Cufoja

0
696
C - ilustrim - Dea Halimi

Ilustrimi Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën C

Dea Halimi
Dea Halimi
Mora ca bukë në cake dhe u nisa te Ceni. Atje arrita shumë shpejt. Qenushi, të cilin unë e Ceni dy ditë më parë e gjetëm te Rrapi i Vjetër, pandërprerë afullonte.
– Çfarë ka? – e pyeta Cenin, që i rrinte afër i shqetësuar.
Ai nuk foli, vetëm rrudhi krahët.
– Pse e mban të lidhur, – i thash Cenit e hidhëruar.- Ai ka nevojë të jetë i lirë, jo i lidhur.
Ceni e liroi qenushin dhe ai përnjëherë kërceu lart e mori të ikte andej nga pylli. Ne iu vumë pas.
– Çfarë ka, pse ikë, – e shikova Cenin.
– Gjithnjë do të ikte, Dea, prandaj e mbaja të lidhur. Ja, tash nuk do të mund ta zëmë më…
Do ta humbim Cufon tonë.
– Cufo, ia ke vënë emrin? – thash unë.
– Po… Ka ndonjë gjë të keqe këtu.
– Ka! – thash. – Prisja t`ia gjejmë një emër bashkë.
– Cufo është emër i mirë… – tha Ceni.
Në atë çast stepem papritur. Pak para nesh qenushi ynë u ndal.
– Ja ku u ndal, – thash unë, – të shohim pse!?
-Ç`bëni ju këtu, – ra kumbueshëm një zë.
Unë e Ceni u shikuam sy më sy të habitur dhe në frikë.
– Ikni. Është rrezik këtu… – ra me jehonë i njëjti zë.
– Cufo qenushi ynë i dashur, na solli këtu,-tha Ceni.
– Ky nuk është qenush, është i vogli i ujkut.
Duhet të ikni nga këtu; ujkonja do të vijë së shpejti për të voglin e vet. Është e rrezikshme të takoheni me ujkonjën.
-Pse, Cufoja është ujk, – folëm të frikësuar me një zë unë e Ceni.
– Ujk është, – tha gjahtari me pushkë në krah. – Tash, ikni.
– Nuk do ta vrasësh Cufon, – ia bëra unë e frikësuar.
-Kurrsesi, – tha gjahtari dhe qeshi. – Ky Cufoja juaj është ende fëmijë!
– Nuk ia vret as nënën, apo jo? – tha Ceni dhe e shikoi Cufon nga endej i shqetësuar rreth Rrapit të Vjetër.
– Jo, jo… nuk e lë unë fëmijën pa nënë, mos u merakosni!
-Eja, Dea, të shkojmë në shtëpi, – tha Ceni.
– Gjahtari e mban fjalën!
– Pse nuk më ke treguar që këtu ka ujqër?!-E shikova me qortim Cenin.
– Au, kam harruar!… Ti je mysafire këtu, natyrisht nuk e di këtë gjë.
– Cufo, njëmend emër i mirë, – qesha me Cenin. – Mua dhe ashtu më duhej një emër që fillon me shkronjën C. Për detyrë kam të shkruaj tri fjali që kanë të bëjnë me shkronjën C.