Henry Kisinger – Foto: REUTERS/Kieran Doherty
KD/NMB – RTR46VX
HENRY A. KISINGER
Atmosfera sureale e pandemisë Covid-19 sjell në mendje ndjesitë që kam patur si djalosh në Divizionin 84 të Këmbësorisë gjatë betejës së Bulgës. Edhe tani, si në fund të 1944-s, ndjehet prania e një rreziku të paqartë, i drejtuar jo kah një person i caktuar, por që godet rastësisht dhe me forcë shkatërruese. Por ka një ndryshim të rëndësishëm ndërmjet asaj kohe të largët dhe tonës. Qëndresa amerikane e asokohe ishte e përforcuar nga një qëllim kombëtar final. Tani në një vend me ndasi, nevojitet një qeveri eficente dhe largpamëse për të tejkaluar pengesat e paprecedenta në magnitudë dhe shtrirje globale. Ruajtja e besimit të publikut është thelbësor për solidaritetin social, për lidhjen e shoqërive me njëra-tjetrën dhe për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Kombet bëhen bashkë dhe lulëzojnë mbi besimin se institucionet e tyre mund ta parashikojnë katastrofën, ta ndalojnë shtrirjen e saj dhe të rikthejnë stabilitetin. Kur pandemia të ketë shkuar instituconet e shumë vendeve do të shihen si dështake. Nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë ka pak rëndësi. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit. Të debatosh tani për të shkuarën vetëm sa e vështirëson bërjen e gjësë së duhur.
Koronavirusi ka goditur me forcë dhe egërsi të pashoqe. Shpërhapja e tij është eksponenciale: rastet në Amerikë po dyfishohen krye pesë ditësh. Deri më tani nuk ka një kurë. Pajisjet mjekësore janë të pamjaftueshme për ritmin e baticës së të infektuarve. Njësitë e kujdesit intensiv janë në zgrip. Testimet janë të pamjaftueshme përballë detyrës së identifikimit të infeksionit, lëre pastaj parandalimin e përhapjes. Një vaksinë e suksesshme mund të jetë 12 deri në 18 muaj larg.
Administrata amerikane ka bërë një punë të mirë në shmangien e katastrofës akute. Prova përfundimtare do të jetë nëse virusi mund të ndalohet dhe më pas të tkurret në një mënyrë dhe shkallë që e ruan konfidencën e publikut në aftësinë e Amerikës për të qeverisur veten. Përpjekja anti-krizë, sado e gjerë dhe e nevojshme, nuk duhet t’i marrë frymën detyrës urgjente të hapjes së një nisme paralele për tranzicionin drejt rendit post-koronavirus.
Udhëheqësit po i përgjigjen krizës kryesisht në baza kombëtare, por efektet shoqëri-brejtëse të virusit nuk njohin kufij. Ndërkohë që sulmi mbi shëndetin njerëzor-me shpresë- do të jetë i përkohshëm dëmi politik dhe ekonomik që ka shkaktuar, mund të zgjasë për breza. Asnjë vend, madje as Amerika, nuk mundet që, në një përpjekje thjesht kombëtare ta kapërcejë virusin. Nevojat e momentit dhe adresimi i tyre duhet që të bashkohet me vizion dhe programe bashkëpunimi global. Nëse nuk i bëjmë të dyja njëkohësisht ne do të përballemi me më të keqen e secilës.
Duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projektit Manhattan, ShBA është e kushtëzuar të ndërmarrë përpjekje madhore në tre drejtime. Së pari, të mbështesë një përpjekje globale ndaj pandemisë. Triumfet e shkencës mjekësore, si vaksina e polios dhe zhdukja e lisë, na ka vënë në rehati të rrezikshme. Na duhet të zhvillojmë teknika të reja përme inteligjencës artificiale për kontrollin e infeksioneve dhe të vaksionojmë sa më shumë popullatë. Qytete, shtete dhe rajonet duhet të përgatiten vazhdimisht për të mbrojtur njerëzit nga pandemitë nëpërmjet rezervave, planifikimeve të përbashkëta dhe eksplorimeve të kufijve të shkencës.
Së dyti, përpjekje për të shëruar plagët e ekonomisë botërore. Udhëheqësit botërorë kanë nxjerrë leksione të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008. Kriza ekonomike e tashme është më komplekse: kontraktimi i shkaktuar nga koronavirusi, me shpejtësine dhe shkallëzimin global, është si asnjë tjetër në histori. Masat e nevojshme të shëndetit publik, si distancimi social dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë në shtrëngesat ekonomike. Programet duhet që gjithashtu të kenë parasysh përmirësimin dhe zbutjen efekteve të kaosit të pritshëm ndaj popullatave më delikate të globit.
Së treti, ruajtja e parimeve të rendit botëror liberal. Legjenda themeluese e qeverisë moderne është një qytet i gardhuar, i mbrojtur nga sundues të fuqishëm, ndonjëherë despotikë, herë të tjera benevolent, megjithatë përherë mjaftueshëm i fuqishëm për të mbrojtur njerëzit nga armiku i jashtëm. Mendimtarët iluministë e ripërkufizuan këtë koncept duke argumenetuar se qëllimi i shtetit legjitim është t’u shërbejë nevojave themelore të njerëzve: sigurinë, rendin, mirëqenien ekonomike dhe drejtësinë. Individët nuk mund t’i sigurojnë këto gjëra më vete. Pandemia ka risjellë një anakronizëm, një rikthim të qytetit të gardhuar, në një epokë kur prosperiteti varet te tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.
Demokracitë e botës duhet te mbrojnë dhe mbështesin vlerat e tyre iluministe. Një tërheqje globale nga parimi i balancimit të pushtetit me legjitimitetin do të shkaktojë shpërbërjen e kontratës sociale, si nacionale ashtu dhe internacionale. Prapëseprapë kjo çështje mileniale, e legjitimitetit dhe pushtetit, nuk mund të zgjidhet në të njëjtën kohë me përpjekjen për të mundur murtajën e Covid-19. Përmbajtja është e rëndësishme në të gjithë krahët – si në politikën e brendshme dhe në diplomacinë ndërkombëtare. Duhen qartësuar prioritetet.
Kemi kaluar nga beteja e Bulgës në një botë me prosperitet në rritje dhe dinjitet njerëzor të përmirësuar. Tani jetojmë në një periudhë epokale. Sfida historike për udhëheqësit është menaxhimi i krizës ndërkohë që ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund ta hedhë botën në zjarr.
*Henry Kissinger ka qenë Sekretar Shteti dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare në presidencat e Nixon-it dhe Ford-it.
**Marrë nga The Wall Street Journal. Përkthimi: Politiko.al