LDK para shpërthimit mes brezit të ri të Republikës dhe brezit makiavelist shumëfytyrësh të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës

0
477
Lis Bukuroca

Nga Lis BukurocaRevista Drini5 Prill 2020

Militantët, homofobët, Albini dhe Vjosa

Nuk janë vetëm militantët e VV-së, që revoltohen, shajnë e kërcënojnë, por ithtarët e të gjitha partive „përleshen“ në facebook. Megjithëkëtë, akuzohen kryesisht ata të VV-së. Tani është në modë djallëzimi i Albin Kurtit dhe krahasimet i bëhen me Stalinin, Hitlerin dhe Kim Jong Un e Koresë Veriore

Një shtresë nuk e sheh, nuk dëshiron ta përkap atë që faktikisht është, por e beson atë që i pëlqen, por që realisht nuk është. Shpesh herë njerëzit nga interesi, apo mirënjohja (i punësuar vetë apo dikush nga familja, përfitimi, shpresa për punësim etj.) shpërfillin realitetin dhe ndërtojnë një realitet të rrejshëm. Këtë pastaj e propagandojnë si të vërtetë të pakontestueshme dhe e besojnë. Ata, të shkëputur nga ndjenja e objektivitetit, te kundërshtari shohin çdo të metë të vogël, por te lideri i vet, i idealizojnë dhe fisnikërojnë edhe të mëdhatë.

Për ta bërë kundërshtarin më të lig se sa komunisti i vet në krye, militantët e LDK-së, Albin Kurtin e identifikojnë me Stalinin. Pra, disa shkallë më lartë, disa mijëra herë më të rrezikshëm. Kështu veprojnë edhe disa militantë të komandantëve. E quajnë Hitler, pra më të lig se Millosheviqin. Pse e bëjnë? Sepse ata përpiqen të mbrojnë pasurinë e vet! Ata trishtohen dhe tmerrohen para shtetit juridik!

Merre me mend Ti dhe krahaso një politikan si Albini, me një diktator paranojak si Stalini, që ka vrarë 3-20 milionë veta. Merri me mend kampet e përqendrimit, 50 milionë të vrarë në LDB dhe krahasoje Albin Kurtin me psikopatin tjetër Adolf Hitlerin! Dhe, gjoja kanë frikë nga instalimi i diktaturës në Kosovë! Me NATO-n brenda! Merre me mend Ti!

Kur një njeri krahasohet me të ligën më sipërore të mundshme, atëherë përligjet edhe likuidimi!

Çdo shqiptar, politikisht i lirë, i pavarur, e di se LDK e Mustafës nuk synon shtet juridik, përndryshe do të duhej të arrestonte pikësëpari njerëz nga kryesia e vet. Sikur ta dëshironte atë shtet, kurrë nuk do të kishte ngulur këmbë, për të marrë Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën e pati (Skender Hyseni) edhe kur nga Kosova rekrutoheshin islamistët për në Siri!

Por pse na duken se shumica janë të VV-së ata që bëjnë shantazhe? Sepse i është bashkangjitur populli, njerëz pa parti dhe nuk na duken shumë, por janë bërë shumë! Dhe, ajo shumicë nuk është as militante, as anëtare e ndonjë partie, as antiamerikane! Ajo është ajo shumica, që nesër do t’i prezantojë LDK-së llogarinë! Thjeshtë është ajo shtresa e idealistëve, që priste ndërtimin e shtetit ligjor, por që Hashim Thaçi, (duhet të kihet parasysh edhe roli i Vlora Çitakut në Uashington) ua zhduki si shpresë dhe si ëndërr. Është ajo shumicë, që në anketa e trishton LDK-në të marrë me mend zgjedhjet.

Fushata e ashpër bëhet tani nga militantët e LDK-së. Edhe pse e rrëzuan qeverinë e vet, nuk pushojnë me etiketimet, insinuatat, përbuzjet dhe talljet. Disa janë obsesionuar nga Albin Kurti. E shajnë të majtën, edhe pse e majta në Europë është parti moderne dhe gjendet kudo nëpër kuvende, apo qeveri. Kurtin e shajnë si „komunist“, edhe pse vetë kanë në krye të partisë anëtarin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë: Isa Mustafën.

Lëdëkistët, apo më saktë militantët e Mustafës, përpiqen të shpëtojnë fytyrën dhe çajnë kokën në çfarë mënyrë ta arsyetojnë, si të përligjin një koalicion me ata që i akuzonin për krime ekonomike dhe politike.

Nuk janë (vetëm) ithtarët e Albinit homofobë. Homofobia predikohet nga klerikët e monoteizmit dhe ekziston kudo në Ballkan dhe jashtë tij, por më shumë aty ku nuk kanë përjetuar iluminizmin! Homofobi ka kudo ku në shtëpi fëmija edukohet në frymë diskriminuese dhe linçuese ndaj tyre. Dhe, vështirë të gjendet familje në Ballkan ku i thuhet djalit: „Jeta është e jotja, martohu me burrë ose me grua!“ Arsyeja? Brutalisht normale dhe ordinere: Deri para 25 vjetëve në Perëndim për homoseksualizëm dënohej njeriu! Ne nuk edukohemi për të përbuzur vetëm homoseksualët, por për të diskriminuar edhe gratë dhe motrat tona!

Po pse vërtetë LDK e rrëzoi qeverinë e vet? Arsyeja kryesore ishte t’i tregohet Vjosa Osmanit vendi dhe, nëse ajo nuk përkulet, çfarë do të mund të pasojë! LDK ka një paqe dhe harmoni të rrejshme. Ajo gjendet para shpërthimit, edhe atë mes brezit të ri të Republikës (intelektualëve të rinj idealistë) dhe brezit makiavelist, (oligarkëve, fraksioni i Thaçit) shumëfytyrësh të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.