Mos yryshni për pushtet në gjysëm shtet!

0
383
Isa Mustafa - Ramush Haradinaj

Shkruan: Florim Zeqa, 30.03.2020

Në shkrimin e sotëm, sikurse që nuk do të merrem me komentimin e asaj çfarë ndodhi në seancën e fundit të kuvendit, nuk do të merrem as me zanafillën e problemeve me të cilat po përballen dy ish partnerët e koalicionit qeverisës, tashmë të shpresave të thyera.

Paranoja e njërit pol politik dhe servilizmi polit tjetër, shkak për rënjen e qeverisë

Mungesa e profilizimit politik, po e bën gjithnjë më të paqëndrueshme qeverisjen në vend, si dhe po i bën akoma më të pa parashikueshme zhvillimet politike pas rënjes së qeverive.

Edhe pse koalicioni i fundit qeverisës ishte bashkimi i dy partive politike të profilizuara, ishte bashkim i dy koncepteve politike diametralisht të kundërta, të cilat nuk mundën t’i rezistojnë presionit të brendshëm kundër njëra-tjetrës.

Përderisa bashkimi i dy poleve të kundërta në fushën e energjisë elektrike prodhon dritë dhe energji progresive, në fushën e politikës përveqse nuk prodhoj dritë, shpresën e ktheu në zhgënjim dhe dritën në errësirë.

Thellësisht jam i bindur që, sikur këto dy rryma politike ta përballonin njëra-tjetrën së paku për një mandat politik katër vjeçar, do të zhdukej përgjithmonë errësira në vendin tonë.

Mirëpo, për fatin e keq të vendit, paranoja e njërit pol politik dhe servilizmi i polit tjetër u bënë shkak për rënjen e qeverisë së shpresave të qytetarëve.

Tani pas rënjes së qeverisë, është duke u zhvilluar një luftë e ashpër mes dy koncepteve politike, të cilat po e sulmojnë pamëshirshëm njëra-tjetrën, duke mos zgjedhur gjuhë e mjete politike, forma e mjete shantazhi, intriga e propagandë të ulët denigruese thuajse janë armiq shekullor të njëri-tjetrit e jo vëllëzër të një gjaku e të një ashti të rritiur në këto troje dardane.

Opozitës i shkoi “peshku në pjatë”

Pas formimit të qeverisë së shpresës, siq e kemi quajtur ish koalicionin qeverisës, opozita ka qenë e bindur se nuk do ta ketë të lehtë rrëzimin e saj.

Pikërisht për atë arsye edhe ishte e nervozuar dhe ashpër me kritikat ndaj qeverisë në seancat e kuvendit.

Mirepo, nuk kaloj kohë e gjatë dhe opozitës kosovare i buzëqeshi fati, i shkoj “peshku në pjatë”. Shpresa e humbur për pushtet ju kthye në surprizë të ëmbël, që i erdhi nga partitë në pushtet.

Ashtu siq nuk e patëm pushtetin e unifikuar, nuk e kami as opozitën unike në qëndrimet e saj. E vetmja gjë që e bën opozitën bashkë, është lufta për pushtet e jo çështjet kapitale për shtetin dhe interesin e qytetarëve.

Të gjitha partitë politike pa dallim, sikurse ish partitë në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë, po harrojnë se lufta politike me Serbinë ende nuk ka mbaruar. Madje kjo luftë është në vlugun më të madh të saj.

Ikja nga realiteti, i rrezikon të arriturat e deritanishme

Partitë politike, me ose pa dashje po e harrojnë faktin se ende është në fuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përderisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe relaksim, sikurse që nuk ka vend as për frikë për ripushtim nga Serbia derisa të jenë forcat e NATO-s në Kosovë.

Edhe pse jemi shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, si lak rreth qafe e kemi Rezolutën 1244 e cila e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë.

Si pasojë e kësaj situate, BE dhe OKB, dy organizata, në të cilat ne e aspirojmë anëtarësimin tonë, ende nuk e njohin Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.

Përtej kësaj, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e ka rikthyer statusin e Kosovës gati në pikën zero.

Vendin nga rreziku i ndarjes dhe shtetin nga falimentimi nuk mund ta shpëtojnë ata që po duan ta negociojnë pavarësinë e larë me gjak me ata që i shkaktuan dhimbje shpirtërore dhe plagë të pashërueshme popullit tonë.

Prandaj si rezultat i kësaj situate, vendit i kanë mbetur vetëm një zgjidhje, lindja me urgjencë e një alternative të re politike nga populli, për ç’rrënjosjen e së keqës së përbashkët të këtij vendi, brenda të quajturës “pozitë-opozitë”.

Thënë ndryshe, shpëtimtar për vendin nuk mund të jenë shkaktarët e së keqës (partitë aktuale), që rropën e ç’rropën bashkarisht pasuritë shoqërore dhe publike për këto 21 vjet rresht.

Populli shpëtimim duhet ta gjejë tek intelektualët e guximshëm, me moral të pastër dhe integritet njerëzor dhe kombëtar, tek të gjitha shtresat e shoqërisë që janë të gatshëm të përballen me virusin kancerogjen të; krimit dhe korrupsionit, karrierizmit, familjarizmit, nepotizmit dhe të gjitha dukurive të tjera shoqërore të shfaqura në Kosovën e pasluftës, e në veqanti në periudhën e pas pavarësië.

Në fund të këtij shkrimi, ju bëjë thirrje të gjithë liderëve shtetëror dhe partiak, mos yryshi për pushtet në gjysëm shtet, por kthjellni mendjen e bashkohuni për të shpëtuar shtetin nga zhbërja e falimentimi, nga ndarja e copëtimi që po e rrezikon tkurrjen enorme të kufijve të shtetit tonë.

Të bashkuar mund të mbajmë shtet, të ndarë mund të mbani vetëm pushtet në gjysëm shtet.