltikisht, kurse nga ana tjetër të mendosh shtrembër ideologjikisht. Feja të bën të gabosh rëndë politikisht dhe të frenon të ecesh përpara.

Bota po përparon. Shqipëria po ndërton socializmin, kurse disa njerëz vazhdojnë akoma të besojnë ëndërrimet e një njeriu të shekullit VI që kishte botëkuptimin e tij mbi jetën, qëllimet e tij mbi popullin e vet dhe mbi popujt e tjerë. Ç’lidhje mund të kenë këto ëndërrime të Muhametit me realitetin tonë të shekullit XX? Asnjë lidhje! Prandaj duhen zhdukur përfundimisht dhe pa nishan këto lidhje që e shtrëngojnë njeriun këmbë e duar dhe e poshtërojnë. Këtë anë të shpjegimit historik të praktikave të fesë myslimane ne nuk duhet ta harrojmë, por ta përdorim dhe, tok me të, të ngjallim dhe të vëmë kundër praktikave fetare patriotizmin e madh të masave.

T’u shpjegojmë masave, historikisht dhe materialisht, ç’vuajtje, ç’mjerime, ç’gjakderdhje e ç’shtypje ka pësuar populli ynë, veçanërisht nga feja, se si ajo na përçante e vinte në luftë vëllanë kundër vëllait, duke i shërbyer shtypësve e pushtuesve për të na shtypur më marë, për të na robëruar më lehtë dhe për të na pirë gjakun nën emrin e fesë. Kjo duhet bërë kundër fesë myslimane, ortodokse e asaj katolike, pse të gj’itha kanë të njëjtin karakter të theksuar reaksionar, shtypës, idealist, qoftë në zhvillimin e dogmave e në përmbajtjen e tyre, qoftë në liturgjinë e ngarkuar, të rafinuar dhe pompoze, qoftë në praktikat dhe në disiplinat fetare.

Kur feja myslimane sheh te Muhameti vetëm profetin, domethënë njeriun të cilit, gjoja, zoti i transmetoi urdhrat e tij, që u përmblodhën në Kuran, Krishti për fenë ortodokse dhe për atë katolike është perëndia i bërë njeri, i zbritur mbi tokë etj., etj. Nëse myslimanizmi xhaminë e konsideron si një vend të thjeshtë për t’u falur, kristianizmi i konsideron kishat frone të zotit, ku idealizohet perëndia dhe minimizohet qenia njerëzore, skllavërohen e shtypen shpirti dhe fiziku i njeriut nën një liturgji të tmerrshme e pompoze, nën një luks të shfrenuar të klerit dhe të katedraleve, nën një praktikë të tmerrshme të përditshme që i është qepur besimtarit që kur lind dhe derisa vdes.

Besimtarit, sa është gjallë, kisha jo vetëm i merr pasurinë nëpërmjet një mijë zakoneve grabitëse, praktikës frymëmbytëse dhe skllavërimit brutal, por, nëpërmjet një mijë teorive animiste, ajo përpiqet të ruajë te njerëzit edhe kultin, edhe praktikat “e shpirtit të të vdekurit” të katër deri gjashtë mijë vjetëve më parë, siç janë çuarja në varre e grurit, kuleçëve e zahireve të ndryshme, të cilat, natyrisht, grumbullohen në mbrëmje nga priftërinjtë.

Lufta kundër fesë, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje, sidomos kundër zakoneve, traditave, mënyrës së jetesës, interpretimit të fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur, për shekuj me radhë, të futin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejnë me gëzimet, me hidhërimet, me ngjarjet e përditshme të jetës së njeriut.

Pra, na vihet detyra që të studiojmë me imtësi ku dhe si shfaqet ky helm, në ç’forma shfaqet, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato. Në jetën e njeriut, që nga lindja e tij deri në vdekje, kanë depërtuar ritet fetare, pagëzimi, vënia e kurorës, synetllëku etj., si krimbi brenda moliës së kuqe. Duke i analiznar e duke i njohur mirë këto, lufta kundër fesë do të bëhet e studiuar e sistematike, ideologjike, politike e organizative, pa pushim e pa pushim. Për të luftuar konceptet fetare ne duhet të përgatitim leksione teorike të bazuara në marksizëm-leninizmin, të thjeshta, reale, t’ua përshtatim vendit, njerëzve, zakoneve dhe nivelit tonë intelektual.

Të mos kopjojmë gjëra që nuk i përshtaten realitetit tonë. Të mos hyjmë në gjëra dhe në mendime që nuk janë të nevojshme për gjendjen tonë. Lufta kundër fesë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë në këtë luftë, nuk mund të arrijë rezultatet që dëshiron. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses.

Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë, është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologji e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologji e shovinistëve grekë, që kanë pushtuar në të kaluarën vendin tonë, dhe feja katolike, me qendër Vatikanin, ka qenë ideologji e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian. Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, gjatë shekujve janë ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe të klerikëve reaksionarë të çdo besimi që u shërbenin atyre.

Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidh’ur me fenë, sepse kjo, në esencë dhe në fakt, ka qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar. Gjatë historisë së popullit shqiptar ka pasur klerikë patriotë, që, edhe pa e mohuar besimin e tyre, kanë qenë të lidhur me popullin dhe me idenë e çlirimit kombëtar, por në asnjë kohë feja si fe nuk ka qenë një faktor përparimtar, bile nuk ka dhënë as ndihmën më të vogël në çlirimin kombëtar.

Pra, ky është një argument tjetër me baza historike që ne s’duhet ta lëmë pas dore në luftën tonë kundër fesë. Duke pasur parasysh të gjitha ç’u thanë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit që besojnë në fenë, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me Partinë e patriotë të flaktë, që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe derisa të vdesin, besimet e tyre.

Me ta duhet të bëjmë një punë bindëse, të vazhdueshme dhe me durim të madh, por të mos lejojmëqë ajo të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz Partia duhet të sillet, si të thuash, si mjeku i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer atë në gëzimet e jetës. Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët, të cilët janë njerëz profesionist që propagandojnë e i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra. Besimet fetare ekzistojnë edhe popull. Prandaj, pa e ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, të ekzaltuara duhet të evitohen, çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të mbyllësh xhamitë dhe kishat me fushatë apo me një urdhër, është punë e lehtë, por është më vështirë të përgatiten besimtarët shpirtërisht dhe ideologjikisht që të kuptojnë kotësinë e ekzistencës së këtyre institucioneve, të zhdukin fenë nga zakonet e jetës, të heqin dorë me bindje nga praktikat e saj. Atëherë për ta s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti apo hoxha. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. S’ka përse të marrim përsipër meremetimin e tyre kur kemi kaq ndërtime të dobishme për të bërë. Disa mund të kthehen në muze, në qoftë se vlejnë si të tilla, disa të bëhen depo, të mos hezitohet, të merren, por jo me dhunë ose pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht.

Në këto situata revolucionare kemi marrë vesh se kryesia e klerit bektashian dhe ajo e klerit mysliman, u kanë lëshuar një qarkore të gjithë hoxhallarëve e dervishlerëve të heqin çallmat dhe taçet, të heqin xhybet dhe të dorëzojnë teqetë e xhamitë. Këtu nuk ka asnjë shtytje, asnjë presion, qoftë edhe sugjerim nga ana e shtetit.

Kjo është krejtësisht një iniciativë e tyre. Kur e kërkon rasti, të shpjegohet që kjo është iniciativë e vetë klerikëve, sepse elementët armiq mund ta përdorin këtë kundër pushtetit. Meqenëse i njohim këta klerikë, ne mendojmë se, për këtë zell që kanë treguar, nuk janë shtyrë nga ndonjë qëllim i keq, pse ata janë të lidhur me popullin dhe me pushtetin.

Gjesti i tyre, sido që i shpejtuar, prapë i shërben interesit të përgjithshëm. Ai është një gjest patriotik dhe i guximshëm, sepse, pavarësisht se do të vazhdojnë të besojnë në fe, ata thyen një traditë shekullore, gjë që i nderon, sepse në vetvete është një mendim dhe veprim përparimtar. Por do të ishte më politike që klerikët të kuptonin dhe të ndihmonin, duke ndjekur me kujdes strategjinë dhe taktikën e Partisë në luftën kundër fesë. Do të ketë njerëz në popull që nuk do t’i aprovojnë veprimet e këtyre klerikëve. Ne nuk duhet të qëndrojmë sehirxhinj, por t’i mbrojmë ata në qëllimet e tyre të mira, sepse shumica e popullit, e në radhë të parë të rinjtë dhe të rejat, do t’i aprovojnë ato. Kjo ka rëndësi të madhe. Çdo gjë të bëhet me durim, me konsekuencë, në rrugën që shpjeguam më lart.

Për Komitetin Qendror të PPSH
Sekretari i Parë
Enver Hoxha