Enver Bytyçi
Opozita me tri partitë politike me programe e vizione të ndryshme nga njëra-tjetra, përkatësisht Vetëvendosja, AAK dhe Nisma, kanë thirrur qytetarët, që më 17 shkurt të protestojnë. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se protesta e opozitës më 17 shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës, do të jetë protesta më e madhe në historinë e shtetit më të ri të Europës, duke shfaqur kështu dëshirën e fshaheu që kjo ditë mundësisht të shndërrohet në betejë e përleshje midis protestuesve dhe policisë së shtetit. Data e 17 shkurtit 2008, pra shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishte ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar, e barabartë me ngjarjen e 28 nëntorit 1912, sepse 17 shkurti plotësoi gjysmën e asaj që mungoi për një shekull nga dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali.
Në Shqipëri nuk ka ndodhur, së paku prej 103 vjetësh, që në ditën e pavarësisë së vendit të protestohet. Ka patur lëvizje të majta e të djathta, qeveri të majta e të djthta, ka pasur kriza e konflikte politike të njëpasnjëshme, ka pasur mbretëri, diktaturë komuniste, demokraci në zhvillim, anarki, e mëgjithatë nuk ka ndodh ndonjëherë që ditën e pavarësisë së vendit të bëhet ndonjë protestë. Se dita e pavarësisë është si dita e Bajramit, apo si dita e Pashkëve, është ditë e shenjtë, me të cilën nuk guxon kurrkush në çdo lloj forme e për asnjë arësye të luajë. Në Prishtinë po ndodh për herë të parë në histori që ditën e pavarësisë së Kosovës opozita të bëjë protestë. Ajo e ka thirrur protestën gjoja përkundër asosacionit të komunave serbe dhe vijës së demarkacionit. Por organizimi i saj në ditën e pavarësisë është një goditje që i jepet shtetësisë së Kosovës.
Një goditje e rëndë, një goditje që nuk do ta kishin mundur ta fusnin në skenarin e tyre as armiqtë e kundërshtarët e shtetit të Kosovës e të kombit shqiptar. Të mobilizosh e të thërrasësh njerëzit në protestë ditën e shenjtë të pavarësisë do të thotë të kundërshtosh një proces të mundimshëm, të realizuar me shumë mund e sakrifica. Do të thotë të mohosh sakrificën e gjakun e dëshmorëve, do të thotë të shkelësh aspiratën e kombit tënd për liri. Të protestosh ditën e pavarësisë do të thotë se je kundër saj, pa thënë se për çfarë opsioni tjetër lufton e punon. Do të thotë se nuk pajtohesh me lirinë që shqiptarët dhe pakicat tjera në Kosovë e fituan pas çlirimit të Kosovës.
E di se opozita thotë të kundërtën dhe këto që rendis këtu ia atribuon qeverisë. Dhe nuk është se nuk ka të drejtë në argumentin e saj. Por mjaftojnë 365 ditë të tjera ta shprehë revoltën e saj kundër qeverisë. Them 365 ditë të tjera se ky vit na ka qëlluar me 366 ditë. Një ditë, dita e pavarësisë, nuk është vetëm e qeverisë, është dita e opozitës dhe e të gjithë shqiptarëve papërjashtim, e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë opozita zgjodhi pikërisht këtë ditë të shenjtë të reagojë me protest, qëllimi dhe rrjedha e së cilës është e frikshme. A është kjo një tregues se në Kosovë po zhbëhet liria dhe pavarësia?!
Derisa shqiptarët nuk kanë njohur ndonjë projekt tjetër se çfarë do të vijë pas kësaj, duhet menduar se opozita e Kosovës po lufton kundër vetëvetes, kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Argumenti se është qeveria përgjegjëse dhe se ajo po e zhbën pavarësinë e Kosovës mund të përdoret, siç thashë 364 ditë të vitit, por jo në të vetmen ditë të shenjtë të kombit, në ditën e pavarësisë. 17 shkurti është ditë e shenjtë, ditë e bekueme prej Zotit, prej kombit shqiptar dhe prej aleatëve tanë perendimorë, të cilët dikush nga Vetëvendosje i konsideron si “imperialistë”. Dita e pavarësisë është e paprekshme, siç nuk preken shenjtët dhe profetët, Krishti dhe Muhameti. Por kush po e zhbën edhe formalisht pavarësinë e Kosovës?
Revolucionarët majtistë bolshevikë të bashkuar me një pjesë të luftëtarëve për lirinë e Kosovës, madje me parulla nacionaliste. Me revolucionarët majtisë të vetëvendosjes, me aventurierët Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti është bashkuar edhe Ramush Hajredinaj dhe Fatmir Limaj, pastaj ndonjë tjetër pjestar i Luftës Çlirimtare të Kosovës. Analistët kanë theksuar se këta janë bashkuar me një qëllim tjetër, anullimin e krijimit dhe funksionimit të Gjykatës Sepciale, e cila do të shqyrtojë disa raste të inkriminimit të disa individëve, ndoshta dhe drejtues të UÇK-së, në periudhën e luftës e të pasluftës.
Me shumë gjasa kjo është arësyeja kryesore dhe për këtë shkak ka nga ata deputetë në mazhorancë që i duartrokasin veprime të tilla anarkiste. Kjo do të thotë se të dy palët, anëtarët e Vetëvendosjes, pjesa që nuk ka lidhje me luftën si dhe pjesa e lidhur me Luftën, janë bashkuar me një qëllim: Të kundërshtojnë faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Kjo do të thotë se “qeni i shtëpisë po na e sjell ujkun në oborr”. Dmth po revokon pavarësinë dhe po ia bën një shërbim ujqve që e patën shqyer Kosovën për një shekull, për t’i rikthyer prapë në Kosovë. Ani pse parullat e tyre janë për “ta përzënë Serbinë nga Kosova”.
Serbia nuk përzihet me parulla, por me zgjuarsi, me projekte konkrete, me bashkëpunimin e palëve, me harmoninë politike e sociale të Kosovës, me institucionalizimin e shtetit, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me funksionimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera dhe mbi të gjitha me forcimin e aleancës së shenjtë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera aleate europiane. Uroj që protesta e 17 shkurtit të anullohet dhe Shpend Ahmeti në vend të vendosë pankarta e të bëjë thirrje për demonstratë antipavarësi, t’i rikthehet detyrimit ligjor që ka për të krijuar atmosferën e festës së pavarësisë, të asaj pavarësie që rrezikohet çdo ditë nga aventura të tilla.