Baleti

0
676

Ilustrimi Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën B

Dea Halimi
Dea Halimi

Blertës i kishte blerë mamaja një palë pupa të baletit. Ajo e lumtur shtrëngoi në dorë pupat dhe menjëherë u nis të vinte tek unë.
– Dea, eja të vallëzojmë balet, – tha Blerta.
– Oh, Blerta, por unë ende nuk i kam përfunduar detyrat e shtëpisë, – ia ktheva.
– As unë, por ngaqë mami më kishte blerë pupa të baletit dua të vallëzojmë pak, – tha ajo e i mbathi pupat dhe filloi të bëjë ca hapa. Ajo e dinte se dhe mua më pëlqente baleti.
– Mirë, – i thash, – do të bëjmë balet për gjysmë ore e pastaj, dua t`u kthehem detyrave të shtëpisë.
– Unë do të bëj balet si një mjellmë e bardhë, – tha Blerta. – Ja dhe pupat i kam të bardha. Shikoji se si shkëlqejnë.
– Shkëlqejnë ngjyrë rozë dhe pupat e mia, – ia bëra, – ashtu siç ndrisin pupat e Zhizelës…
– Pse? Ti do të jesh Zhizela?!
– Po, dua të jem Zhizela.
– Ajo, Dea, ndoshta ke harruar… ka përfundim tragjik!
– Unë do t`ia dal ta mund mbretëreshën e bores dhe të akullit!
Lëshuam muzikën dhe filluam të bëjmë balet.
– Ti lëshove muzikën e Zhizelës, – tha Blerta.
– Bëjmë balet më të përsosur me këtë muzikë.
– Jo. Lëshoje muzikën për mjellmën e bardhë, për Odetën. Atë e dua unë, – tha Blerta.
– Nuk kam muzikë tjetër përveç këtë, të Zhizelës, – ia ktheva.
– Si nuk ke?!
– E pëlqej këtë, Blerta dhe nuk lëshoj muzikë tjetër.
Ajo largoi pupat nga këmbët dhe iku me hidhërim.
– Çfarë pati, pse iku kështu, – tha mami nga po hynte në dhomën time.
– Ne po bënin balet dhe ajo iku pa shpjeguar asgjë!
– Kam një befasi për ty, – ndërroi bisedën mami.
– E, ç`është ajo?
– Javën e ardhshme do të fillosh me orët e baletit te “Mjellmat”.
– Tash mund të bëhem një balerinë e vërtetë, mami.
– Po, e dashur, – tha ajo dhe unë e përqafova fort, pastaj iu ktheva detyrave të shtëpisë. Duhej të ushtroja shkronjën B- të shkrimit.