Misioni i intelektualit

0
408
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 09.04.2020

Odat shqiptare gjatë periudhave të pushtimeve të gjata kanë luajtur rolin e kuvendeve, ndërsa njerëzit e ditur (intelektualët) ishin prijetarë të pushtetit moral në popull.

“Dy palë njerëz e prishin odën thonin të vjetrit, “ata që nuk dijn e flasin dhe ata që dijn e nuk flasin”. Në grupin e parë të njerëzve hyjnë injorantët e të paditurit që flasin shumë e s’thonë asgjë, ndërsa në grupin e dytë të njerëzve hyjnë të mençurit e të diturit që hezitojnë të flasin.

Intelektual janë njerëzit me dhunti natyrore (nga Zoti), me një intelegjencë të zhvilluar që i thonë gjërat kjartë e bindshëm, duke reflekuar besim dhe shpresë për ardhmëri në mesin që i rrethon dhe jo vetëm.

Pleqnarët e kohës, liderë popullor

Në të kaluarën, njerëzit e mençur duke ndihmuar familjet në zgjidhjen e problemeve e ngatërresave, janë shndërruar në lider popullor, që ndryshe i kanë quajtur “pleqnar”.

Pleqnar janë quajtur si i riu, ashtu edhe i moshuari, pa dallim moshe, fshati apo qyteti, religjioni apo ideologjie.
Në të kaluarën, njerëzit e ditur (intelektualët), edhe kur nuk kanë mundur të shprehën lirshëm nga pushtuesit, gjithmonë e kanë gjetur mënyrën pët t’ia thënë të vërtetën popullit të tyre përmes metaforave, anekdodave, tregimeve të imagjinuara (meseleve).

Njerëzit e ditur dhe ntelektualët ishin bartës të lëvizjeve kombëtare që nga kohët antike e deri në ditët e sotme, që nga Kuvendi i Lezhës e deri të Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që nga Rilindja Kombëtare e deri të lëvizja paqësore demokratike (LDK) e viteve të ’90-ta, intelektualët u shndërruan në prijës politik dhe ushtarak, për ta nxjerrë popullin nga shtypja dhe robëria shekullore siq ndodhi edhe gjatë luftës së fundit çlirimtare të viteve 1998/99.

Mos t’i thotë vetes intelektual, ai që pranon të shfrytëzohet nga një injorant politik

Në rrethanat e reja të krijuara në Kosovën e sotme, populli ka nevojë si asnjëherë më parë për unifikimin e trurit kombëtar, të intelektualëve, njerëzve të ditur dhe atdhetarëve të vërtetë për ta nxjerrë vendin nga pushtimi i antivlerave, dukurive të shumta negative; korrupsioni, krimi i organizuar, prostitucioni politik, egoizmi, imoraliteti, …e mbi të gjitha për ta shpëtuar vendin nga zhveshja e vlerave, traditave dhe identiteti kombëtar.

Hezitimin e intelektualëve për kyqje në jetën politike, janë duke e shfrytëzuar injorantët e të gjitha ngjyrave politike. Por më keq se kaq, rreshtimi i intelektualëve në anën e së keqes është duke e dëmtuar seriozisht të ardhmën e vendit.
Në rrethanat që ndodhet vendi ynë sot, hyrja e një intelektuali nën tutelën e partive të dështuara politike, e bën akoma më të pashpresë jetën e qytetarëve në Kosovë.

Mendimi i mprehtë i një intelektuali vërehët nga thënja e të vërtetës së pastër, pa kamuflime dhe pa ngjyrime partiake. Mendimi i lirë i intelektualit paraqet kërcënim shqetësues për politikanin injorant dhe të korruptuar, për hajdutët dhe matrapazët politik.

Pavarësisht kërcënimeve dhe linçimeve intelektuali në asnjë rrethanë nuk guxon të largohet nga misioni i shenjtë për mbrojtjen dhe pëhapjen e së vërtetës dhe i të qenurit mbrojtës besnik i interesave kombëtare dhe të drejtave qytetare.

Intelektualiteti në sprovë me sfidat e kohës

Një njeri që i thotë vetes intelektual dhe atdhetar që sot rrinë indiferent ndaj zhvillimeve politike në vend, le t’i thotë çfarë të dojë vetes, por në realitet nuk është në nivelin që e pretendon.

Merreni me mend çfarë do të ndodhte sikur të tërhiqeshin të gjithë intelektualët, siq janë strukur një pjesë e intelektualëve të profilit të “lartë”.

Me siguri në këtë vend nuk do të bëhej më fjalë për prosperitet, ndryshime pozitive, zgjedhje demokratike, zhvillim ekonomik dhe mirëqënje qytetare, por do të fashiteshim deri në tjetërsim kombëtar e njerëzor nga qeverisja e antivlerave.

Ndoshta disa intelektual të kalibrit të “lartë” janë duke menduar sikurse disa arsimtar më përvojë të viteve të ’90-ta, kur e lanë arsimin për të ikur drejt vendeve evro-perëndimore, kur thoshin, po citoj; “tani ka mjaft të pashkolluar që punojnë pa rroga, unë do të kthehem kur të bëhet mirë”…e ndoshta për intelektualët e fjetur, mirë do të bëhet kur në Kosovë nuk do të ketë më banda kriminale që do t’ua rrezikonin jetën për pushtet.

Ndoshta, neve që jemi aktiv dhe të pandalshëm në përballje me dukuritë negative dhe mbeturinat e sistemit të kaluar, intelektualët e fjetur të kalibrit të “lartë” na konsiderojnë të ç’mendur!

U mbetët qytetarëve të vendit, që ta vlerësojnë kontributin e së cilit prej nesh, por edhe heshtjen dhe ndërgjegjën e të intelektualëve të fjetur.