Zhizheku dhe Albini

1
551
Slavoj Žižek - Viti i ëndërrimit rrezikshëm

Slavoj Žižek – Viti i ëndërrimit rrezikshëm

Blerim Latifi Blerim Latifi

Është e domosdoshme të heqim dorë nga interpretimet personaliste të politikës amerikane, intepretime që janë tipike për çajtoret politike të Ballkanit. Vendimmarrja në politikën e jashtme amerikane nuk është çështje e kapriçove individuale. Me këtë nuk dua të them se personalitetet e kësaj politike nuk e influencojnë atë me individualitetin dhe karakterin e tyre, por, në fund të fundit, gjeostrategjia është ajo që qëndron mbi individët.

Slavoj Zhizhek është sot njëri ndër filozofët më të dëgjuar në botë, jo se veprat e tij lexohen e kuptohen nga ndonjë masë e madhe njerëzish në rrafsh global, por për faktin se ai reagon vazhdimisht ndaj situatave dhe ngjarjeve konkrete në botë, duke marrë rolin e publicistit, komentatorit e analistit politik.

Për t’i kuptuar veprat e tij është e domosdoshme të kesh një formim të konsoliduar në filozofi, psikoanalizë, kinematografi dhe arte të tjera, gjë e cila rëndom i mungon publikut të gjërë.

Zhizhek është mendimtar i të majtës, mbase mendimtari më i rëndësishëm i saj në ditët e sotme.

Filozofia e tij mund të përmblidhet në “përpjekjen për ta mbajtur gjallë hipotezën komuniste, në kushtet e dominimit të kapitalizmit liberal”, siç e definoi bashkëmendimtari i tij, maoisti francez Alain Badiou.

Kjo përpjekje teorike, që ekzalton militantët e shkapërderdhur të kësaj hipoteze, nga perspektiva e mendimtarëve të djathtë, përqeshet dhe hudhet poshtë si një përpjekje anakronike e donkishoteske.

Roger Scruton, filozofi i madh anglez, i cili vdiq janarin që shkoi, e quan Zhizhekun “një nxitës të marrë” brenda klubit filozofik majtist “të të marrëve, budallenjve dhe zjarrvënësve”.

Filozofi tjetër anglez, John Gray, një kritik, si i komunizmit, ashtu edhe i neoliberalizmit, e quan Zhizhekun një ripërtypës të mërzitshëm të një vizioni të zbraztë e të vdekur tashmë.

Të tjerë kanë shkuar edhe më tej, duke e quajtuar “Borati i filozofisë perëndimore”, pra një ekuivalent filozofik të personazhit të famshëm nga komedia “Borat”. Adhuruesit e tij, ndërkaq, e ngrisin në piedestalin e “Elvis Presley-t të studimeve kulturore”.

Si një filozof i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të aktualitetit, Zhizhek reagoi edhe për rënien e qeverisë së Albin Kurtit. Ky reagim është i kuptueshëm me vetë faktin se Kurti ideologjikisht mbahet i majtë dhe lidhjet e tij me të majtën europiane janë tanimë të konsoliduara.

I kuptueshëm, por i gabueshëm në konstatimet që përmban. Rrëzimin e Kurtit Zhizheku e quajti “një grusht shteti parlamentar”, një term ky i çuditshëm.

Ai e quajti qeverinë e Kurtit “qeveri e shpresës në tërë rajonin e Ballkanit, e përbërë nga një gjeneratë e re, e cila nuk është e lidhur për pasionet etnike, e përkushtuar për moderninzimin e vendit në drejtimin e Iluminizmit emancipues.

Si e tillë, qeveria e Kurtit ishte ferrë në mish për të gjitha forcat politike, të cilat janë në gjendje të mbijetojnë vetëm në baltinën e pasioneve etnike e religjioze – ajo u urrye nga obskurantistët të të gjitha llojeve, në Kosovë, Shqipëri e Serbi”.

Ky portretizim i qeverisë së Kurtit është sajuar, duke u bazuar në gjëra të pasakta. Lëvizja Vetëvendosje nuk është një organizatë politike e çliruar nga pasionet etnike. E kundërta është e vërtetë.

Ajo është themeluar jo për të çliruar shoqërinë nga këto pasione, por për t’i afirmuar ato më tutje.

Ajo është krijuar për të kundërshtuar e luftuar një projekt mbietnik, Planin e Ahtisarit, të mishëruar në shtetin e pavarur të Kosovës.

Ajo, në emër të simboleve etnike e kombëtare, i ka mohuar e përbaltur simbolet multietnike e multikulturaliste të Kosovës, dhe këtë e ka bërë jo me metoda iluministe, por me pasionet agresive të nacionalizmit etnik.

Tjetra: Zhizhek e quan Qeverinë e Kurtit si një ferrë në mishin e forcave që mbijetojnë vetëm në baltinën e pasioneve etnike dhe religjioze. Edhe kjo është e pasaktë.

Lëvizja Vetëvendosje, nën udhëheqjen e hekurt të Kurtit, është ngritur duke kapitalizuar pasionet etnike, siç e thamë më lart, por këtë e ka bërë duke kapitalizuar edhe pasionet religjioze, madje ato më antidemokratiket e më antimodernizueset.

Shëmbulli më i shquar në këtë rast është Prizreni. Lëvizja Vetëvendosje arriti ta marrë qytetin e dytë më të rëndësishëm në Kosovë, vetëm atëherë kur bëri aleancë me partizanët erdoganistë të këtij qyteti dhe shumë vota të tjera, në pjesët tjera të Kosovës, i ka siguruar duke bërë aleanca të pashkruara efektive me eksponentë të islamit politik, qoftë të proviniencës erdoganiste, qoftë të asaj salafiste.

Sigurisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk është partia politike e vetme që koketon me këta eksponentë të errët. Në fushatën e fundit parazgjedhore për kryetarin e Podujevës, kundërshtari i kandidatit të Kurtit, nga LDK-ja, i ishte ekspozuar një fushate të egër në mediat online, ku paraqitej si njeri që pi alkool dhe është kundër mbulimit të grave.

E tërë kjo mund të jetë iluminizëm emancipues, po aq sa Kim Jong Un është liberal anglosakson. Në njërën anë, Kurti dhe ideologët rreth tij e paraqesin veten si njerëz me bindje të majta, ndërkaq mbështetësit e tyre në terren bëjnë fushata homofobike kundër të Richard Grenell-it, emisarit amerikan në dialogun Kosovë – Serbi.

Homofobia nuk është socialiste, as socialdemokratike, as iluministe. Përkundrazi, ajo i përket politikave fashiste, salafiste e fundamentaliste të urrejtjes grupore.
Pra, paraqitja e asaj që ndodhi të mërkurën në Kuvendin e Kosovës si një ndeshje midis gjeneratave të reja modernizuese e të emancipuara, në njërën anë, dhe forcave të vjetra obskurantiste, në anën tjetër, është një paraqitje krejtësisht e rreme.

Poashtu, është krejtësisht e rreme paraqitja e raporteve midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas modelit latino-amerikan të Luftës së Ftohtë.
Rasti i Kosovës ka qenë dhe mbetet sui generis dhe në këtë rrafsh edhe qëndrimi amerikan është sui generis.

Mendimtarët e të majtës vazhdojnë të tregojnë paaftësi për ta kuptuar këtë gjë, me vetë faktin se sa herë që bëhet fjalë për Kosovën nxjerrin mbi tavolinën e debatit skemat e vjetra sovjetike mbi imperializmin amerikan.

Këtu qëndron edhe një pjesë e arsyes pse Kurti, vetë ideologjikisht i mbushur me skema majtiste, nuk ia doli që gjatë qeverisjes së tij të ndërtonte një politikë të mirëbesimit me qeverinë amerikane.

Ai nuk bëri asgjë për të përgatitur vizitën e tij të domosdoshme si kryeministër i Kosovës në Uashington dhe nuk hezitoi fare të shprehej hapur se prapa dyerve të mbyllura të Shtëpisë së Bardhë, po gatuhej një e keqe e madhe për Kosovën.

Kur kundërshtarët i kërkuan që t’ua tregonte marrëveshjen për ndarjen e Kosovës që, sipas tij, po e përgatiste Uashingtoni, Kurti tha se nuk e kishte atë marrëveshje, por se ishte plotësisht i bindur se ajo ekziston.

Kjo tregon një problem tjetër themelor në stilin e tij të të bërit politikë. Ai u beson më shumë bindjeve dhe mendimeve të tij personale, se sa fakteve të të tjerëve.

Ai është egokrat në mendim. Kjo ndikon që të jetë i tillë edhe në veprim. Më thuaj si mendon, të them se si do të qeverisësh, thotë një urti filozofike. Por, egokracia është një rrugë dritëshkurtër në botën e politikës demokratike.

E vërteta në këtë politikë nuk është fryt i një zbulimi të vetmuar kartezian, por fryt i negociimit të vazhdueshëm të interesave dhe pikëpamjeve.

Që Kurti dhe partia e tij të marrin përnjëmend rol emancipues në shoqërinë kosovare, është e domosdoshme që ai, paraprakisht, të vetë-emancipohet nga pikëpamjet marksiste mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kjo do t’ia mundësojë ta kapë thelbin e historisë 21 vjeçare të Kosovës, thelb i cili ka të bëjë me faktin se Kosova, nga viti 1999 e tutje, ka qenë projekt parasëgjithash amerikan i state building-ut.

Liria, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës mbajnë vulën e politikës amerikane dhe prapa kësaj vule nuk fshihet asnjë motiv imperialist, siç mendojnë ekstremistët e majtë.

Sot jemi në një fazë të këtij procesi shtetndërtimi, kur shihet qartë se nuk mund të ecim më tutje si shtet pa hequr qafesh barrierat ndërkombëtare të vëna nga Serbia dhe mbështetësit e saj të mëdhenj, në krye me Rusinë.

Nga viti 2011 e tutje Bashkimi Europian ka dështuar krejtësisht në këtë drejtim, prandaj amerikanët kanë vendosur të marrin vetë përsipër këtë punë.

Është fat për ne, që nuk po na lënë nën mëshirën e Bashkimit Europian, i cili, para se të merret me ne, duhet të merret me zjarrin e madh, që i ka shpërthyer në shtëpi.

Ne nuk kemi asnjë arsye të vetme të dyshojmë në qëllimet e mira të Amerikës ndaj nesh.
Gjithashtu, është e domosdoshme të heqim dorë nga interpretimet personaliste të politikës amerikane, intepretime që janë tipike për çajtoret politike të Ballkanit.

Vendim-marrja në politikën e jashtme amerikane nuk është çështje e kapriçove individuale. Me këtë nuk dua të them se personalitetet e kësaj politike nuk e influencojnë atë me individualitetin dhe karakterin e tyre, por, në fund të fundit, gjeostrategjia është ajo që qëndron mbi individët.

Dhe në gjeostrategjinë amerikane, Kosova figuron në anën e aleatëve më të besueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në trazirat e mëdha të historisë botërore, popujve të vegjël rrallë ndodhë t’u buzqeshë fati. Neve na ka buzëqeshur dhe kjo buzëqeshje mban emrin United States of America.

1 KOMENT

  1. Zhezhek krimineli komunist ne vitin 2005 ne BIBLIOTEKEN KOMBETARE TE PRISHTINES THA:

    KOSOVA NUK DUHET TE MBESHTETET NE USA POR NE RUSI!!!

    Organizator ishte psikopati komunist, qe e adhuron Mao Ce Donin… me emrin AGON HAMZA… qe sot eshte keshilltar politik i KM Kurtovski…

Komentet janë mbyllur.