Zymer Mehani
Komunat e veriut të Kosovës: Leposaviqi, Mitrovica Veriore, Zubin Potoku dhe Zveçani, të banuara me shumicë serbe prej vitit 1999 kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës. Kjo është mëse e vërtetë.
Prandaj edhe tani, më 2020 kur është bërë futja në karantinë e Mitrovicës së Veriut dhe e Zveçanit (me urdhër të qeverisë së Serbisë) po konsiderohet dhe është ndërhyrje në territorin e shtetit të Kosovës, por nuk duhet harruar se ndërhyrje të ndryshme me urdhër të Serbisë për qytetarët e Kosovës të këtyre komunave, ka pasur edhe gjatë mandateve të të gjitha qeverive të Republikës së Kosovës (edhe kur ishin kryeministra Thaçi, Mustafa, Ramushi e tj). Këtë fakt nuk duhet ta harrojnë as sot politikëbërësit zhurmëmëdhenj (tani opozitarë) të Kosovës.
Vetë në qendër (në kryeqytetin e Republikës së Kosovës) politikanët e pandërgjegjshëm (presidenti i shtetit me korin e tij opozitar) arriti ta politizojë situatën në këtë kohë të pandemisë duke luajtur rolin jo të unifikuesit, siç ia përcakton kushtetuta, në të cilën po çirret së thirruri, por po luan rolin e përçarësit duke thirrë për padëgjueshmëri qytetare ndaj urdhrave të qeverisë kinse në emër të “shkeljes së lirisë së lëvizjes”! Kjo është tejet e papranueshme dhe meriton të gjykohet.
Fatkeqësisht Republika e Serbisë është duke e shfrytëzuar edhe situatën e fundit, kur edhe Kosovën po e rrezikon pandemia Covid-19. Ajo është duke u përpjekur për ta shfrytëzuar për përfitime politike edhe këtë situatë të rëndë, por tenton që edhe të shkaktojë tensione në Republikën e Kosovës.
Çdo qeveri dhe secili kryeministër i Kosovës është dashtë dhe duhet ta dijë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës edhe pjesa veriore e Kosovës duhet të kontrollohet nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Pra, zërat e çjerrë opozitarë veç e veç por edhe në kor, duhet ta përmendin se Kosova ka problem me administrimin në katër komunat veriore të Kosovës që prej vitit 1999. Problemi me këtë pjesë të Kosovës nuk është i sotëm…. e sa i përket sigurisë së qytetarëve ndaj pandemisë, ata duhet të rrinë në shtëpitë e veta, ngase do ta evitojnë më lehtë Covid 19.
Ne e dimë të gjithë se strukturat paralele serbe në arsim, shëndetësi dhe në politikat sociale, si dhe për disa çështje të tjera kanë vepruar gjithmonë prej vitit 1999 në komunat veriore të Kosovës. Asnjë qeveri e Kosovës, asnjëherë nuk i ka zbatuar kompetencat e veta në këto komuna… Tash parësor është ballafaqimi me kornavirusin, e jo të krojohen nga zëra të papërgjegjshëm paqartësi dhe konfuzione te qytetarët që jetojnë atje.
Është me rëndësi që qytetarëve që jetojnë në veri, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare t’u ndihmohet në mënyrë efikase për t’u ballafaquar me pandeminë. Pra, këtu kemi të bëjmë me një çështje shëndetësore dhe humanitare dhe e vetmja mënyrë e shpëtimit është futja në karantinë, ashtu siç kanë hyrë edhe disa fshatra të tjera të Kosovës…