Shkruan: Florim Zeqa, 01.04.2020
Pas shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’ në Kuvendin e Kosovës, të gjitha partitë duhet të respektojnë rregullat e lojes demokratike. Siq dihet, sipas kushtetutes dhe procedurave demokratike, presidenti fillimisht duhet t’ia jep mandatin partisë se parë, në këtë rast LVV-së. Nëse LVV e refuzon apo pranon mandatin dhe brenda një afati të caktuar nuk arrin të krijoj shumicën e nevojshme, atëherë presidenti duhet të jep mandatin partisë së dytë, LDK-së. Në qoftëse edhe LDK-ja nuk arrin shumicën, atëherë opcioni i radhës është marrëveshja mes të gjitha subjekteve politike për një qeveri teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Pra, sipas rregullave të lojes, zgjedhjet janë opsioni i fundit për tejkalimin e krizës institucionale në vend.
LVV-së i iku zogu nga duart
Përpjekjet e LVV-së për të mbetur sa më gjatë në pushtet si qeveri e shkarkuar janë të pa justifikueshme, sikurse që është e pakuptimtë edhe kembëngulësia për shkuarje të mënjëhershme në zgjedhje.
LVV-ja pas humbjes së partnerit të vetëm qeverisës (LDK), serish mund të kthehet në pushtet, por vetëm nëse arrin t’i fitoj zgjedhjet me 51 % të votave të qytetarëve.
U vërtetua thënja popullore “e lehtë është të fitosh, por e vështirë ta mbash”.
Albin Kurti e kishte zogun (pushtetin) në dorë, por zogu (pushteti) i iku për shkak të keq menagjimit të situatës së parë “konfliktuoze” në qeveri, duke e djegur kartën e tij të vetme (LDK) për qeverisje në Kosovë.
Tani, kryeministrit në në detyrë, Albin Kurtit i mbetet të reflektojë më pozitivisht se asnjëherë më parë. Në këtë situatë pandemie, para qytetarëve të vendit duhet të tregohet i përgjegjshëm dhe i kujdesshëm në veprime, i matur në deklarata dhe në paraqitje publike.
Me gjakëftohtësi dhe në mënyrë të kulturuar Albin Kurti duhet të pranoj verdiktin e shumicës në kuvend dhe të zbatojë në përpikmëri rregullat e lojes demokratike, përkatësisht rregullat e sistemit parlamentar.
Thirrjet për trazira, ogur i zi për Kosovën
Tendencat për mbajtjen me forcë të pushtetit, gjegjësisht përmes shkaktimit të trazirave në vend, paraqesin rrezik të madh për shtetin e Kosovës.
Thirrja publike e kryetarit të Mitrovicës (anëtar i LVV-së); “Presidenti t’i shpallë zgjedhjet, ndryshe mund të ketë vëllavrasje“, ka provokuar reagime të spektrit të gjërë politik dhe mediatik, pakënaqësi dhe shqetësim të shoqërisë civile në vendin tonë.
LVV-ja nëse e mendon ngritjen e saj politike, atëherë duhet të shkëputet përfundimisht nga e kaluara e saj, përkatësisht nga praktikat e veprimeve të dhunshme.
Pas deklaratës së kryetarit të Mitrovicës, e kam pritur një reagim ndryshe të Lëvizjes Vetëvendosje. Kam pritur distancim dhe largim nga subjekti dhe inicim të procedurave për shkarkimin e Agim Bahtirit në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Kjo duhej të ishte LVV-ja e së sotmes dhe së ardhmes politike në vend.
Jo vetëm LVV-ja, por të gjitha partitë politike duhet t’i ulin armët e vëllavrasjes, të ndërprejnë gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes nacionale.
Të gjithë liderët e partive politike duhet ta kuptojnë një gjë, se betejat politike në shekullin 21 nuk fitohen me forcën e muskujve dhe as kërcënimin e armëve, por me forcën e argumenteve, me dije e mençuri, me tolerancë e bashkëpunim, me respekt e mirëkuptim, me humanizëm dhe solidaritet njerëzorë.
Reforma dhe ristrukturim për kthim të besimit
LDK-ja duhet t’i kthehet vetes dhe ta harrojë pushtetin së paku edhe për katër vitet e ardhshme, gjegjësisht t’u kthehet reformave dhe ristrukturimit të brendshëm partiak.
LDK-ja duhet t’i kthehet zotimit të dhënë elektoratit para zgjedhjeve të 6 tetorit, JO koalicion me partite e PAN-it. Çdo gjë që del jashtë këtij zotimi është e dëmshme për LDK-në dhe me pasoja për vendin. Pra, LDK-së nuk i duhen kalkulimet e pushtetit, por rikthimi të vetja e saj.
LDK-ja sa më parë duhet të organizoj zgjedhjet e jashtëzakonshme partiake, për t’u rikthyer fuqishën në rrënjet e vlerave rugoviane.
LVV-ja dhe LDK-ja mund të bëhen përseri bashkë, por vetëm si dy parti të reformuara që respektojnë vlerat e njëra-tjetrës, ku do të jenë të gatshme të ndajnë “torten e pushtetit” në mënyrë proporcionale me besimin e marrë nga qytetarët e vendit.
Deri atëherë, këty dy subjekte bëjnë mirë të qëndrojnë largë njëra-tjetrës, me respektin e ndërsjellë si dy botë të kundërta në skenën politike.
Biseda (në endërr) me Isa Mustafën
Derisa shetisja me dy paterica në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, u ndala për të pushuar pak tek një ulëse nën një hije të peme. Me t’u ulur aty e vërejta se në ulësen tjetër afër ndodhej Isa Mustafa, i cili patericën e tij e kishte lënë mu aty ku i vendosa patericat e mia.
Përshendetje profesor,
– ah, ti qenke Florim!
Po, ia ktheva unë.
– nuk dua të flas me ty!
Pse profesor?
– jam i hidhëruar në ty, a e din çka keni shkruar për mua.
Po e di profesor, por unë nuk kam shkruar kundër jush, por kam shkruar kundër ish-kryeministrit të vendit tim dhe ish kryetarit të LDK-së.
Në këto momente cingërrima e telefonit më nxori gjumin. Me të shkuar drejt telefonit e kuptova se unë jam pa paterica, por e kërkoja me sy, ku mbeti paterica e Isa Mustafës!
Do të dëshiroja, që bisedën e lënë në gjysmë (në ëndërr) me Isa Mustafën, ta vazhdoj në jetën reale diku në lokalet e Prishtinës, kur ai nuk do të jetë më kryetar i LDK-së.